SPAK sekuestron tokën e tjetërsuar nga Goro  për resortin e bashkëshortit “strategjik” të Xhaçkës

14
Sigal

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vënë nën sekuestro pasurinë e paluajtshme, e konturuar nga Bashkia Himarë, me sipërfaqe 5080 m2, të Artan Gaçit, bashkëshortit të OltaXhaçkës , për të ndërtuar resort si investitor strategjik. Ky vendim vjen në vijim të hetimeve, ku u arrestua kryebashkiaku në detyrë i Himarës, Jorgo Goro, i cili akuzohet se në bashkëpunim me vartës dhe zyrtarë të Kadastrës, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara kanë mundësuar kalimin e sipërfaqeve të konsiderueshme tokë shtet në Himarë, në favor të shoqërisë private të zotëruar nga Artan Gaçi. GJKKO me urdhër të SPAK ka vënë në sekuestro dhe tokën prej 5080 m2 që sipas SPAK u tjetërsua nga zyrtarët e bashkisë së Himarës dhe që ishte pjesë e 10 mijë metrave katrorë ku Artan Gaçi do të ndërtonte resortin turistik. Sipas SPAK, shtetasit nën hetim kanë tejkaluar të gjitha kompetencat që ligji i njeh, duke u shprehur për ekzistencën e një mbivendosje pasurish të paluajtshme në terren dhe më pas duke konfirmuar një plan vendosje, e cila nuk i korrespondon rrethanave faktike në terren. Nga hetimet ka rezultuar se e gjithë sipërfaqja e sekuestruar është pronësi shtet dhe rezulton të jetë tjetërsuar e më pas zhvilluar nga një subjekt privat.“Nga hetimi paraprak i kryer në kuadër të këtij procedimi penal ka rezultuar se, persona të cilët tashmë kanë pozitën procedurale të shtetasve nën hetim, kanë realizuar me veprime konkrete zhvendosjen faktike në terren të një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5 080 m2, duke ja mbivendosur atë një  pasurie tjetër në pronësi të shtetit. Shtetasit nën hetim kanë tejkaluar të gjitha kompetencat që ligji i njeh, duke u shprehur për ekzistencën e një mbivendosje pasurish të paluajtshme në terren dhe më pas duke konfirmuar një plan vendosje, e cila nuk i korrespondon rrethanave faktike në terren. Kjo planvendosje ka shërbyer jo vetëm për transaksionet e mëpasshme ndërmjet subjekteve të ndryshëm por edhe për zhvillimin e pronës, përfshirë këtu pajisjen me leje ndërtimi për një kompleks turistik në emër të një shoqërie tregtare, i cili do të ndërtohet mbi këtë sipërfaqe toke, por edhe mbi atë prej 5 512 m2 të sekuestruar më parë nga Prokuroria e Posaçme. E gjithë sipërfaqja e tokës bujqësore prej 10 592 m2, e cila i është nënshtruar procedurave të sekuestros preventive në dy faza, është në fakt pronësi shtet dhe rezulton të jetë tjetërsuar e më pas zhvilluar nga një subjekt privat.” – thuhet në njoftimin e SPAK.Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Oficerët e Policisë Gjyqësore të Policisë së Shtetit, kanë marrë masat për ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë së Posaçme datë  28.03.2024, nxjerrë mbi bazën e vendimit penal të mësipërm të marrë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.Hetimet për këtë çështje kanë nisur nga SPAK pas kallëzimit penal të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, FrediBeleri. Në mars të vitit 2022, Këshilli i Ministrave shpalli një vendimin për dhënien në përdorim të një zone bregdetare në Himarë për resortin “DreamadesLuxurySuites” për një periudhë 30-vjeçare. Sipas këtij vendimi, kompanisë  ‘AGTTC Hotel Management’ i jepet leje e përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit, që po ndërtohet në fshatin Gjilekë të bashkisë Himarë. Shpallja si investitor strategjik nga Këshilli i Ministrave i bashkëshortit të Ministres së Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka në atë kohë, ngriti shqetësime për konflikt interesi.