Strategjia e PD-së:  Zgjedhje të  përgjithshme bashkë me ato lokale

447
Sigal

Maxhoranca dhe opozita pa paqe, por ka hapësirë kohore deri në 15 janar 2015, për marrëveshjen e …paqes

Situatës  alarmante  dhe kaosi, që ka mbërthyer  prej gjashtë muajsh politikën shqiptare,  duket se përtej zgjidhjes politike të çastit,  kërkon një zgjdhje  institucionale dhe afatëgjatë. Po t’i shtojmë kësaj  gjendjeje edhe    krizën  ekonomiko- financiare  dhe pasigurinë me rendin dhe kriminalitetin, atëhere mund të themi me plot gojë se  tatëpjeta që ka marë vendi  është më e rënda, pas skandalit dhe post krizës  piramidale.  Protesta  e fundit e opozitës dhe mijra qytetarë që zbarkuan në rrugët dhe bulevardin kryesorë të Kryeqytetit treguan se 1 milion shuplakat po kthehen mbrapsht dhe se pasojat e kësaj kundërpërgjigje i  rrezikojnë seriozisht themelet e murit prej balte të Rilindjes. Ndaj, zgjedhjet e parakohshme  në qershorin e 2015-ës, duke i bashkuar me ato lokalet, do të përbëjnë zgjidhjen më të drejtë dhe më të mirë  dhe më të dëshiruar për të dyja grupimet e majta dhe të djathta.   Sot demokratët mblidhen në orën 09.30 për të vendosur përfundimisht nëse do futen apo jo në Kuvend  si dhe strategjinë që do të ndërmarrin. Rrahja  barbare  e deputetit  demokrat Strazimiri, me urdhër politik të krerëve të selisë rozë, kishte për qëllim jo vetëm nënshtrimin e demokraatëve,  por edhe diskriminimin e Kuvendit të Shqipërisë. Menaxhimi, drejtimi dhe liria opozitare nga ana e kreut të   Kuvendit, Ilir Meta ishte pasaparta më e mirë e këtij 1 vjeçari të Rilindjes për sytë dhe ndërkombëtarve. Madjë, në 24 vite demokraci, ky ka qënë i vetmi parlament, ku, jo vetëm deputetët e opozitës, por edhe qytetarët vlerësuan dhe u  befasuan nga pjekuri politike dhe qytetare e Ilir Metës në drejtimin e Kuvendit. Kjo situatë  të na kujtojë pak a shumë fjalimin e 22 shtatorit të ish-Presidentit Amerikan Bill Klinton në samitin vjetor të OKB-së, i cili, kur foli për liritë themelore dhe të drejta e njeriut, theksoi se:  “Mund të jeshë Senator, mund të jesh Kryeministër, President, apo milionier, por asnjë nga këto ofiqe nuk kanë vlerë, nëse nuk je QYTETAR. Pikërisht, këtë  qytetari  tregoi Ilir Meta,  por, që dikujt brenda së majtës,  nuk i interesoi dhe u xhelozua nga suksesi i kreut të LSI-së. Kështu, do të ishte në nderin e kryeministrit Rama, që personazhet që u lakuan në këtë situatë, si edhe ata që u përmendën për një “biografi” të dyshimtë, të shmangen, që kjo të shërbejë edhe për vetë Ramën, edhe para shqiptarëve, edhe para ndërkombëtarëve, si një “pashaportë” e katharsis politik të PS-së. Por, le t’i kthehemi situatës dhe ngërçit, që ka mbërthyer institucionet dhe politikën shqiptare. Ardhja e dy përfaqsuesve  të Parlamentit Europianë, njëri i së majtës dhe tjetri i së djathtës,  u duk sikur do zgjidhte situatën dhe  parlamenti do i rikthehej normalitetit. Por nuk ishte e thënë, sepse të dyja palët, sapo miqtë europianë u larguan, i shkelën parimet e besueshmërisë, duke treguar se kjo klasë politike ka marë fund dhe prej 24 vitesh po mban peng vendin dhe shqiptarët.  Të gjitha gjasat tregojnë se PD-ja nuk do të shkojë sot në Kuvend . Kjo, jo vetëm se palët nuk ranë dakort të firmosin marrëveshjen me katër pika, por edhe për faktin se afati i fundit ligjor i skadimit të mandatit është data 10 Janar 2015. Duke qënë se festat zyrtare janë deri më datë 3 Janar, pas kësaj date ka edhe 1 javë afat për mbledhjen e radhës së Kuvendit, nga ku do caktohet edhe vendimi përfundimtar. Nëse demokratët nuk do të shkojnë edhe pas kësaj date, atëhere  humbja e mandateve  është e paevitueshme dhe të gjitha gjasat janë që në qershor, bashkë me zgjedhjet locale, të zhvillohen edhe ato të përgjithshme, pasi edhe deputetët e radhës  të PD-së nuk do të pranojnë të marin mandatet e lënë boshë. Madje, kjo situatë do jetë  guri i provës  edhe për partinë e çamëve, të cilët, nëse demokratët i nxjerrin nga koalicioni, do të mbeten si peshku pa ujë, sepse e majta mund t’u ofrojë vetëm një vend në parlamentin e ardhshëm dhe atë e merr automatikisht kreu i kësaj partie, Idrizi. Megjithatë,  muaji shkurt,  në të cilin do të festohet edhe dita e rënies së komunizmit, do të jetë prova e madhe  për Lulzim Bashën. Në 20 shkurt 2015 demokratët pritet që të zhvillojnë protestën më të fuqishme të 24 viteve të fundit, ku të papunëve pa dallim bindjesh, do t’u bashkohen edhe studentët, të cilve u janë rritur taksat,  qytetarët e burgosur, ata që humbën shtëpitë dhe lokalet nga fadromat dhe tritoli, hallexhijtë që s’kanë mundësi të paguajnë dhe rrijnë në errësirë, pacientët që po vuajnë në spitale, mësuesit e larguar, ushtarakët e pushuar nga puna, ish-ushtarakët e mashtruar dhe që shpresonin në zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, qytetarët e ndershëm, që shpresonin  tek legalizimet falas, ata që menduan se do zhdukeshin  monopolet  e Saliut dhe të premtuara me aq bujë nga Rama në fushatën elektorale të 2013-ës etj, etj pa fund.  Emigrimi dhe kërkesat për azil  në Europë janë një shënjë e keqe dhe që tregon se shqiptarve u ka vajtur thika në kockë, ndërsa pashallarët e rinj janë lidhur dhe po flirtojnë me ish batakçinjtë e djeshëm, të cilëve nuk  u bëjnë përshtypje  akrobacitë, duke na kujtuar shprehjen e vjetër popullore se : “ Ujku qimen e ndërron, por zakonin se harron”…  Fatkeqësia  për qytetarët  dhe pasiguria për të ardhmen   shtohet edhe më shumë, kur mendonë se gjatë vitit 2014 nuk është bërë  asnjë investim nga buxheti  4.8 milirdë dollarësh i vendit. Po t’i shtojmë edhe kreditë prej 600 milion eurosh, situata bëhet edhe më e rëndë, çka tregonë se babëzia  e ministrave dhe  drejtorëve, që kanë në dorë paratë e shqiptarëve, nuk po njeh kufi.

PS dhe PD firmosën rezolutën e Kukan, por grisën marrëveshjen

Si një estradë me shumë akte u luajt  dje politika. Të hënën, Kukan u largua nga Shqipëria pa mundur që të bindte maxhorancën dhe opozitën që të  bënin një paqe politike që opozita të rikthehej në parlament, por la një dritare shprese, që të nesërmen (dje) ai do të ri bisedonte me telefon nga Brukseli që të arrihej, më në fund, marrëveshja. Por në vend të rifillimit të bisedimeve me anën e telefonit, ndodhi zbardhja e një resolute në rrjetin social të eurodeputetit Kukan. Që në mëngjes dje eurodeputeti Kukan zbardh draftin me 4 pika që negociatorët europianë kanë propozuar liderëve të Shqipërisë, që të arrijnë në një marrëveshje. Palët politike, ndonëse kontradiktore edhe me vetveten, u shpejtuan të pohonin që e miratonin rezolutën e PE-së, por jo…marrëveshjen me njëri-tjetrin. Rezoluta e dy eurodeputetëve të Parlamentit Europian Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan mban vetëm firmat e deputetëve të PS e LSI. Në përfundim të negociatave që zgjatën rreth 5 orë opozitarët deklaruan se nuk kanë rënë dakord për disa pika të marrëveshjes, ndërsa përfaqësuesit e PS-LSI u shprehën se nga ana e opozitës u kërkuan disa pika shtesë jashtë rezolutës së PE. Në emër të maxhorancës Taulant Balla dhe Petrit Vasili ftuan opozitarët të jenë të pranishëm sot në Kuvend për ta miratuar atë pikë e presje, pa i hequr apo shtuar gjë. Ndërsa Partia Demokratike “ri konfirmoi vullnetin për të punuar së bashku për një rezolutë të përbashkët parlamentare bazuar tërësisht dhe vetëm mbi Deklaratën e Parimeve. “I bëjmë thirrje maxhorancës të demonstrojë angazhim serioz për finalizim,”- deklaroi PD-ja.

  PD reagon sërish: Të punojmë për një rezolutë të përbashkët 

Partia Demokratike ka reaguar sërish pas deklaratave të deputetëve të PS-së dhe LSI-së me një deklaratë: “PD rikonfirmon vullnetin për të punuar së bashku për një rezolutë të përbashkët parlamentare bazuar tërësisht dhe vetëm mbi Deklaratën e Parimeve. I bëjmë thirrje mazhorancës të demonstrojë angazhim serioz për finalizim,”- thuhet në të.

 Pollo:S’ramë dakord për të gjitha pikat, të mos përdorim 3/5 e votave

Në përfundim të negociatave ndërmjet PS-së dhe PD-së mbrëmjen e djeshme në orën 20:00, deputeti demokrat Genc Pollo ka deklaruar se është rënë dakord për disa pika dhe për disa të tjera ende nuk është dakord, ato do të shtjellohen më vonë. Por, sipas tij, “një nga pikat më të rëndësishme të marrëveshjes mes palëve është që maxhoranca qeverisëse nuk do të përdorë 3/5 e votave për të amenduar ligje pa konsensusin e opozitës. Pollo tha se kërkesat e opozitës janë të njohura prej kohësh: Dekriminalizimi i Kuvendit dhe që të drejtat e opozitës të mos shkelen nga një pushtet arbitrar. Ne sot diskutuam që këtë bazë parimesh ta kthejmë në një rezolutë dhe me mazhorancën të vendosim një afat 6-mujor për të përmbushur këto detyrime. Kemi rënë dakord edhe për një sërë çështjesh por ende jo për disa të tjera, që duhen shtjelluar.”

Në minutat e fundit të së djeshmes arrihet …paqja

Në orët e vona të së djeshmes, deputeti i PS-së, Balla dhe i LSI-së Vasili u takuan me deputëtët e PD-së Pollo dhe Bylykbashi, në kryesinë e Kuvendit dhe, pas negociatave të fundit, për të arritur edhe minutazhin e skadimit të se djeshmes, më në fund, PS-ja pranoi që t’i plotësojë, të gjitha kushtet e PD-së, pa kushte!

 Historiku i bojkotit të opozitës

Bojkoti i PD-së për mospjesëmarrje në punimet e parlamentit, nisi nga dhuna që ushtruan në 10 korrik 2014 2 deputetë të  PS-së, kundër deputetit të PD-së Gent Trazimiri, i cili minuta më parë, kishte debatuar në sallën e Kuvendit me ministrin Tahiri për personat e inkriminuar që janë në parlament.

10 korrik 2014 fjalimi i Strazimirit që solli reagimin deputetëve të PS-së

Gjithçka do të niste në seancë plenare të 10 korrikut, ku deputeti demokrat, Gent Strazimiri, akuzoi PS-në se në grupin parlamentar të saj ka hajdutë dhe kriminelë. “A është problem kriminaliteti në këtë vend?” – iu drejtua Strazimiri, ministrit Tahiri dhe po vetë u përgjigj: “Po, është problem. E ka fajin policia? Pjesërisht e ka. A janë këtu 100% burra e gra të ndershme në këtë Parlament? Jo! Në grupin tënd parlamentar ke të paktën 19 veta me precedentë penalë, persona të kërkuar, të shpallur në kërkim apo persona që kanë bërë burg për narko-trafik, vjedhje vilash me dhunë; kanë bërë burg për prostitucion. Ti e di dhe nuk flet”, i tha Tahirit. Deputetja e PS-së, Olta Xhaçka, ka bërë një ndërhyrje nga salla: “A mund të na thoni, zotëri, meqenëse nuk na e thotë ministri, nuk e ditkemi ne të tjerët, kush është ky person në kërkim? Se duam ta dimë, të paktën të mos shoqërohemi dhe ne. Mund të jetë në grupin tuaj apo tonin, ta dimë”. Strazimiri tha se “Keni gjithë mirëkuptimin tim, e nderuara zonjë, po ju ka ardhur me sms kjo kërkesë. Sigurisht që nuk do të merrem me ju; i kemi bërë publikë, emër për emër dhe kemi bllokuar një seancë parlamenti pikërisht për të futur disa persona, që nuk e meritojnë të jenë këtu. Për më tepër, do të flasim edhe më vonë”. Pas debatit, deputeti Strazimir u dhuna nga 2 deputetë të PS-së.

Bojkoti

PD-ja që në momentin e parë akuzoi Kryeministrin Rama për inskenim të dhunës kundër deputetëve. Sipas PD-së, të dy deputetët e PS-së morën urdhëra nga Rama, dhe në korridoret e Kuvendit, dhunuan deputetin Trazimiri për t’u hakmarrë ndaj akuzave që sapo kishte bërë deputeti i PD-së në sallën e Kuvendit. Por PS-ja dhe kryeministri Rama nuk i pranuan këto akuza dhe i quajtën qesharake.  Reagimi iPD-së, është i menjëhershëm, dhe opozita vendos që të bojkotojë Kuvendin, duke parashtruar në kohë të ndryshme edhe  kushte dhe kërkesa të ndryshme, për t;u rikthyer në Kuvend.  Për një kohë të gjatë, në muaj të tërë maxhoranca i mbajti të mbyllura veshët ndaj çdo kushti dhe kërkese të PD-së për të zgjidhë ngërçin e bojkotit. Madje, në komisionet parlamentare dhe seancat e Kuvendit, maxhoranca, vazhdoi normalisht të diskutonte dhe të miratonte jo vetëm ligje, që duhej të miratoheshin thjesht me 71 vota, por edhe shumë ligje të rëndësishme, që detyrimisht duhet të votoheshin me 84 vota dhe më i rëndësishmi ishin projektligji “Për ndarjen e re Terriroriale”, “Për KLD-në”, “ Për Nëpunësin Civil”, etj. Mirëpo, rrugës opozita pësoi firo, pasi shumë deputetë të saj, sidomos ata aleatë, sikurse Nard Ndoka por edhe nga PDIU-ja, që u zgjodhën nga lista zgjedhore e PD-së, si edhe në aleancë zgjedhore me PD-në, e thyen bojkotin dhe morën pjesë në Kuvend.

Në lojë edhe arbitrate ndërkombëtarë

Bojkoti i stërgjatur i PD-së erdhi edhe në kufijtë kushtetues të skadimit të mandateve të deputetëve. Kjo shkaktoi edhe reagim të brendshëm te PD-ja, por edhe te ndërkombëtarët. Shumë deputetë të PD-së, edhe publikisht kërkuan që PD-ja të rikthehej në Kuvend, si edhe aleati i PD-së, PR-ja. Mirëpo, vendimi i kryetarit të PD-së ishte i prerë. Pa u plotësuar kushtet e PD-së, nuk ka rikthim në Kuvend. BE-ja dhe PE-ja u shqetësuan, duke parë që bojkoti jo vetëm dëmton mirëfunksionimin e demokracisë në Shqipëri, por edhe rrezikon mosplotësimin e prioriteteve që ata i kanë vënë Shqipërisë, për të filluar negociatat e anëtarësimit në BE. Megjithë konsultimet dypalëshe, të shumë emisarëve të PE dhe BE me krerët e politikës në Shqipëri, nuk u bë i mundur arritja e marrëveshjes. Misioni “Kukan”, i cili të hënën erdhi urgjentisht në Tiranë, dështoi, edhe pse Rama, Meta  e siguruan Kukan, që maxhoranca do t’i plotësonte të gjitha kushtet PD-së.

Kushtet e PD-së

Kushti kryesor i PD-së është që PS-ja të largojë nga parlamenti të gjithë ata deputetë që kanë në biografinë e tyre lidhje dhe pjesëmarrje në botën e krimit, të cilëve u janë edhe dosje penale në shtete të ndryshme. Kushti tjetër, është që maxhoranca të mos përdorë diktaturën e 84 votave dhe të miratojë në Kuvend, edhe ato ligje, që domosdoshmërisht duan konsensusin e opozitës.Një tjetër kusht, ka qënë që maxhoranca të respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilat kanë rrëzuar ligjet e mazhorancës, të votuara njëanshmërisht nga maxhoranca.

Drafti prej 4 pikash i propozuar nga negociatorët europianë

Në faqen zyrtare të eurodeputetit Eduard Kukan është publikuar drafti i propozuar nga negociotarët europianë dhe përmban 4 pika.

“Opozita të kthehet në Parlament për të vendosur plotësisht funksionet e saj parlamentare duke iu shmangur bojkotit të Parlamentit dhe komisioneve të tij; ndërsa mazhoranca qeverisëse nuk do të përdorë shumicën e cilësuar prej tre të pestave, duke anashkaluar opozitën, por do të punojnë së bashku me opozitën për të gjetur konsensus për reforma të rëndësishme sa herë që është e mundur”, thuhet në draft/marrëveshje.

Ndërsa pika e dytë ka të bëjë me gatishmërinë për respektimin e shtetit ligjor. “Të gjitha palët do të kontribuojnë për dialogun politik, i cili duhet të bëhet së pari në Parlament dhe respektojnë Kushtetutën dhe zbatimin sistematik të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Mazhoranca qeverisëse dhe opozita do të anagazhohen të rishikojnë rregullat që kanë të bëjnë me funksionimin efikas të komisioneve parlamentare hetimore, të bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare”.

Pika e tretë lidhet me që opozita e quan dekriminalizim të Parlamentit. “Opozita dhe mazhoranca qeverisëse angazhohen të punojnë së bashku në mënyrë konsensuale, me ndihmën e Bashkimit Europian, për çështjen e individëve me rekorde kriminale, që kërkojnë të zgjidhen ose të emërohen për poste publike, bazuar në standardet europiane dhe me asistencën e Komisonit të Venecias”.

Pika e katërt ka të bëjë me rolin e Parlamentit në këtë marrëveshje, kur thuhet se, “përfaqësuesit e grupeve më të mëdha parlamentare në Parlamentin Europian, Socialdemokratët dhe Partia Popullore Europiane do të mbështesin një marrëveshje të tillë politike”

 Kuvendi sot, dita e fundit

Kuvendi mblidhet sot, edhe me pjesëmarrjen e opozitës, në seancën plenare, që është dhe e fundit për këtë sesion. Rendi i ditës i Kuvendit përfshin diskutimin e disa projektligjeve, si dhe votimin e disa çështjeve të tjera. Mes tyre veçohen ndryshimet në ligjin “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore”; ato në ligjin “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, ndryshimet në ligjin e ‘prokurimit publik’, etj.
Gjithashtu, Kuvendi pritet të miratojë dhe tre kandidaturat për anëtarë të Bordit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Financiare dhe të Drejtorit e Nëndrejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të AMF-së; miratimin e kandidaturave për anëtar të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë; pr/rezolutën “Për njohjen dhe forcimin e rolit të shoqërisë civile në procesin e zhvillimeve demokratike të vendit”, si dhe pr/vendimin “Për mënyrën e trajtimit të deputetëve”.