Edmond Spaho: Të inkriminuarit janë nga maxhoranca, sot protestojmë paqësisht

433
Sigal

Nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho, në intervistën për gazetën “Telegraf”, zbardh përse PD-ja hoqi dorë nga mocioni dhe kërkon dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit. “Mocionin e kërkuam për të debatuar për skandalin, në kushtet kur nuk kishte filluar hetimi nga prokuroria, por ne nuk kemi vota që të shkarkojmë këdo në parlament”, pohon zoti Spaho për “Telegraf”. Pyetjes, përse PD-ja nuk pret të japë gjykimin për çështjen “Doshi” drejtësia, zoti Spaho i përgjigjet se “të mos mbrohesh nga funksioni politik, kur hetohesh nga prokuroria, që do të thotë se Kryetari i Kuvendit duhet të hetohet si gjithë qytetarët e tjerë.” Zoti Spaho pranon që kriminalizimi në Parlament është vetëm në kahun e maxhorancës, pasi deri tani “asnjë emër nga radhët e opozitës nuk rezulton të jetë i implikuar në aktivitete jo ligjore”. Pyetjes nëse duhet të zhbëhen listat e mbyllura të kandidatëve për deputet, që janë monopoli i kryetarit të partisë, zoti Spaho nuk jep qëndrim të prerë politik, pasi, siç pohon për “Telegraf” “rrugët për të hyrë në politikë gjenden, pavarësisht sistemit”.

Zoti Spaho, a duhet që politika të ndjejë përgjegjësi që, edhe ambasadorët që ndoqën seancën plenare, u zhgënjyen nga sjellja politike e deputetëve brenda parlamentit?

– Qëndrimi i opozitës është në përputhje me çfarë kemi shpallur si aksionin tonë kryesor politik, dekriminalizimin e politikës shqiptare, ndërprerjen e lidhjeve të saj me krimin e organizuar. Për ketë kemi arritur një marrëveshje me ndërmjetësinë e komunitetit ndërkombëtar, marrëveshje të cilës do i qëndrojmë deri në fund. Ngjarjet e javës së shkuar treguan që lidhjet e maxhorancës me krimin e organizuar janë edhe më të thella. Akuza që i bëhet Kryetarit të Parlamentit për porositjen e vrasjes së dy deputetëve është më e rënda që kemi dëgjuar në 25 vite. Problemi themelor që ka shoqëria jonë nuk është vetëm dekriminalizimi i Kuvendit, por, në radhe të parë, largimi nga politika i atyre, të cilët sjellin individë me prejardhje kriminale në Kuvend. Ne do vazhdojmë t’i qëndrojmë këtij objektivi deri në fund.

– Mesazhi i SHBA-së, e shprehur nga deklarata e Ambasadës Amerikane në Tiranë, për çështjen “Doshi”, si edhe anulimi i takimit të deputetëve tanë me kolegët amerikanë, çfarë do të thotë për politikën tonë?

– Mbështetja që SHBA-ja i jep procesit të dekriminalizimit të politikës shqiptare është vendimtare për suksesin e këtij procesi. SHBA-të janë miku më i mirë i shqiptarëve dhe janë thellësisht të shqetësuar, kur vendi nuk shkon në drejtimin e duhur. Opozita, sikurse theksova edhe me sipër, do të jetë konsekuente në realizimin e këtij procesi jetik për vendin tonë.

– A është e rastësishme që, i njëjti person, Dritan Prifti shfaqet edhe në videon e parë të 2010-s, edhe në këtë video, tani, derisa këmbëngul që ka dijeni të plotë për skenarin e vrasjes të deputetit Doshi dhe Fufi?

– Me sa kam parë unë, në videon e dytë flitet për një skenar për vrasjen e dy deputetëve aktuale të Kuvendit të Shqipërisë dhe nuk e kam parë zotërinë, për të cilin ju pyesni. Nga media kam lexuar që zoti Prifti është shprehur se arsyeja e skenarit për të vrare deputetin e maxhorancës ka të bëjë me sponsorizimin që ai i ka bërë videos që Prifti publikoi disa vite më parë.

– Përse opozita nuk prêt që të flasë më parë drejtësia, edhe për çështjen “Doshi”?

– Ligji i një demokracie funksionale thotë që të mos mbrohesh nga funksioni politik, kur hetohesh nga prokuroria, që do të thotë se Kryetari i Kuvendit duhet të hetohet si gjithë qytetarët e tjerë. Të mos harrojmë se ngjarja nuk është aq e thjeshtë, sa përpiqen ta paraqesin. Ndërmjetësit dhe ekzekutorit të skenarit të vrasjeve u janë bërë dy atentate me tritol, me sa duket për t’i hequr qafe.

– Vetëm dorëheqja e kryeparlamentarit do të jetë motivi politik i protestës të PD-së, derisa ende prokuroria heton?

– Pa paragjykuar rezultatin e hetimit, i cili është prerogative e prokurorisë, të implikuarit në këtë ngjarje nuk mund të hetohen, duke qenë të mbrojtur nga funksionet e larta politike. Ashtu siç ndodh në gjithë vendet demokratike europiane, jepet dorëheqja dhe paraqitesh në prokurori për t’u hetuar. Dorëheqja eviton mundësitë për të influencuar hetimin. Kjo është ajo ç’ka opozita po kërkon. Përsa i takon protestës, qytetarët shqiptarë kanë me dhjetëra arsye për të protestuar, që fillojnë me gjendjen e vështire ekonomike, papunësinë, mosmbajtjen e premtimeve nga maxhoranca, gjendjen skandaloze te rendit publik, rritjen e çmimeve dhe një mori arsyesh të tjera. Qytetarët do jenë në shesh për të gjitha këto së bashku, përfshirë edhe dorëheqjen e kryetarit te parlamentit.

– Përse PD-ja nuk pranon të fillojë procedurën në Kuvend, derisa depozitoi edhe mocionin, për shkarkimin e kryeparlamentarit?

– Ngjarjet kanë evoluar. Tashme kemi një hetim nga prokuroria dhe Meta duhet të japë dorëheqjen për t’u hetuar në mënyrë ligjore dhe te paanshme. Mocionin e kërkuam për të debatuar për skandalin, në kushtet kur nuk kishte filluar hetimi nga prokuroria, por ne nuk kemi vota që të shkarkojmë këdo në parlament.

– Nëse kryeparlamentari nuk pranon të japë dorëheqjen,  opozita dhe PD-ja mendojnë të bëjnë në vazhdimësi bojkotin nga komisionet parlamentare?

– Ne nuk kemi bojkotuar asnjë komision. Ne po ushtrojmë të drejtën që të kërkojmë dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit në çdo aktivitet parlamentar, që zhvillohet si në komisione, ashtu edhe seancë plenare dhe ketë do vazhdojmë ta bëjmë edhe në të ardhmen.

Miqtë ndërkombëtarë kanë dhënë fakte për të inkriminuarit e maxhorancës

– Dekriminalizimi i Kuvendit, mendoni se do të jetë vetëm nga kahu i maxhorancës?

– Ne kemi paraqitur fakte të mjaftueshme për gjendjen katastrofike, që është jo vetëm në Kuvend, por edhe në administratën publike dhe polici. Miqtë tanë ndërkombëtare i kanë dhënë fakte të mjaftueshme maxhorancës për të inkriminuarit në radhët e saj. Deri më sot, asnjë emër nga radhët e opozitës nuk rezulton të jetë i implikuar në aktivitete jo ligjore. Disa nga deputetët aktualë dhe problematikë të maxhorancës së sotme na janë ofruar në vitin 2005 për të konkurruar në emër të PD-së, por i kemi refuzuar, sepse nuk është modeli ynë që të vijmë në pushtet me ndihmën e krimineleve.

– Mendoni se duhet të zhbëhet lista e mbyllur e kryetarit të partisë për kandidatë për deputet, në mënyrë që elektorati të jetë filtri ndaj infiltrimit të deputetëve në Kuvend?

– Sistemet kanë rolin e tyre, por nuk janë vendimtare. Në radhë të parë nevojitet vullnet politik. Nëse nuk ka vullnet politik për të frenuar këtë të keqe kaq të madhe për vendin, rrugët për të hyrë në politikë gjenden, pavarësisht sistemit.

– Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA