SPAK të hetoj Benet Becin / Kryebashkiaku i Shkodrës fut bashkinë në listën e kuqe të tenderave pa garë, jep 44 milionë lekë babait të ish-këshilltares

54
Sigal

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, i ka lidhur menjëherë telat me bashkëpunëtorët e Bardh Spahisë për të mbaruar punët me tenderët. Kështu, të majtë e të djathtë bëhen miq kur vjen puna tek shpërndarja e lekëve të bashkisë. Këtë e dëshmon edhe prokurimi me objekt “Mirëmbajtja e rrugëve rurale (rialokim)”, me fond limit 44 milionë lekë, i firmosur nga Beci.

Bëhet fjalë për punime mbi punë të sapokryera, pasi gjatë këtij viti janë bërë disa tendera për rikonstruktimin e rrugëve rurale në Shkodër. Por, mesa duket punimet nuk kanë qenë cilësore dhe shumë shpejt rrugët paskan nevojë për mirëmbajtje.

Ndërkohë, në dokument vëmë re se financimi është buxhet i rialokuar, pra paratë që kanë mbetur nga buxheti i këtij viti, Beci ka vendosur t’i “hedhë” rrugëve.

Sigurisht, vazhdon metoda e dhënieve të tenderëve pa garë dhe në shkelje ligjore.

Në shkresat e tenderit duket se për këtë prokurim kanë paraqitur oferta 4 kompani, por sa për formalitet. Tre prej tyre Beci i ka përjashtuar menjëherë nga gara. Që mos të kishte fare pengesa, kryetari mbajti në tavolinë vetëm zarfin me ofertën e firmës ALB – KONSTRUKSION, në pronësi të Ejell Radohinës.

Sigurisht ky është një emër i njohur për mediat dhe publikun, sepse ka përfituar shumë fonde nga Bashkia Shkodër. Kujtojmë se deri në fillim të këtij viti, para se të bëheshin zgjedhjet vendore në 14 maj, vajza e Ejell Radohinës, Griseld Radohina, ka qenë pjesë e këshillit të Bashkisë Shkodër. Ajo gëzonte atë status që në vitin 2015 dhe me postin që kishte, i siguronte babait tendera pa garë.

Ndërkohë, me prokurimin e fundit, Beci i shtoi listës së abuzimeve një tjetër tender me “Red Flag”, pasi këtë vlerësim e jep Open Data për shkak të riskut të korrupsionit, që mbart procedura. Me sa shohim, edhe pse e bija nuk punon më në bashki, biznesmeni ia ka gjetur anën kryetarit socialist Benet Beci.