Roland Keta: Buxheti i 2016 dhe koncesionet “Beqaj” vënë shëndetësinë në (epi)krizë financimesh

480
Deputeti i PD Roland Keta në intervistën për gazetën “Telegraf”, skanon buxhetin 2016 për shëndetësinë dhe diagnostikon se paratë e shtuara për shëndetësinë për 2016 do të paguajnë koncesionet e dështuara që ka dhënë ministri Beqaj, kur ndërkohë do të shkurtohen shumë vende pune, mjekë infermierë e punonjës shërbimi, duke dëmtuar rëndë shërbimin shëndetësor publik. Zoti Keta, duke theksuar se ka 3 vjet që nuk rriten rrogat e mjekëve dhe infermierëve, qeveria për 2016 nuk ka planifikuar asnjë fond për Bulqizën, duke braktisur qytetarët, ndërkohë që mungojnë spitali, mungon infrastruktura, ujësjellësit, etj.
 
– Zoti Keta, në buxhetin 2016 shohim që kemi një rritje të fondeve të përgjithshme të Shëndetësisë, por edhe shkurtim të fondeve për pagat e personelit. Çdo të thotë kjo?
– Shëndetësia është një sektor i rëndësishëm për vendin dhe qytetarët, ajo kërkon një vëmendje të veçantë nga çdo qeveri . A kanë qenë të mjaftueshme buxhetet ndër vite? Sigurisht, që jo. Unë mendoj që buxheti 2016 për shëndetësinë është i pamjaftueshëm për të zgjidhur problemet që ka shëndetësia sot, ai është buxheti më i vogël në Ballkan. Për të qenë realist, buxheti 2016 nuk është në rritje, por i njëjtë me atë të vitit 2015, pra nuk ka një vëmendje dhe shtim shërbimesh shëndetësore nga qeveria. Ku të gjithë jemi realist, në çfarë gjendje është shëndetësia sot, gjendja e shëndetësisë është në ditët më të vështira të saj, ajo sot është e sëmurë, ka krizë politikash, mungesë financimesh në sistem, mungesë të autonomisë spitalore. Abuzim të koncesioneve të panevojshme, që nuk i shërbejnë qytetarëve, por janë në shërbim të monopoleve dhe klientëve të qeverisë. Buxheti 2016 ka synim fillimin e mbylljeve të spitaleve Bashkiake, kjo vërehet në ulje ndjeshëm të personelit mjekësor dhe buxhete më të vogla se një vit më përpara. Në vitin 2016 janë planifikuar 388 punonjës më pak, duke shkurtuar këtë numër të konsiderueshëm sjell probleme sociale për 388 familje. Kjo është politikë thellësisht e gabuar, e pa studiuar, e konsultuar duke sjellë dëme në sistemin spitalor. Buxheti 2016 ka 15% më pak investime, si në shërbimin spitalor dhe atë parësor, ka rreth 366 milion dollarë më pak se viti 2015. U bënë dy vite që nuk po shohin shqiptarët investime në shkolla, ujësjellësa, qendra shëndetësore, asnjë rrugë të inaguruar. U bënë dy vite dhe as në buxhetin e 2016 nuk kanë planifikuar rritje pagash për arsimtarët, mjekët, infermierët, për punonjësit e administratës. Ka 3 vite që pagat e mjekëve dhe infermierëve janë pagat më të ulëta në BE dhe në rajon. Sot Kosova ka paga më të larta për mjekët. Në buxhetin e 2016 nuk planifikohet rritje për pensionistët në fshat dhe në qytet. Ka 3 vite që nuk kanë politika për rritjen e pagave në njësitë vendore, ato sot janë qesharake, më të ulëta në rajon. Në buxhetin e 2016 nuk planifikohen rritje të përqindjes së ndihmës ekonomike dhe të shtresave në nevojë, sot ato i kanë lënë në mëshirë të fatit , u kanë hequr edhe fondin e kompensimit të energjisë elektrike. Sot kjo shtresë ka nevojë për mbështetje nga shteti, po mazhoranca i ka braktisur ato.

– Po shërbimi shëndetësor publik a do të rritet, ndërkohë që do kemi infermierë e mjekë më pak, por fonde më shumë?
– Kjo qeveri akoma nuk e ka kuptuar misionin e shërbimit spitalor. E si mund të rritet shërbimi në spitalet Bashkiake, ku shkurtohen në një spital 43 vetë(personeli;mjekë, infermierë dhe specialistë shërbimesh). Nuk rritet shërbimi shëndetësor duke shkurtuar në organik mjekë dhe duke rritur numrin e shoferëve. Spitali po nuk pati mjekë, specialistë, nuk funksionon. Sistemi ynë spitalor, në vend të shkurtimeve, ka nevojë për hapjen e shërbimeve të reja kuruese. Ulja e shfrytëzimit të shtretërve në spitalet bashkiake nuk është për mosshërbim të bluzave të bardha, por mungesë politikash e vizioni, mungesë specialistësh, mungesë aparaturash e ilaçesh. Këto shkurtime dëmtojnë shërbimin ndaj të sëmurëve dhe për qytetarët. 

– Nëse një koncesionar falimenton, çfarë bëhet me shërbimin shëndetësor? 
– Nuk e di për cilin koncesion të flasim më parë, se ajo që po ndodh sot në shëndetësi do të mbahet mend nga shumë breza mjekësh. Sot shëndetësia po jepet e gjitha me koncesione të panevojshme, që nuk u shërbejnë qytetarëve, janë jo transparente, fituesit e këtyre koncesioneve janë pa përvojë në shërbimet shëndetësore. Personalisht mendoj që koncesioni i famshëm i check-up tashmë i dështuar, por nuk janë pak 120 milionë dollarë, a e dini se sa do të shtoheshin shërbimet mjekësore nëse ky fond të financohej në sistem shëndetësor, pra në spitalet rajonale, qendra shëndetësore e spitale bashkiake? Në të gjitha koncesionet e tjera kanë dështuar,pa filluar. Nuk ishte i nevojshëm koncesioni i sterilizimit, ku sistemi i sterilizimit ka ekzistuar dhe ekziston edhe sot në çdo shërbim spitalor publik.

– Përse çdo shërbim shëndetësor jepet me koncesion?
– Besoj për gjendjen e shëndetësisë publike sot po flasim për ditë, si kurrë ndonjëherë, qytetarët në media dhe rrjete sociale, po flet opozita dhe ndonjë deputet i maxhorancës. Nuk bëhet fjalë për shëndetësi falas, sot as 40 % e Shqiptarëve nuk marrin shërbime në spitale publike dhe për këtë flasin statistikat e shfrytëzimit të shtretërve në spitalet rajonale e Bashkiake, ku ato janë 30-35 %, ku sëmundshmëria është në rritje. Për të parë gjendjen e spitaleve sot, bëni një vizitë në orët e vona në urgjencën e QSUT, ka mungesë ilaçesh, ekzaminimesh, mungesë shtretërish dhe atëherë, mendoni se si është gjendja në spitalet bashkiake. Të gjitha ndryshimet ligjore: si ligji për barnat, i ndryshuar brenda vitit dy herë, ligji për sigurimet shëndetësore kanë ndikuar negativisht në shërbimin ndaj qytetarëve. Pyetjes tuaj përse jepen me koncesione? Arsyeja është e qartë: Abuzim klientelist, koncesione jo transparente, ku i shërbejnë vetëm korrupsionit dhe jo sistemit shëndetësor dhe bëjnë viktimë shërbimin shëndetësor publik të mohuar për qytetarët. 
Qeveria nuk ka dhënë në buxhetin 2016 asnjë fond për Bulqizën
– A janë konkretizuar premtimet e qeverisë në zonën tuaj elektorale? Cilat janë problemet?
– Besoj se tashmë dibranët dhe banorët e mi të Bulqizës dinë t’i bëjnë analizat e premtimeve te vitit 2013. Shëndetësia në Bulqizë është në ditët më të vështira të saj. Të kesh një qytet minatorësh, ku aksidentet ndodhin çdo moment dhe të kesh mungesë kirurgu e reanimatori, është e padrejtë. 
– Rrugët janë në gjendje të mjerueshme dhe mungesë shërbimesh, çdo ditë ndodhin aksidente, siç ndodhi edhe para disa ditësh, ku humbën jetën dy qytetarë.
1. Në buxhetin e 2016 nuk kanë planifikuar fonde për përfundimin e Rrugës së Arbrit dhe këtë e kanë bërë edhe dy vitet e mëparshme.
Është rrugë me rëndësi të madhe historike, ekonomike, strategjike për ato zona, por edhe për ekonominë e vendit. E vetmja rrugë e zhvillon atë zonë ekonomikisht, bashkërisht e miratuam marrëveshjen në këtë Parlament, kanë kaluar muaj dhe asgjë. 
2. Asnjë fond për ujësjellësin e fshatrave të Shupenzës , 0 fonde për rrugët Zogjë, Kovashicë, Bllacë.
3. 0 fonde për rrugën Ura Cerenecit – Librazhd.
4. Asnjë fond për rrugën e Kufirit, që lidh Gjoricën- Ostrenin-Trebishtin.
5. Nuk planifikohen fonde për vaditjen e fshatrave të Gjoricës, Vajkalit e shumë fshatra të tjerë.
6. Asnjë fond për qendrat shëndetësore.
7. Asnjë fond për ish-komunat Fushë –Bulqizë e Zerqan e Krastë.
8. Asnjë fond për subvencione në bujqësi e blegtori.
9. Nuk i japin rentën minerare pushtetit vendor.
Sigal