Spaho-Ramës: Mjaft aktrove si klloun, publiko kontratat e tenderave sekretë

322
Sigal

Pasi kryeministri Rama hodhi poshtë akuzat e Partisë Demokratike për tenderat sekretë për blerjen e materialeve për përballimin e situatës së shkaktuar nga koronavirusi, nënkryetari i PD, Edmond Spaho, thotë se kreu i qeverisë duhet t’u përgjigjet seriozisht shqiptarëve.

Sipas Spahos, qytetarët sot nuk kanë marrë ende ndihmën që qeveria ka për detyrim ligjor t’ua japë.

Reagimi i plotë i Spahos:

Rama dhe qeveria e tij vazhdojnë të tallen dhe të përqeshin shqiptarët. Në ditët më të vështira për qytetarët, ai harxhon kohën për të bërë montuar video dhe aktruar si klloun.

Në fakt i mjaftojnë 2 minuta që të publikojë kontratat e tenderave sekretë. Kaq mjafton që t’u përgjigjet seriozisht denoncimeve të PD dhe të media dhe që shqiptarët të njihen me vjedhjen që kryeministri dhe qeveria e tij kanë bërë dhe në këto kohë krize.

Shqiptarët sot nuk kanë marrë ende ndihmën që qeveria ka për detyrim ligjor t’ua japë. Varfëria kërcënon çdo ditë e më shumë familjet dhe zbraz tavolinat e shqiptarëve. Bizneset po falimentojnë dhe papunësia po rritet çdo ditë. Por Edi Rama dhe qeveria e tij nuk e kanë fare në plan të merren me hallet e shqiptarëve. Halli i tyre i vetëm është të ruajnë paratë e oligarkëve.

Shqiptarët vuajnë, ekonomia vuan, Edi Rama bën kllounin dhe sulmon opozitën për të fshehur varfërinë dhe krizën ekonomike që po pllakos çdo ditë e më shumë mbi qytetarët dhe Shqipërinë.