Ide së cilës duhet t’i caktohet përmbajtja

596
Sigal

INTERVISTA/ Akademik Rexhep Qosja në këtë intervistë ekskluzive shpalos pikëpamjet e tij për vitin 2012 dhe çfarë pritet për vitin që sa kemi hyrë

Në një moment kulmor të historisë kombëtare të shqiptarëve, sikurse ishte mbyllja e një kapitulli një shekullor të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, bashkëbisedimi me një personalitet të shquar të kulturës sonë, Akademikun Rexhep Qosja, merr një domethënie të veçantë. Në këtë intervistë ekskluzive në kapërcyell të viteve 12 dhe 13, Prof. Qosja shpalos pikëpamjet e tij se çfarë duhet të mbajmë mend dhe çfarë duhet të harrojmë nga viti që sapo kemi lënë pas dhe ku duhet t’i përqendrojmë synimet tona kombëtare në vitin që sapo kemi hyrë. Si gjithnjë, ai është tej mase kritik ndaj hipokritëve që luajnë me idenë e bashkimit kombëtar dhe parashtron opsionet dhe hullitë në të cilat duhet të ecin shqiptarët për realizimin e aspiratës së tyre kombëtare.

– Profesor Qosja, për çfarë duhet mbajtur mend viti 2012?

– Mendoni se për çka duhet mbajtur mend viti 2012 në botën në përgjithësi apo vetëm në jetën tonë – në jetën shqiptare?

– Në radhë të parë, për çfarë duhet mbajtur mend viti 2012 në jetën tonë kombëtare?

– Unë vetë Vitin 2012 do ta mbaj mend për një varg ngjarjesh, një varg të mirash e të këqijash, që kanë ndodhur në jetën tonë në këtë vit.

Do ta mbaj mend vitin 2012 për 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, që na e ktheu në mendje në mënyrë të veçantë të kaluarën e rëndë po të lavdishme të krijimit të Shqipërisë dhe që na nxiti më thellësisht të mendojmë për të sotmen dhe për të ardhmen tonë.

Do ta mbaj mend vitin 2012 sepse në këtë vit ka përfunduar mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës

Do ta mbaj mend vitin 2012 për shtimin e dukshëm të vendeve që e kanë njohur Kosovën shtet i pavarur dhe sovran.

Do ta mbaj mend vitin 2012 për lirimin e Ramush Haradinajt e dy bashkëluftëtarëve të tij prej Gjykatës së Hagës. Për Kosovën është ky vendim historik i gjykatës së Hagës.

Do ta mbaj mend vitin 2012 për vetëdjegien e dy protestuesve  – ish të përndjekur politikë në Tiranë, ndërsa kryeministri i Shqipërisë nuk pranonte të bisedonte me ta dhe ashtu t’i shpëtonte prej tragjedisë që pësuan. Ky krim i një qeveritari shqiptar në shekullin njëzet e një, si as vrasjet e 21 janarit, si as tragjedia e Gërdecit, nuk guxon të harrohet dhe, në qoftë  se Shqipëria do që bëhet shtet normal, nuk guxon të kalojë pa trajtim juridik gjyqësor.

Do ta mbaj mend vitin 2012 për primitivizmin e përshtrirë dhe të përthelluar në Seksionin e Gjuhës e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës që tregohet edhe si mosdurim, xhelozi dhe urrejtje ndaj më të  talentuarve dhe më të merituarve për t’u pranuar në këtë Akademi. Edhe kësaj here pronarët e Akademisë të mbledhur në këtë Seksion refuzuan të pranojnë krijuesit që kanë varg të gjatë veprash cilësore shkencore a letrare. Ata që e dinë gjendjen në krijimtarinë tonë shpirtërore e kanë të qartë se Adem Demaçi, Ramiz Kelmendi e Rexhep Hoxha, fjala vjen, që moti është dashur të jenë në këtë Akademi.

Ata që e dinë gjendjen në studimet tona albanologjike sot, ata e kanë të qartë se vetëm një vepër historiko letrare e Agim Vincës dhe vetëm vepra e fundit e Shefkije Islamajt për gjuhën e stilin e Gjergj Fishtës vlejnë sa e gjithë krijimtaria e disave bashkë që tani e sa vjet janë pronarë të asaj Akademie.

Do ta mbaj mend vitin 2012 edhe për vetëvrasjen a vrasjen e Dino Asanajt. Vetëvrasja a vrasja e tij, prej njerëzve që mendojnë me kokë të vet, është parë si krim mafie i përgatitur më gjatë dhe ka sjellë pasiguri në Kosovë. I kemi lexuar gazetat që i kanë bërë shumë shantazhe të poshtra! I pamë, edhe njerëzit që po ashtu i kanë  bërë shantazhe. Tragjedia e tij, megjithatë, po harrohet! A në kësi shteti që i mbulon, i fsheh, krimet dhe kriminelët duhet të jetojmë, a?

Do ta mbaj mend vitin 2012 edhe për rënien politike dhe shoqërore që në institucionet politike e shtetërore tregojnë ish të burgosur politikë duke i kaluar në heshtje edhe disa të këqija të rënda që po ndodhin në jetën tonë, në njërën anë, kurse duke u kapardisur me privilegjet e shumëllojshme, që po gëzojnë edhe vetë, në anën tjetër.

Besoja se ata nuk do t’i heshtin të këqijat që mund të ndodhin në Kosovë; besoja se ata nuk do të pajtohen që kuadro të Millosheviçit, e tani kuadro politike e shtetërore të Kosovës, do të arrijnë të bëhen edhe anëtarë të Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës; besoja se ata nuk do të lejojnë që vetje me jetëshkrime të dyshimta politikisht, që asnjë të mirë s’ia kanë bërë Kosovës, të bëhen deputetë, këshilltarë zyrtarësh më të lartë apo, madje, edhe diplomatë; besoja se ata nuk do të lejojnë që zyrtarë të regjimit të Millosheviçit në Kosovën e pas 1981-it dhe “luftëtarët” e paepur kundër UÇK-së dhe luftës çlirimtare, të arrijnë të “pastrohen” rrënjësisht dhe të bëhen “shpëtimtarë” të Kosovës prej atyre që e kanë çliruar dhe bërë shtet! Dhe, ky besim që kisha në ta, në ish të burgosurit politikë, dikur më bënte t’i mbroja prej atyre që u vinin gjithfarë etiketash dhe shkruanin kundër tyre si kundër armiqve të popullit! E shoh se paskam pasur shumë iluzione për ta, për përkushtimet e tyre ndaj të drejtës, të vërtetës dhe demokracisë!

– Me çfarë note e vlerësoni Qeverinë e Kosovës; LDK; AAK dhe Lëvizjen Vetëvendosje?

– Nuk pranoj t’i vlerësoj me farë notash ato institucione politike e shtetërore dhe ato parti për punën e të cilave duhet të bëhen përimtime më të hollësishme politike, ekonomike, sociale e të tjera.

– Ditëve të fundit vërehet një përafrim në mes të PDK-së dhe AAK-së. A i duhet Kosovës një koalicion i tillë qeverisës?

– Nuk mund ta di, prandaj s’mund të them gjë, a po ndodh vërtet ai farë përafrimi në mes të këtyre dy partive, që do të sillte koalicion tjetër qeverisës në Kosovë. Por, mund të them diçka tjetër. Mund të them se lirimi i Ramush Haradinajt si i pafajshëm nga Gjykata e Hagës me shumë të drejtë i ka gëzuar të gjithë shqiptarët e, natyrisht, edhe mua. Atij, Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt me disa të tjerë u takoi të durojnë padrejtësi të madhe, shumë rënduese për ta dhe për familjet e tyre. Lirimi i Ramushit është ngjarje shumë e rëndësishme për të, për familjen e tij dhe për gjithë Kosovën. U dëshmua edhe kështu, edhe njëherë, ajo që dihej: lufta jonë çlirimtare ishte e drejtë, ishte luftë mbrojtëse, luftë edhe etikisht e lartë në të cilën respektoheshin ligjet ndërkombëtare për luftën. Por, duhet të them: ky gëzim që me lirimin e tij na ka sjellë të gjithëve, nuk i jep të drejtë tani Ramush Haradinajt të tregojë jomodestinë që po e tregon me disa kërkesa politike. Ne kemi një kryeministër dhe kemi një koalicion që prej formimit është treguar si koalicion i qëndrueshëm. Kryetari i AAK-së po pretendon të bëhet kryeministër i Kosovës, dhe vetëm kryeministër, përmes një procedure vrapuese jodemokratike, që përmban fyerje për koalicionin ekzistues. Dhe, për votuesit e zgjedhjeve të kaluara.

Si të gjithë aspiruesit për poste të larta politiko-shoqërore në Kosovë edhe Ramushi do të duhej të tregohej demokrat e t’i presë zgjedhjet e ardhshme në të cilat votuesit do të duhej të vendosnin edhe për kryetar , edhe për kryeministër të Kosovës. Të gjitha kombinimet e tjera pas perdes e cenojnë demokracinë edhe ashtu të brishtë në Kosovë.

– Kosova gjatë vitit 2012 ka hyrë në dialog politik me Serbinë në Bruksel. Çfarë do të humbë e ç’do të fitojë Kosova nga ky dialog?

– Ky dialog, zhvillimi i tij, përfundimet e tij, në masë të madhe varen prej atyre që e kanë kërkuar: prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe prej Bashkimit Evropian. Kosova tani është shtet, shtet i pavarur dhe si shtet i pavarur e sovran, pos pajtimeve duhet të dijë të shprehë edhe mospajtime, më në fund edhe siç po bën tani, në disa raste, Qeveria  jonë. Me një vendosmëri të tillë mospajtuese për kërkesat e Serbisë, edhe në qoftë se disa prej tyre mund të mos refuzohen qartë prej ndërkombëtarëve, Kosova nuk ka çka humb në këto bisedime.

– Serbia vazhdon të nxjerrë plane kundër shtetit të Kosovës, siç ishte edhe platforma, ku, ndër të tjera, kërkohet autonomi për veriun, shuarja e FSK-së e të tjera.

– Platforma e fundit e Serbisë për Kosovën është përmbledhje  e ëndrrave të Serbisë për Kosovën. Këtë e dinë edhe vetë politikanët e intelektualët serbë dhe këtë disa prej tyre edhe po e thonë haptazi. Vetëm prej një kërkese të tyre unë kam drojë: prej kërkesës për autonomi të Veriut të Mitrovicës. Evropa dhe SHBA-të parimisht më shpesh janë treguar përkrahëse sesa refuzuese ndaj autonomive të pakicave kombëtare, që kanë vazhdimësi gjeografike me shtetin e tyre amë.

Dua, megjithatë, ta theksoj mendimin që për këtë kërkesë të serbëve e kam shprehur edhe njëherë: autonomia e pjesës Veriore të Mitrovicës për Kosovën do të ishte çka ishte Kosova për Serbinë deri në vitin 1999. Atë autonomi në asnjë mënyrë nuk guxojmë ta pranojmë.

– Pse? Sa është me rrezik nëse Çështja e Veriut kërkohet jashtë Pakos së Ahtisarit.

– Ish kryetari i Finlandës, Ahtisari, politikan e shtetar me përvojë të madhe politike shtetërore, me ekipin e ekspertëve të tij me të cilët e ka bërë të ashtuquajturën Pako për Kosovën, e ka ditur se sa e rrezikshme do të ishte autonomia e Veriut për Kosovën, prandaj e ka bërë Planin ashtu si e ka bërë i cili, ç’është e vërteta, u krijon serbëve të shtetit të Kosovës disa privilegje kolektive që pakicat kombëtare nuk i kanë në asnjë shtet në Ballkan. Ajo autonomi do të mund të bëhej shkaku i luftës së ardhshme me Serbinë!

– Pse vazhdoni të insistoni për shkëmbim të territoreve?

– Nuk është e nevojshme t’i përsëris ato që i kam shpjeguar në disa biseda të përparme. Por, të shtoj: droja që kam prej autonomisë së pranuar apo, madje, edhe prej autonomisë së papranuar çfarë është realisht ajo sot e serbëve të Veriut, më nxit të kem koncept për shkëmbim territoresh. Unë nuk jam i gatshëm të besoj në paqësimin e serbëve të Veriut. E kanë Serbinë ngjitur pas shpinës e Serbia me Kishën e saj dhe me mitologjinë e saj të Kosovës do të jetë gjithmonë ajo që ishte! Janë disa të ashtuquajtura konstante historike që nuk ndryshojnë lehtë e disa prej të cilave nuk ndryshojnë , pothuaj, kurrë!

– Gjatë vitit  2012 sikur janë shtuar zërat si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë për bashkim kombëtar. Cili është komenti juaj?

– Po, gjatë vitit 2012, sidomos, në pjesën e dytë të këtij viti, u shtuan shumë zërat për bashkim kombëtar. Në Shqipëri u shtuan edhe më shumë se në Kosovë. Dhe, ky shtim i zërave për bashkim kombëtar në Shqipëri sikur nuk dukej shumë i natyrshëm për dy arsye: e para, sepse ishte shumë i zhurmshëm dhe, e dyta, sepse viteve të mëparme, me përjashtim të zërave të çmuar të disa intelektualëve, zëra të njerëzve politikë për bashkim kombëtar thuajse nuk dëgjoheshin. Në mënyrë të veçantë këtyre zërave tani u dha zjarr kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Ai që me vite të tëra idenë e bashkimit kombëtar përpiqej ta komprometonte duke e njëjtësuar me idenë e Shqipërisë së Madhe, përnjëherë u pushtua prej deliriumit të bashkimit kombëtar! Ishte ky në të vërtetë një aktrim i tij kiç nacionalist për të “asgjësuar”  portretin politik të Aleancës Kuqezi dhe për të testuar elektoratin. Ishte kjo një prej djallëzive të tij të radhës me të cilat e vë në sprova, kur e kur duke e përqeshur, opinionin shqiptar. Mbasi ia ngrehën fort veshin ndërkombëtarët, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian, ai hoqi dorë prej deliriumit të aktruar. Por, dëmi që bëri me atë delirium, me atë kiç politikë, me atë, si e tha dikush para meje, turbofolk nacionalizëm, mbeti i shënuar në SHBA e në BE. Me të ai i kontribuoi edhe dështimit të Shqipërisë për të  marrë statusin e kandidates për Bashkimin Evropian.

(Vijon në numrin e ardhshëm)