Skandali, frika mban sekret kontratën e “Check-up”

39
Sigal

Pse u mbajtën të fshehta detajet e kontratës së “Check-up” dhe 40 PPP-të e tjera, që paguhen nga taksat e shqiptarëve. Kush do të mbajë përgjegjësi për audituesit e ministrisë së Shëndetsisë dhe të ISKSH nuk kishin prej disa vitesh kontratën, mbi bazën e së cilës ushtrohej kontrolli dhe likujdoheshin paratë. Ja disa pyetje që duan përgjigje për 3 ministritë dhe rolin e Beqajt, Ahmetajt, Nushit dhe Milva Ikonomit

Gazeta Telegraf

Mbahet sekret kontrata e “Check-up” dhe e 40 koncesioneve të tjera, që paguhen nga taksat e shqiptarëve

Në kontratat koncesionare, të cilat janë shtuar dukshëm vitet e fundit, po rezulton që kompanitë private janë të mbrojtura dhe të gjithë rrezikun po e merr përsipër shteti. I tillë është dhe rasti i koncesionit të check-up, apo atij të kontrollit shëndetësor, ku kompania private është paguar dhe për shërbime, që ajo nuk i ka realizuar, duke garantuar fitime të qëndrueshme për gjithë periudhën e koncesionit.

Me urdhër të Vilma Nushit, ministria e Shëndetësisë, Ministria e Financave dhe Ministria e Ekonomisë, kanë bllokuar kontratën 10-vjeçare me vlerë 120 milionë euro.

Gjatë 8 viteve të opozitës së “egër” e për më tepër gjatë 40 ditëve të fushatës së zgjedhjeve parlamentare të para 4 viteve, kupola e “Rilindjes” kërkoi dhe grumbulloi votat masive të shqiptarëve, krahas premtimeve të punësimit, uljes së çmimeve, rritjes së pagave e pensioneve, deklaroi me bujë se do të anulonte gjithë koncesionet e dhëna prej (ish) pushtetit të PD, madje premtoi se do t’i jepej fund “krimit ekonomik-financiar kombëtar të koncesioneve”. Pa mbushur ende 4 muaj në pushtet, “rilindja” jo vetëm nuk i anuloi koncesionet e dhëna, por i shtoi ato edhe në sektorë të tjerë të shërbimeve publike dhe me klientë të rinj të “oborrit” të saj, por edhe duke “rilindur” koncesionet ekzistuese.

Koncesioni i “Check-up”, ekzemplar i korrupsionit dhe klientelizmit të “Rilindjes”

Aktualisht, në të gjithë sektorët ekonomikë, financiarë, art, shërbimi publik, energjetik, e miniera janë në aktivitet 50 koncesione, të cilët kryesohen nga koncesionet në shëndetësi, me rekord financiar koncesionin 10-vjeçar të “Check-up”-it, që i është dhuruar Vilma Nushit, me vlerë 120 milionë euro, koncesion që vetëm likuidohet verbalisht dhe pa kontroll parlamentar e shtetëror, paçka se është denoncuar nga “Telegraf” dhe deputetët e PD në komisionin parlamentar të shëndetësisë, për lista shërbimi fiktive në kontrollin mjekësor! Po ndalemi tek ky koncesion, për faktin se është “ekzemplari” i koncesioneve korruptive, ndër 30 koncesionet e reja që ka dhënë “rilindja” në shëndetësi e në sektorë të tjerë. Kontrata e “Check-up”-it, nuk publikohet sipas ligjit të transparencës dhe informimit të medies e publikut, madje ata zyrtarë, që do ta publikojnë kërcënohen me largime nga puna dhe burgosje “për nxjerrje të sekretit shtetëror”! Deri këtu ka shkuar fuqia e Vilma Nushit, pronares së këtij koncesioni e të shumë koncesioneve dhe monopoleve të tjerë në shëndetësi, import-eksport cigare-duhanesh, dogana. Taksapaguesit shqiptarë e kanë paguar dyfish të ashtuquajturin “kontroll shëndetësor falas”, ndërsa Vilma Nushi arriti të shlyejë shpenzimet e kryera brenda pak muajve nga nisja e aktivitetit, duke realizuar 45 milionë lekë të reja fitim neto, brenda 9 muajve të parë të këtij koncesioni, i cili nëse nuk do të bllokohet nga prokuroria që e ka në hetim, do të zgjasë për 10 vite. Gjatë vitit 2015, vetëm 244 mijë shqiptarë e morën këtë shërbim, ndërsa kontrata e mbajtur sekret nga qeveria, sanksionon detyrimin kontrollin e 475 mijë personave, të cilët edhe pse nuk kanë kaluar në kontroll, milionat nga buxheti i shtetit janë shlyer. Të dhënat financiare të kontratës koncesionare për shërbimin e “Check-up”-it , janë mbajtur gjithmonë të fshehta nga ana e kupolës së “rilindjes”, duke përdorur tre ministritë përkatëse që kanë detyrimin ta monitorojnë këtë shërbim dhe t’i bëjnë pagesat. Por bilanci i kompanisë “3P Life Logistic” për vitin 2015, i dorëzuar me vonesë në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, zbuloi se qeveria merr përsipër të paguajë 475 mijë analiza laboratorike mjekësore në vit, pavarësisht se sa është numri real i personave, që e marrin këtë shërbim, duke arkëtuar miliona lekë për punë të pakryer, tek xhepi i Vilma Nushit! Këtë e provon një deklaratë e bërë publike nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, sipas të cilit, paçka se 917 mijë shqiptarë kanë të drejtë të përfitojnë nga projekti, “jo çdo gjë shkoi siç duhet”, mbasi vetëm 244 mijë e 420 persona janë në listën e kryerjes së “Check-up”-it për vitit 2015. Por, bilanci i kompanisë për periudhën 31 mars-31 dhjetor 2015, tregon se taksapaguesit shqiptarë i kanë paguar Vilma Nushit 554 milionë lekë, ose dy herë më shumë se vlera e analizave që duheshin kryer sipas detyrimit të kontratës, e cila po mbahet sekret me dhunë shtetërore edhe ndaj 3 ministrave të linjës që dhanë dhe monitorojnë “Check-up”-in dhe gjithë koncesionet në Shqipëri. Kujtojmë, që sipas letrave zyrtare të specifikuara edhe në kontratë, firma “3P Life Logistic” është kompani e themeluar qëllimisht për mbarëvajtjen e koncesionit 10-vjeçar të “Check up”-it, e cila në 80% të saj, zotërohet kompania “Marketing& Distribution” e importit të cigareve, që rezulton se është 100% në pronësi të Vilma Nushit dhe në 20%, zotërohet nga kompania “Trimed”, e cila po kështu në50% të aksioneve është pronë e Vilma Nushit! Kompania “3P Life Logistic” që përfaqëson “Check-up”-in u themelua qëllimisht në muajin dhjetor 2014 për këtë koncesion, duke pasqyruar një kapital themeltar prej 30 milionë lekësh dhe ka deklaruar 337 milionë lekë investim në laboratorë, ndërkohë, që brenda 9 muajve ka përlarë 554 milionë lekë nga taksat e shqiptarëve për gjoja kontrollin mjekësor, që sipas denoncimeve faktike të “Telegraf” dhe komisionit parlamentar të shëndetësisë, rezultoi fals e i pakryer në 50% të volumit dhe listave! Ndërsa në vitin 2016 e deri sot, rezulton se të ardhurat bruto të Vilma Nushit nga ky koncesion (taksa shqiptarësh), shkon në mbi 730 milionë lekë në vit, (ose ofro 5.4 milionë euro në vit). Dhe për t’i shtuar fitimet Vilmës, (ish) ministri Ilir Beqaj propozoi dhe Këshilli i Ministrave miratoi me VKM të posaçme, që të zgjeroheshin grupmoshat e përfshirjes në “Check-up”, duke e shtuar këtë nga 40-65 vjeç që ishte në kontratën fillestare, në 35-70 vjeç!

Në lidhje me PPP-në e Check-up shtrohen disa pyetje për Arben Ahmetajn në arrati, për SPAK-un në Shqipëri, për ministrin Beqaj, znj. Milva Ekonomi, znj. Vilma Nushi dhe më lartë dhe për të plotësuar hetimin e thelluar:

 

Kujt ju ofrua fillimisht?

Pse u anullua?

Pse përfunduan kërkesat në Spanjë?

Pse fillimisht u planifikua për 5 vjet dhe pastaj u ndryshua për 10 vite?

Sa është kostua e reagentëve dhe kiteve?

Po e pajisjeve ?

Pse u ul dyshemeja dhe tavani i moshës pasi ishte miratuar kontrata fillestare ?

A janë hapur qëndra të reja në qarqe ?

Sa ndikon marrja e analizave nga rrethet dhe sjellja në laboratorët e Tiranës?

Këto dhe të tjera pyetje besoj se do marin përgjigje në kohën e duhur. Kur ata shtetarë që e gatuan nuk do të jenë më në ato poste.

 

Përgjigjet e 3 ministrive, për “Telegraf”: “Nuk e kemi kontratën e koncesionit të “Check-up” 

 

Kërkesës zyrtare të gazetës “Telegraf”, për të marrë informacion lidhur me koncesionin e “Check-up”-it, drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë si Autoritet Kontraktor, kjo ministri i është përgjigjur me një “sqarim, me të cilin ajo provon skandalin, që bosja Vilma Nushi ka urdhëruar të mos jepet asnjë informacion lidhur me “Check-up”-in dhe zbatimin e këtij koncesioni. Ministria e Shëndetësisë, me Shkresën Nr. 1858/2 prot., datë 14 prill 2017, drejtuar gazetës “Telegraf”, na sqaron: “Nuk mund të japim asnjë informacion lidhur me koncesionin e “Check-up”-it si procedurë tenderuese, si kontratë e nënshkruar nga kjo ministri dhe si zbatim kontrate në kontrollin mjekësor, mbasi nuk e disponojmë kontratën dhe asnjë informacion tjetër, sepse janë sekuestruar nga prokuroria në kuadër të një hetimi penal për këtë koncesion”. Që ky koncesion është vepër penale jo vetëm si procedurë tenderimi e dhënie në favor të Vilma Nushit, kjo dihet dhe nuk ka nevojë për komente, por çudia qëndron në faktin, që kjo përgjigje e njëjtë është kthyer edhe nga drejtoria Juridike e Ministrisë së Shëndetësisë, duke na përcjellë kompetencën: “Ne nuk e kemi kontratën, mbasi në bazë të Kontratës koncesionare, institucioni përgjegjës për financimin e projektit të “Check-up”-it dhe prodhimin e të dhënave (informacionit) mbi ecurinë e kontrollit mjekësor është Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor”! Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, deklaron se dosjen e kontratës dhe ecurinë e “Check-up”-it e kanë Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Financave dhe Ministria e Ekonomisë! Por edhe ministria e shëndetësisë, me Shkresën Nr. 2622/1 Prot., datë 7 prill 2017, na ka dhënë këtë përgjigje: “Ky informacion (për Check-up”) nuk disponohet nga Ministria e Ekonomisë, por nga Autoriteti Kontraktor, i cili është Ministria e Shëndetësisë” Ja përgjigja, që na ka dërguar ministri i Financave, ortaku i Vilmës, biznesmeni Arben Ahmetaj: “Lidhur me kërkesën për informacion, ju duhet t’i drejtoheni Ministrisë së Shëndetësisë e cila është Autoriteti Kontraktor në këtë marrëveshje koncesionare dhe Ministrisë së Ekonomisë, e cila mban regjistrin elektronik të koncesioneve të Partneritetit Publik Privat (PPP), mbasi kjo ministri është bazë të dhënash, për gjithë koncesionet në Shqipëri”.

Ja 40 koncesione, kontratat e të cilëve janë mbajtur sekret dhe që duhet të rihapen se mbi çfarë kriteresh janë dhënë dhe a ka ortak të tjerë pas tyre?!

  1. Kontrata e koncesionit për Kontrollin doganor të importit të cigareve nga Vilma Nushi.
  2. Kontrata e koncesionit për shërbimin në sportelet e Hipotekave nga Vilma Nushi.
  3. Kontrata e koncesionit për Laboratorët Mjekësorë, firmosur nga Milva Ekonomi.
  4. Kontrata e koncesionit për Hemodializën. 
  5. Kontrata e koncesionit për Sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale.
  6. Kontrata e koncesionit për Urgjencat Mjekësore.
  7. Kontrata e koncesionit për Mirëmbajtjen e Pajisjeve Mjekësore.
  8. Kontrata e koncesionit për Parkimin e Automjeteve në QSUT.
  9. Kontrata e koncesionit për Rimbursimin e Ilaçeve.
  10. Kontrata e koncesionit për Evadimin e Mbetjeve Spitalore.
  11. Kontrata e koncesionit për Ushqimin dhe Shërbimin e Lavanderisë në Spitale .
  12. Kontrata e koncesionit për evadimin e Mbetjeve Spitalore.
  13. Kontrata e koncesionit për aksionarëve në “BANKERS”.
  14. Kontrata e koncesionit për ndërtim HEC-i në Poçem.
  15. Kontrata e koncesionit për Importin e Plehrave.
  16. Kontrata e koncesionit për Lotarinë Kombëtare.
  17. Kontrata e koncesionit për Resortin Turistik në Bregdet, firmosur nga Milva Ekonomi.
  18. Kontrata e koncesionit për Regjistrin Elektronik Mjekësor.
  19. Kontrata e koncesionit për Protezat Ortopedike.
  20. Kontrata për koncesionin e “BUNK-ART”.
  21. Kontratat për koncesionet e 5 kalave.
  22. Kontrata koncesionit “San Leon” për kërkimin e naftës në Detin e Durrësit.
  23. Kontrata e koncesionit për Stadiumin e ri të Tiranës. 
  24. Kontrata e koncesionit për Radiolokacionin (vëzhgimin ajro ushtarak”.
  25. Kontrata e koncesionit për transportin Ajror Ndërkombëtar.
  26. Kontrata e koncesionit për administrimin e Muzeut “Shtëpia e Gjetheve”.
  27. Kontrata e koncesionit për Pullat fiskale.
  28. Kontrata e koncesionit për ngjyrosjen e karburanteve.
  29. Kontrata e koncesionit për prodhimin e pasaportave dhe Kartave të identitetit.
  30. Kontrata e koncesionit për Kolaudimin e Automjeteve.
  31. Kontrata e koncesionit për riparimin e automjeteve qeveritare.
  32. Kontrata e koncesionit për shfrytëzimin e minierave të bakrit.
  33. Kontrata e koncesionit për shfrytëzimin e minierës së kromit në Bulqizë.
  34. Kontrata e koncesionit për import-përpunimin e Skrapit.
  35. Kontrata e koncesionit për 4 HEC-et e blera prej “KURUM”.
  36. Kontrata e koncesionit për ish-kombinatin metalurgjik “KURUM”.
  37. Kontrata e koncesionit për shitjen e “ALBTELEKOM”.
  38. Kontrata e koncesionit për impulset telefonike të zonave rurale “HERMES”.
  39. Kontrata e koncesionit për shfrytëzimin e naftës nga “Petrolifera”.
  40. Kontrata e koncesionit për shërbimin SICPA (Lufta ndaj evazionit fiskal).

Pagesat për “check-up” bllokojnë ministrin !

Vazhdojnë të mbeten sekret të dhënat e kontratës koncesionare. Edhe dikasteri i Financave, i paqartë për shifrat dhe pagesat. Ja debati:

Agron Shehaj: “Zoti ministër sa i kushton Buxhetit të Shtetit ‘chek-up’-i i një personi të vetëm, këtë dua të di unë? Se kohët e fundit i kemi parë lajmet në lidhje me detyrimet, që i bëhen administratës që të shkojnë e të bëjnë këto kontrolle.

Arben Ahmetaj: “1537 i kushton sot buxhetit të shtetit një chek-up. Do ta nis me pyetjen tuaj të dytë, ka një numër të caktuar ‘check-up’ që duhet të bëhen…?

Agron Shehaj: “Sa, pak a shumë?”

Arben Ahmetaj: “Nuk dua të jem i pasaktë në shifra, e ke zakon jo të mirë që më ndërpret”.

Erjon Braçe: “Zoti Ministër po të sqaron”.

Arben Ahmetaj: “Nuk mund të quhet kërcënim, një thirrje dhe një mesazh që i bëhet administratës, a mund ta mbaroj unë djalë ë?”.

Erjon Braçe: “Zoti ministër do përgjigjesh apo do merresh…”.

Arben Ahmetaj: “Është normale që ne të bëjmë thirrje për ‘check-up’”.

Agron Shehaj: “Ndryshe do hiqesh nga puna. Zoti ministër kjo është tallje, sa do të jetë kostoja reale”.

Arben Ahmetaj: “1537”.

Agron Shehaj: “Kostoja reale është e ndryshme nga ajo nominale, në lajmet që dolën duket se kompania ka probleme. Unë parashikoj që ju do të bëni 80 mijë, dhe kjo përbën diferencën mes kostos nominale dhe asaj reale”.

Arben Ahmetaj: “Detyrimi për këtë vit është 437 mijë kontrolle, nuk është detyrë e ministrit që të shkojë e të numërojë sesa kontrolle që do të bëhen”.

Agron Shehaj: “Nëse ndryshon numri i kontrolleve, ndryshon edhe kostoja. Është kështu apo nuk është kështu?”

Arben Ahmetaj: “Po kështu është”.

 

 

 

Nesër do të lexoni:

Marrëzia në taksat në shëndetësi/ Check-up më 2017, kreu vetëm 67% të kontrolleve të programuara, qeveria pagoi 84% më shumë për një vizitë.

Pragu i moshës dhe abuzimi me koston për një analizë.

Disa informacione që kërkon “Telegraf” lidhur për aktivitetin e “Check-up”.