Prof. Dr. Paskal Milo: Sistemi politik shqiptar është i kalbur. Këtë vërteton çështja “Doshi” dhe deklarata e SHBA-ve

405
Sigal

Prof. Dr. Paskal Milo, në intervistën për gazetën “Telegraf duke analizuar aktualitetin politik, pohon se politika në këtë Shqipëri gjysmë demokratike që kemi, ka folur atëherë kur nuk duhet të fliste dhe ka heshtur atëherë kur duhet të vepronte, ndaj edhe akuzat e Doshit shoqërohen vetëm me zhurmë, me sulme, sepse, siç pohon Prof. Milo, politika jonë nuk ka kulturë demokratike, nuk ka respekt për institucionet shtetërore dhe të drejtësisë. Prof. Milo, me përvojën e tij të gjatë politike, pohon se politika jonë nuk ka vullnetin të bëjë autokatharsin, sepse do të duhej që të shkonin në bankën e drejtësisë përgjegjësit politikë “që kanë çuar Shqipërinë shpesh herë në greminë”. Për protestat e sotme të PD-së, prof. Milo shprehet se opozita e PD-së gjithnjë ka qenë e dhunshme “sepse frymëzuesi, organizatori i kësaj opozite është po i njëjti. Ai nuk mund të ndryshojë, sepse ai vetë është rritur me konfliktin”.

 -Prof. Milo, kur ende prokuroria dhe gjykata nuk kanë dhënë asnjë gjykim për akuzat e deputetit Doshi, a duhet të flasë politika?

– Politika në këtë Shqipëri gjysëm demokratike dhe gjysëm anarkiste, ka folur më tepër, atëhere kur nuk duhej të fliste dhe nuk ka folur, atëhere kur duhej të fliste dhe të vepronte. Ndaj, edhe nuk duhet çuditur, pse ka një zhurmë kaq të madhe ndaj një veprimi të paralajmëruar politik, siç ishte edhe akuza plot me të panjohura, e deputetit Tom Doshi. Mendimi im është se keto ngjarje ndodhin , sepse, para së gjithash, në Shqipëri nuk ka një kulturë të vërtetë demokratike dhe nuk ka respekt për institucionet shtetërore. Ende në Shqipëri ekziston kultura, nëse do ta quajmë të tillë, e komunizmit, ku ligjin  e drejtësinë e bënte PPSH-ja, dhe  institucionet e drejtësisë nuk ishin gjë tjetër, veçse instrumente të saj. Ky mentalitet komunist, ekziston edhe sot në politikën shqiptare, në të gjitha partitë, sidomos te liderët e tyre, të cilët mendojnë se ata duhet të thonë fjalën e fundit për gjithçka që ndodh në Shqipëri. Në një shtet normal demokratik, politika, duhet që nga fillimi e deri në fund të heshtë dhe drejtësia të veprojë pa anësi, me objektivitet, siç i takon një shteti të mirëfilltë ligjor. Për fat të keq, ne Shqiperi flitet shumë, ka përbetime dhe fjalime pa fund për drejtësi,  për reformën e saj, por që me të është luajtur dhe luhet sipas interesit. Kur është dashur, po kjo politikë, që sot vlerëson integritetin e drejtësisë,  veçanerisht  te institucionit të prokurorisë,  e ka akuzuar ate  dhe drejtuesit  të saj me terma rrugaçërore.

– Ku e keni fjalën, konkretisht?

– Çështja, që aktualisht po administrohet  e hetohet nga prokuroria, ka marrë dimensione të gjera publike. Edhe sikur të mos rezultojë në një vendim konkret, tashmë  shumica e shqiptareve kane arritur ne nje perfundim:  Sistemi politik shqiptar është i kalbur. Këtë vërteton çështja “Doshi”. Nuk mund t’i bënte kjo çështje shërbim më të madh Shqipërisë, se sa të dëshmonte këtë kalbëzim të sistemit. Është vetëm një simtomë e një sëmundjeje kanceroze, që ekziston në jeten politike ne Shqipëri. Është  një sëmundje që po qe se do hetohet më thellë, do të mund të nxjerrë atë ç’ka po flitet  në qarqe të mbyllura të politikës, të diplomacisë ndërkombëtare, por edhe të medias, se një pjesë e madhe e deputetëve të këtij Kuvendi, janë të inkriminuar. Por nuk eshte vetem ky tregues i kësaj kalbësie të këtij sistemi.

– Cilët janë treguesit e tjerë?

– Eshte edhe  mënyra sesi po funksionojnë partitë politike, si një segment qëndror i sistemit politik. Nuk ka demokraci të brendshme. Në ato parti, që kanë në dorë vendimmarrjen politike dhe ate qeverisese nuk ekziston realisht demokracia e brendshme. Ekziston vetëm kulti dhe pushteti okult i liderëve të partive politike. Përtej vendimmarrjes së tyre, që në dukje mund të jetë demokratike, ose që mund të ketë edhe elementë butaforikë demokratikë, ka një ushtrim pushteti të pakufizuar. Gjatë këtij çerek shekulli e gjysëm demokracie, u krijua një sistem politik hibrid,  në dukje demokratik, por në thelb, po kaq autokratik, sa mund të krahasohet vetëm me disa nga shfaqjet më tipike të kohës së komunizmit.

– A mund të themi që politika ka vullnetin të bëjë (auto)katharsin nga  inkriminimi?

– Politika me vullnet të lirë nuk e bën dot këtë proces spastrimi, sepse duhet të fillojë nga vetja. Duhet të bëjë vetëgjyqësinë,  përpara se të tregojë gishtin te të tjerët. Këtë vend e kanë qeverisur në 24 vite  PD-PS. Në gjithë këtë periudhë qeverisje, që ka edhe dallime nga qeverisja në qeverisje, janë marrë një numër vendimesh kapitale dhe janë bërë politika,  të cilat u kanë kushtuar shumë shqiptarëve. Thjesht, për rrjedhojat që ato kanë patur në zhvillimet shqiptare, në thyerjet e mëdha politiko-sociale, deri në vënien në dyshim të ekzistencës së shtetit, korupsion të tejskajshem e pasurim të paligjshem e deri në vrasjet masive e mafioze. Kjo ështe një hipotekë kriminale në kurrizin e politikës. Por deri sot asnjë politikan i nivelit të lartë nuk ka përfunduar prapa hekurave, siç ka ndodhur në vende të ndryshme demokratike, por edhe fqinje.  Si mund të kesh besim te një klasë e tillë politike, që ka nëpërkëmbur Shqipërinë dhe  që është përgjegjëse për një numër fatkeqësish kombëtare? Përse shqiptarët këtej e tutje duhet të kenë besim  në një politikë të tillë? Jam i bindur se politika sot, kurrë nuk do të ketë vullnetin që të pastrojë veten, sepse klubet politike rivale nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga pushteti, por, përkundrazi jane gati ta zhysin në kaos vendin për hir të kësaj lufte për pushtet e fitime të paligjshme.

– A mjafton vetëm spastrimi i tyre nga e keqja?

– Jo, nuk mjafton, por ka shumë rëndësi që të ndërtohet një bazë ligjore e ndershme demokratike, europiane, për të funksionuar sistemi dhe i tërë mekanizmi politik. Nëqoftëse bëhen ligje elektorale, si ky që ekziston tani, që është tipik i paragjykuar, që është tipik në favor të dy partive të mëdha, nuk mund të ndërtohet një sistem politik  qe garanton shanse të barabarta në garën elektorale, që është themeli i tij. Sistemi politik shqiptar kërkon një operacion të thellë,  por kjo nuk mund të bëhet nga aktorët kryesorë aktualë politikë.

– Produkt i kujt janë elementët kriminalë në politikën shqiptare?

– Produkt i mjedisit të ndotur e korruptiv politik. Partitë politike kanë rekrutuar, e  kanë mobilizuar, një numër njerëzish, merita e vetme e të cilëve, deri tani, ka qënë se janë “të fortë “, se janë të lidhur me qarqe  kriminale, se kanë para, burimi i së cilave shpesh është i dyshimtë. Nuk ka përgjegjës tjetër, veç atyre që këta njerëz, i kanë futur nëpër lista të mbyllura, i kanë inkurajuar në mënyrën sesi ato bëjnë politikën provinciale, në emër të grumbullimit të sa më shumë votave, të vjedhjes së tyre.

Prof. Milo, përderisa problemi janë pikërisht listat e mbyllura të kandidimit, që ka monopol kryetari i partisë, përse anashkalohet ky problem, së pari nga kryetarët e PD-PS?

– Nëse ju kujtohet, në gjashtëmujorin e parë të 2013-s, para zgjedhjeve parlamentare, PDS-ja kryesoi së bashku me PR-në një lëvizje për të demokratizuar sistemin zgjedhor, për të bërë ndryshime në Kodin Zgjedhor, duke qënë të bindur të gjithë, që ndryshimet që u bënë në 2008, ishin të qëllimshme, të gabuara dhe sollën ato rrjedhoja, që ne i paguajmë sot të gjithë bashkë. Po përkundrejt, sensibilizimit të opinionit publik, dhe me gjithë shfaqjen teatrale të firmosjes të atij dokumenti të përbashkët të 26 partive politike që i bënte thirrje komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore, që të bënte ndryshime, përfshirë këtu, edhe për listat e mbylluara, në fund ishin po PD-PS, qe i  bllokuan  ndryshimet, sepse nuk i donin dhe nuk i duan. Një nga elementët më antidemokratik të sistemit, të Kodit dhe që ndikon shumë në këtë përbërje të këtij  parlamenti,  eshte pikërisht fanatizmi, me të cilin mbrohen listat e mbyllura. Kryetarët e partive parapëlqejnë më mirë bosë të pasuruar në mënyrë të dyshimtë e me diploma “ Kristali” e “ Vitrina” se sa intelektualë të çertifikuar nga opinioni publik. Të parët karriken e parlamentit e kanë biznes si gjithë bizneset e tjera të tyre. E këmbejnë atë në emër të fitimit. Të dytët, janë afër politikës për nga profesioni e kultura, por janë problematikë për kryetarët e partive për shkak të moskonformizmit.

– Duke u nisur nga pohimet tuaja, po kultivohet në shoqërinë tonë perceptimi që shpëtimin nga inkriminimi i politikës do ta kemi vetëm nga ndërhyrjet e faktorëve ndërkombëtarë, e sidomos, nga SHBA-të. E drejtë kjo?

– Unë nga përvoja ime politike e  ajo diplomatike mendoj se është në turpin e politikës shqiptare dhe të institucioneve tona, që një përfaqësi diplomatike, shumë e nderuar dhe e respektuar nga shqiptarët, siç është ambasada amerikane, të na tregojë sesi duhet të sillemi, si të veprojmë, se çfarë duhet të bëjmë dhe si duhet ta bëjmë. Kjo është një tregues i mjerimit dhe i kalbësirës se politikes shqiptare. Në një vend tjetër europian, misioni diplomatik i SHBA-ve nuk do të mund të guxonte të ndërhynte dhe të jepte mesazhe të tilla, sepse nuk do të lejohej ta bënte një gjë të tillë. Por në Shqipëri, për fajin, për përgjegjësitë e politikës shqiptare,  është lejuar që partnerët tanë, miqtë tanë të ndërhyjnë. Ata bëjnë mirë që ndërhyjnë, bëjnë mirë që nënviziojnë edhe emra të veçantë, sepse kështu japin mesazhin e qartë që ku jemi, cilët jemi, sa vlejmë. Unë, në parim, nuk pajtohem me mënyrën shpesh kaq të hapur me të cilën SHBA-të japin mesazhe  politikës shqiptare, apo edhe shqiptarëve në përgjithësi, por nga ana tjetër, kur shikoj, që nuk funksionon shteti ligjor, nuk funksionon demokracia, sistemi politik, kur shoh që ligjin e bëjnë njerëzit e veshur me pushtet dhe të korrupruar, njerëzit e kriminalizuar, që kanë arritur deri në nivelin më të lartë politik dhe legjislativ, siç është Kuvendi, atëhere, nuk ka tjetër shpresë shpëtimi, veç t’u kërkojmë ndihmë, gjykim dhe orientim partnerëve. Pra, në këtë gjendje është Shqipëria. Duhet të flasë ambasadori amerikan, cilidoqoftë, që të drejtpeshohen edhe qeveritarët, edhe politikanët. Ky është mjerimi i politikës shqiptare.

Opozita e PD-së ka qenë gjithnjë e dhunshme, sepse fryemëzuesi është rritur me konfliktin

– Duke u nisur nga pohimet tuaja, po kultivohet në shoqërinë tonë perceptimi që shpëtimin nga inkriminalizimi i politikës do ta kemi vetëm nga ndërhyrjet e faktorëve ndërkombëtarë, e sidomos, nga SHBA-të. E drejtë kjo?

– Unë nga përvoja ime politike dhe nga ajo diplomatike mendoj se është në turpin e politikës shqiptare dhe të institucioneve tona, që një përfaqësi diplomatike, shumë e nderuar dhe e respektuar nga shqiptarët, siç është ambasada amerikane, të na tregojë sesi duhet të sillemi, si të veprojmë, se çfarë duhet të bëjmë dhe si duhet ta bëjmë. Kjo përveçse është një tregues i mjerimit dhe i kalbësirës shqiptare, nuk mund të justifikohet ndryshe, sepse në një vend tjetër europian, misioni diplomatik i SHBA-ve nuk do të mund të guxonte të ndërhynte dhe të jepte mesazhe të tilla, sepse nuk do të lejohej ta bënte një gjë të tillë. Por në Shqipëri, për fajin tonë, për përgjegjësitë e politikës shqiptare, për gjithçka ka dëshmuar deri tani, është lejuar që partnerët tanë, miqtë tanë të ndërhyjnë. Ata bëjnë mirë që ndërhyjnë, bëjnë mirë që nënviziojnë edhe emra të veçantë, sepse kështu japin mesazhin e qartë që ku jemi, cilët jemi, sa vlejmë. Unë, nga njëra anë, nuk pajtohem me mënyrën shpesh kaq të hapur me të cilën SHBA-të i japin mesazhe  politikës shqiptare, apo edhe shqiptarëve në përgjithësi, por nga ana tjetër, kur shikoj, që nuk funksionon shteti ligjor, nuk funksionon demokracia, sistemi politik, kur shoh që ligjin e bëjnë njerëzit e veshur me pushtet dhe të korrupruar, njerëzit e kriminalizuar, që kanë arritur deri në nivelin më të lartë politik dhe legjislativ, siç është Kuvendi, atëhere, nuk ka tjetër shpresë shpëtimi, veç t’u kërkojmë ndihmë, gjykim dhe orientim partnerëve. Pra, në këtë gjendje është Shqipëria. Duhet të flasë ambasadori amerikan, cilidoqoftë, që të drejtpeshohen edhe qeveritarët, edhe politikanët. Ky është mjerimi i politikës shqiptare.

– A ka kauzë politike  protesta e sotme të PD-së?

– Protesta e sotme e PD-së nuk ka kauzë. Është në stilin e logjikës, filozofisë dhe të veprimit politik 25 vjeçar, që ka patur PD-ja, sa herë që ajo ka kaluar në opozitë. Opozita e PD-së ka qënë gjithmonë e dhunshme, ekstreme, problematike, sepse frymëzuesi, organizatori i kësaj opozite është po i njëjti. Ai nuk mund të ndryshojë, sepse ai vetë është rritur me konfliktin, është rritur me pushtetin O KULT, është rritur me kontrollin e institucioneve shtetërore dhe kur të gjitha këto, i mungojnë, atëhere ai bën çmos, ose t’i rimarë, ose t’i shkatërrojë. Nuk ka rrugë tjetër. Dhe protesta e sotme, nuk është protest e një opozite demokratike, që ka drejtuar shtetin për 8 vjet dhe që e kupton mirë vështirësitë që ka ky vend dhe i kupton mirë kërkesat, që ka BE-ja, kushtet që na ka vënë, për t’i plotësuar ato për integrimin tonë.

– A ka arësye politike për të protestuar?

– Por kjo nuk do të thotë që vendi nuk ka probleme. Kjo nuk do të thotë që qeverisja aktuale është për t’u duartrokutur. Kjo nuk do të thotë se reformat, për të cilat po flitet kaq shumë, janë të suksesshme, se në thelb po zbatohen, ashtu siç u projektuan në letër. Por kritikat ndaj qeverisë duhet të bëhen atje, ku e kanë vendin, në parlament dhe jo në rrugë. Po u zhvendos politika në rrugë, kjo pastaj inkurajon të gjitha segmentet që jetojnë në rrugë, që veprojnë në rrugë, natën dhe ditën, Dhe dihet, që po u inkurajuan këto segmente të errta të shoqërisë tonë, këto segmente kriminale, që nuk mungojnë, por që kërkojnë shkak që të hidhen në aktivitete të paligjshme, atëhere, mendon se çfarë rrjedhoja mund të ketë në Shqipëri? Shqiptarët nuk kanë harruar, se si rezultat i inkurajimit të këtyre segmenteve kriminale, gjatë këtyre 25 vjetëve, Shqipëria ka vuajtur shumë dhe imazhi i saj është dëmtuar rëndë, prandaj këto grumbullime masive, gjoja në emër të protestës demokratike, për politika antisociale, ose për shkelje të demorkacisë, ose qoftë edhe për arësye të mbështetura, nuk kanë të bëjnë realisht me thelbin demokratik, që duhet të ketë një demonstrim paqësor i opozitës. Ato janë një mënyrë tepër e vjetëruar, e luftës të egër për pushtet, që përdor të gjitha instrumentet, deri tek dhuna e rrugës, për të përmbysur raportet, që shqiptarët një herë në katër vjet i ndërtojnë mbi bazën e votës që mendohet që është e lirë.

– Faleminderit!

    Gazetari i Telegraf, Jakup B. GJOÇA