Prof. Dr. Liliana Elmazi: Qeveria ka marrë 1 miliard dollarë borxh për shpenzimet e saj të luksit

487
Sigal

Intervista/ Prof. Dr. Liliana Elmazi, deputete e PD-së: Ligji i qeverisë për të marrë borxh pa lejen e Kuvendit, rrëzon Kushtetutën

Deputetja Liliana Elmazi, në intervistën për “Telegraf”, e cilëson goditje që i bëhet sistemit demokratik ligji për marrjen nga qeveria të huave, dhe kjo  ndodh kur qeveria ka marrë borxh 1 miliardë dollarë për luksin e saj, ndërkohë që shqiptarëve u ndërpret ndihmesat sociale dhe zbaton politikën e “burgut” për çdo qytetar të pamundur, të papunë, të varfër, që nuk paguan dot as energjinë elektrike.

– Zonja Elmazi, ju jeni informuar, si opozitë në Komisionin parlamentar te Ekonomisë, për projektligjin për huamarrje nga qeveria pa miratimin e Parlamentit?

– Ky projektligj është një goditje që i bëhet sistemit demokratik në vend . Në një shtet demokratik e ligjor shteti funksionon sipas parimit check & balance, por qeveria që kur erdhi në pushtet nisi revanshin dhe kërkon të marrë çdo gjë në kontroll të saj dhe të eliminojë parlamentin nga funksionet e tij kushtetuese. Nuk  është hera e parë që ndodh një gjë e tillë në këto 16 muaj. E njëjta gjë ka ndodhur me Presidentin, Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe te gjitha institucionet e tjera të pavarura. Parlamenti si institucion që përfaqëson popullin, duhet të ushtrojë të gjitha kompetencat në emër të popullit dhe jo si bën maxhoranca parlamentare të interesave të oligarkëve.

Cilat janë rreziqet kur qeveria merr hua nga jashtë, pa ratifikimin e Kuvendit?

– Anashkalon Parlamentin, pra dhe opozitën dhe kontrollin në parlament, me qëllim që t’i hapë rrugë huamarrjeve e borxhit, jo sipas Kushtetutës, por interesave të saj dhe oligarkëve që mbështesin dhe mund të marrë borxh të pakontrolluar. Sepse kjo qeveri ka marrë hua për luksin e saj, sepse në dy vjet ka marrë një miliard dollarë borxh për shpenzimet e saj të luksit, ndërkohë që shqiptarëve u heq ndihmën ekonomike, nuk u rrisin rroga e pensione, edhe shpërblimin për Vitin e Ri e bëri selektiv e të cunguar. Dhe shqiptarët varfërohen përditë e më shumë, ndërsa qeveria rrit zullumin përmes luksit të saj . Kjo s’është qeveria e popullit. Por antipopull!

Kur ishte në maxhorancë PD-ja nuk pranonte se ekonomia jonë kishte krizë, por thoshte se përballet me efektet e krizës rajonale. Ndërsa tani PD-ja thotë se ekonomia jonë është në krizë. Cili është argumenti juaj?

– Shqipëria e para 2013-ës ishte një vend që përballonte me sukses pasojat e krizës globale dhe veçanërisht të ekonomisë greke dhe italiane. Kjo  tashmë është e evidentuar në të gjitha raportet e institucioneve ndërkombëtare. Por nuk duhet të harrojmë që në kohë krize është shumë e rëndësishme që të mos humbasë kontrolli i situatës në mënyrë që çdo problem të evidentohet në kohë dhe të zgjidhet në kohë, pasi çdo humbje vëmendje në situata të tilla ka pasoja shumë të rënda për ekonominë dhe qytetarët. Është e vërtetë që një situatë normale nuk mund të degjenerojë në një vit, por një situatë ku ballafaqohesh me krizën më të thellë në Europe në 70 vjetët e fundit, situata mund të degjenerojë në pak muaj nëqoftëse nuk ke nën kontroll situatën, nuk merr masat në kohën e duhur dhe akoma më keq nëqoftëse merr vendime të gabuara. Kjo mund të jetë katastrofike. Nuk është vetëm Shqipëria që ka hyrë në krizë pas rritjes së taksave për biznesin e qytetarët, si ndodhi me politikat fiskale të qeverisë dhe me taksimin progresiv, veçanërisht. Franca është shembulli më i qarte për këtë rast ku rritja e madhe e taksave e ka çuar Francën në recension.

– Cilat janë faktorët që përkeqësuan treguesit ekonomikë, pas 23 qershorit 2013?

– Faktorët që përkeqësuan situatën janë rritja e taksave, rritja e borxhit për shpenzime luksi, ulja e investimeve publike, një politikë armiqësore ndaj biznesit në përgjithësi dhe koncesioneve në veçanti. Nëqoftëse ka pasur probleme në të shkuarën në sektorë të veçantë, problemet nuk zgjidhen me aksione të cilat kalojnë  në situata terrori shpesh herë. Problemet zgjidhen në bashkëpunim të ngushtë me biznesin, pasi janë ata që mbushin arkën e shtetit dhe punësojnë qytetarët.

– Si opozitë, ju a i mirëbesoni statistikës së INSTAT-it që jep tani rritje ekonomike?

–  Faktet e këtyre muajve tregojnë se heqja e paligjshme e drejtores së INSTAT-it dhe zëvendësimi i saj me një militant të majtë, ka pasur vetëm një qellim. Kthimin e INSTAT-it në një aneks të zyrës së propagandës së PS-së.

– Qeveria “Berisha” në 2012 me ligj e kaloi INSTAT-in në varësi të kryeministrisë, ndërsa opozita e majtë, atëherë e kundërshtoi, por tani, ju ndërruat role dhe shkëmbyet qëndrimet politike. Mos vallë INSTAT-i publikon ato statistika që do të publikojë qeveria dhe mbetet një institucion i pabesueshëm, pavarësisht nga kahu politik i maxhorancës?

– Nuk ka rëndësi varësia formale e INSTAT-it, ajo që ka rëndësi është si funksionon. Kjo periudhë lë shumë dyshime për pavarësinë e INSTAT-it. pretendimi për rritje të punësimit me 80 mijë vetë është rasti më ekzemplar që vërteton këtë.

– Përse PD-ja sot është kundër kamatës në llogaritë e pagimit të energjisë elektrike, kur në qeverisjen e saj 8 vjeçare qeveria Berisha me ligj e ligjësoi kamatën dhe nuk e hoqi kurrë nga llogaripagesa?

– Problemi me pagesat e energjisë elektrike është një problem që nuk ka dallime midis qeverisë dhe opozitës. PD-ja disa herë ka deklaruar që çdo qytetar duhet të paguajë faturat, por duhet pasur kujdes që të mos ngarkohen qytetarët edhe për faturat abuzive. Tashmë është e qartë për këdo që shumë fatura kanë qenë abuzive. E dyta duhet bërë kujdes për qytetarët të cilët nuk janë në gjendje të paguajnë, pasi nuk kanë një punë. Apo janë shtresa në nevojë. Këtyre nuk mund t’u marrësh shpirtin. Pavarësisht nga fuqia paguese, çdo qytetar ka të drejtë të ketë në shtëpi energji elektrike, të paktën sa për t’u ndriçuar. Këtë të drejtë nuk mund t’ia mohosh askujt. Qeveria sot ka bërë që shumë familje të jetojnë epokën migjeniane, skamjen, mjerimin dhe flakën e qiriut, ne kushtet e varfërisë së thellë që ka pllakosur vendin. Është e domosdoshme që kamatvonesat të hiqen pasi në shumë raste (sidomos për shtresën e varfër ) ato janë dhe më të larta se detyrimet. PD-ja është për zbatimin e ligjit nga qytetarët, por dhe qeveria të bëhet e përgjegjshme për rolin që ka, duke aplikuar politika sociale për të papunët dhe shtresat në nevojë. Në të kundërt, qeveria po tregon që vetëm një gjë di të bëjë mirë. Të futë të varfrit nëpër burgje, sepse nuk kanë mundësi të paguajnë! Burg për mospagimin e energjisë, burg për ndërtimet pa leje dhe rregullimet, burg për mospagimin e taksave e tatimeve, por jo burg për kriminelët dhe të korruptuarit. Burgu sot është bërë tamam si në kohën e diktaturës. Atëherë për agjitacion e propagandë, sot sepse je i varfër e s’ke mundësi të paguash.

– Faleminderit!

Petraq Barjami