Skandali i Rilindjes me rindërtimin/ Ja skema sesi i grabitin tokat e lakmuara për kulla brënda qytetit, ndërkohë banorët i degdisin në periferi

252
Sigal

Edi Rama është përpjekur të imponojë vizionin e tij mbi Tiranën për të lënë një trashëgimi të vetën

Regjimet në vend janë përpjekur të ribëjnë Tiranën sipas imazhit të tyre

“Regjime shqiptare të njëpasnjëshme gjithmonë janë përpjekur ta ribëjnë Tiranën sipas imazhit të tyre. Historia e zhvillimit urban të Tiranës është historia politike e Shqipërisë”, u shpreh Vincent Van Gerven Oei, duke komentuar planet e rindërtimit të Kryeministrit Rama. “Kështu, nuk më habit fakti që Edi Rama është përpjekur të imponojë vizionin e tij mbi Tiranën, si një mënyrë për të lënë një trashëgimi të vetën. Njëkohësisht, unë mendoj gjithashtu se kjo mania e ndërtesave të larta, kjo mania e ndërtimeve, që ka zënë Kryeministrin tonë është diçka që është shumë e ngulitur në trashëgiminë e komunizmit, e diktaturës. Nëse lexon artikuj apo komente nga periudha e diktaturës mbi, për shëmbull, ngritjen e lapidarëve që ishin monumente të rëndësishme politike në atë periudhë, ka komente të shpeshta për faktin që të gjithë duan t’i bëjnë më të larta se ç’duhet, që po bëhen shumë të larta, që ndoshta po harxhohen resurse të çmuara për to, e kështu me radhë. Pra, ky fiksim me ngritjen e gjërave të larta nuk është diçka që vjen nga vetë Edi Rama, është pjesë e historisë në të cilën ai u rrit, brenda të cilës, me sa duket, është e rëndësishme të ndërtosh gjëra të larta, si lapidarët apo kullat, në mënyrë që të përforcosh pushtetin tënd politik. Dhe Edi Rama ka qenë i fiksuar me ndërtesat e larta që kur u bë kryebashkiak i Tiranës, në fakt. Tani, ai thjesht ka mundësi t’i realizojë dhe ka të gjitha kukullat e veta në pozicion. Dhe tani ai sheh mundësinë t’i bëjë ëndrrat e tij realitet. Pyetja është: kush do të jetojë në këto ndërtesa të larta? Ato do të jenë mumje bosh, sarkofagë. Askujt nuk ia mban xhepi të jetojë në to, dhe nuk ka njerëz të jetojnë në to, sepse të gjithë po largohen. Ose, tani të gjithë po vdesin si pasojë e virusit, për të cilin ai nuk po bën thuajse asgjë”. Ai tregoi se si regjime të ndryshme kanë krijuar  Tirana të ndryshme, dhe tani të njejtën gjë po bën edhe kryeministri Rama: “Le të themi, aspekti i gjerë kulturor i ndërtimit siç u realizua gjatë periudhës komuniste dhe, siç thashë, korniza më e gjerë në të cilën regjime te njëpasnjëshme janë përpjekur të imponojnë vizionin e tyre mbi Tiranën. Nëse shikon se si italianët e trajtuan qytetin osman, ngjante shumë me stilin e Ramës. Ata mbivendosën Lanën dhe Bulevardin Dëshmorët e Kombit mbi çfarë ishte në thelb, një fshat osman. Nëse shikon periudhën komuniste, ajo kishte një ndikim të stërmadh mbi mënyrën si Tirana u ndërtua. Pjesë të tëra të Tiranës u prishën për të ndërtuar këto tre- ose gjashtë-katëshet nëpër gjithë qytetin. Dhe tani Edi Rama po bën të njëjtën gjë. Ai po krijon Tiranën sipas imazhit të tij, dhe tani ka gjetur mundësinë për ta bërë këtë”.

Çfarë skeme po përdor qeveria Rama për rindërtimin e banesave?

Vincent Van Gerven Oei shpjegoi skemën e përdorur nga qeveria për rindërtimin e banesave në vend, duke thënë se kompanitë private po marrin tokën me shumë vlerë në këmbim të një aparatamenti: “Imagjinoni një fond pensioni për të gjithë shqiptarët. Pra, shqiptarët fusin para në fondin e pensionit, dhe fondi rritet, dhe kjo është një pronë kolektive. Dhe kur dikush del në pension, merr para nga ky fond. Le të supozojmë një grabitës bankash vjen dhe thotë: “Unë do ta vjedh të gjithë këtë fondin e pensionit, por do t’u jap të gjithëve nga 1000 euro. A nuk është mirë kështu? A nuk është bukur që gjithkush të marrë 1000 euro? E shikoni, të gjithë fitojnë!” Sigurisht, kjo nuk do ishte më mirë dhe askush nuk mund të thotë se grabitësi po bën një vepër të mirë ndaj atyre që kanë futur paratë në fondin e pensionit. Pikërisht kjo po ndodh me zonat e transformimit. Një kompani private vjen dhe thotë: “Sa tokë të bukur publike paskeni! Më lejoni t’jua marr dhe, në shkëmbim, unë do ju jap një apartament.” Vlera e tokës është shumë më e lartë se ajo e apartamenteve, apo zyrave, apo çfarëdo tjetër që kompania i ka premtuar qeverisë dhe do t’ia kthejë. Nëse nuk do ishte kështu, atëhere pse do ta fillonte një kompani private një projekt të tillë? Pra, problemi është se popullit të Shqipërisë, popullit të Tiranës, po u ofrohet një marrëveshje  jo e favorshme. Sepse toka është gjëja me vlerë, jo apartamenti që merr një familje. Kështu, gjëja me të cilën unë kam një problem është, le të themi, grabitësi – ndërtues me të cilin organizohet e gjithë kjo skemë. Unë nuk e mohoj nevojën e qytetit për rinovim, por shteti i Shqipërisë, ose bashkia e Tiranës, mundet, lehtësisht, t’i drejtohet tregjeve financiare për të marrë hua me tarifa shumë të favorshme, sepse tarifat e interesit janë shumë të ulëta, dhe të përdorë këto para në mënyrë direkte për të rinovuar këto ndërtesa. Për këtë nuk duhen partneritete publike-private. Për këtë nuk duhet të shpronësohen njerëz”.