Sot PD, protestë për “Krimin Doshi”, pas 3 ditësh 7-vjetori i “Krimit Gërdec”

849
Sigal

Sot, PD organizon një protestë kundër maxhorancës qeverisëse “Rama”, me kërkesën për largimin nga posti, të Kryeparlamentarit Meta. Kjo protestë, ka si sebep deklarimin e deputetit Doshi, sipas të cilit “kanë dashur ta vrasin në atentat, me porosi të Kryeparlamentarit”. Siç është deklaruar këto ditë, protesta do të ketë si simbol çështjen “Doshi”, nëpërmjet të cilës do kërkohet largimi i kreut të Kuvendit dhe rrëzimi i qeverisë. Prej 1 jave, PD po bën thirrje për luftë kundër krimit shtetëror, kundër krimit politik, kundër krimit të rrugës, kundër korrupsionit shtetëror, kundër përfshirjes së shtetarëve në krime e korrupsion. Këto thirrje “anti-krim” e “anti-korrupsion”, PD do t’i përsërisë me zë e me parulla edhe gjatë protestës. Sot të enjten, që zhvillohet protesta “anti-krim” kundër qeverisë “Rama-Meta” është data 12 mars 2015. Në këtë protestë, në krye të saj, do të jenë ish-ministra, deputetë e ish deputetë të PD-së, familjarë të drejtuesve të PD-së. Në krye, patjetër që do të jetë edhe ish-Kryeministri Berisha, njeriu që duket qartë, se është ideatori, vendimmarrësi dhe frymëzuesi i zhvillimit të kësaj proteste. Të gjithë këta, do të flasin kundër krimit e korrupsionit, do të denoncojnë “Krimin Doshi”.

Pas 3 ditësh është data 16 mars 2015. Siç dihet, në datën 15 mars 2015, ndodhi krimi i rëndë i Gërdecit. Në këtë datë, sipas informacionit që kemi, do të bëhet një protestë nga 26 familjet e 26 viktimave të kësaj tragjedie, të cilët do të përkujtojnë 7-vjetorin e “Krimit Gërdec”, duke kërkuar drejtësi. Është një krim i rëndë, shkaktuar prej një krimi ekonomik që kishte për bazë trafikun e municioneve, si biznes i djalit të ish-Kryeministrit Berisha, mbështetur shtetërisht me leje biznesi, shkresa, mjete, ligje, me ushtri e polici, me financime, vendime e urdhra nga parlamenti, qeverisja dhe ministrat e tij. Në atë krim u vranë 26 persona, mes tyre edhe fëmijë “djepi”, të mitur punëtorë në demontim municionesh, nxënës shkollash e nëna! Edhe atëherë u bë protestë “anti-krim”. U gjymtuan 56 persona. U plagosën 342 persona. U shkatërruan 3000 banesa e biznese. U “helmua” me municion të djegur e me rrezatim radioaktiv 125 hektarë tokë buke. Edhe atëherë, siç na kujtohet u kërkua largimi nga posti kryeministror, i babait të djalit që kishte në pronësi biznes-trafikun vrasës masiv të Gërdecit. U kërkua, sepse i biri i ish-Kryeministrit që sot bën thirrje për luftë kundër krimit shtetëror, me biznes-trafikun e tij, kishte vrarë 26 persona, të cilët i përdorte ilegalisht si skllevër në fabrikën që kishte ngritur në emër të fuqisë së babait kryeministër! Por babai kryeministër, nuk e lëshoi kolltukun kryeministror. Përkundrazi e “konvertoi” me dorëzimin e kolltukut të ministrit që kishte vënë në dispozicion të djalit të tij depot me municione, makinat e transportit, gjeneralët e ushtrisë, specialistët e armatimit, administratën e Ministrisë së Mbrojtjes, aeroportin shtetëror dhe avionët e transportit ushtarak, që trafikonin municionet e gjithçka. Edhe atëherë, pati video që tregonin me zë e me figurë “Krimin e Gërdecit” kur bëhej e kur “plasi”. Por videot nuk u morën për bazë nga babai kryeministër, nuk u pranuan as për “arkiv” nga drejtësia. Ato u quajtën “paçavure politike” nga “familja” e biznes-krimit të Gërdecit, aq sa kryefamiljari kryeministër “nuk njohu si fytyrë” në video as baxhanakun, kryefamiljarja nuk njohu as burrin e motrës, fëmijët nuk njohën as burrin e tezes, edhe ky viktimë e “Krimit të Gërdecit”. Edhe për “Krimin e Gërdecit” pati akuzues, por u quajtën “shpifës” dhe nuk u përfillën. Edhe atëherë pati dëshmitar, që deklaroi se autor i “Krimit të Gërdecit” ishte djali i kryeministrit, por 7 muaj pas denoncimit të krimit që sot mbush 7 vjet, u gjend i vrarë “aksidentalisht me makinë, gjatë një gjuetie zogjsh”. Ai që bëri krimin me biznes-trafikun e tij, nuk u thirr nga drejtësia, edhe pse akuzohej vetëm ai. Sot, pas 7 vitesh tragjedi, “personazhet” e “Krimit të Gërdecit”, duke tundur në duar skenarin e “Krimit Doshi”, të filmuar nga vetë “viktima” Doshi, me personazh atentatorin “aktor” të intervistuar, kapardisur në kolltuk nga vetë “viktima” Doshi, të akuzuarit dhe të paprekurit e 15 marsit të “Krimit të Gërdecit”, po ulërijnë në Parlament kundër “Krimit Doshi”. Ka një dallim mes personazheve të skenarit imagjinar të “Krimit Doshi” që mbeti ideim në letër që nuk vrau asnjë dhe krimit real të Gërdecit, që vrau 26 persona. Ata që u përfolën për skenar të “Krimit Doshi” ministër i Brendshëm, Kryeministër, deputetë, kryetar kuvendi etj., u thirrën nga drejtësia dhe qëndruan “gatitu” përpara saj. Ata që u akuzuan për organizimin e “Krimit të Gërdecit”, nuk i thirrën e nuk shkuan përpara drejtësisë për të dhënë shpjegime. Përkundrazi, vazhduan të ishin kryeministër, ministër, deputetë, kryetarë partie, biznesmenë trafiqesh në troje, energji, koncesione, licenca, emërime ministrash, caktues deputetësh. Edhe sot pas 7 vitesh vazhdojnë të jenë deputetë, madje aq të guximshëm, sa edhe 3 ditë përpara 7-vjetorit të krimit të tyre të Gërdecit, dalin e protestojnë kundër skenar-krimit imagjinar “Doshi”, të cilin po e përdorin si “kartë” për të riardhur në pushtet…!

Ja 26 viktimat e “Krimit të Gërdecit”, që do përkujtohen pas 3 ditësh

 1. Qemal Deliu

2. Kore Deliu

3. Liljana Deliu

4. Jetmir Deliu

5. Flavio Deliu, 3 vjeç

6. Hysen Cani

7. Muhamet Hoxha

8. Besim Çanga

9. Roland Alla

10. Reshit Kruja

11. Mehmet Hazizi

12. Bukurie Cani

13. Arben Hasa

14. Zilie Kaca

15. Endri Dvorani

16. Shefki Cani

17. Zelije Leti

18. Ilirjan Malci

19. Shqipe Hasa

20. Azem Hamolli

21. Nafije Laçi

22. Zylfije Ahmeti

23. Erison Durda, 10 vjeç

24. Rajmonda Durda

25. Jetmir Ballazhi

26. Resmie Kranja

 Ja 28 të dënuarit e Gërdecit, asnjë nga autorët dhe organizatorët

 1. Ylli Pinari

2. Sokol Ngjeçi

3. Dritan Minxolli

4. Mihal Delijorgji

5. Luan Hoxha

6. Shkëlzen Madani

7. Dashnor Caushi

8. Armand Tartari

9. Agim Lala

10. Ardian Mullahi

11. Hilmi Laçaj

12. Ndue Marku

13. Shpëtim Spahiu

14. Zija Bahja

15. Agim Babameto

16. Rezart Tërshana

17. Besnik Dauti

18. Fatbardh Kuçi

19. Gëzim Oshafi

20. Jorgo Mino

21. Denis Hajdari

22. Fari Toska

23. Zenun Fero

24. Hysni Çocka

25. Adriatik Mema

26. Juliana Margariti

27. Lavdi Shatro

28. Fiqiret Mato

Përparim HALILI