Skandal, kreu i SHISH me çertifikatë të skaduar sigurie

513
Sigal

TIRANE-Kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror Visho Ajazi nuk dispononte një çertifikatë të vlefshme sigurie por i ka skaduar që prej 24 shkurtit.  Kjo ka qenë arsyeja e ndërprejes së seancës dëgjimore në Komisionin e Sigurisë ku ishte planifikuar të raportonte Visho Ajazi në lidhje edhe me një shkresë ku autorizohen përgjimet mbi disa zyrtarë të lartë të policisë dhe personave të tjerë të jetës politike.Jo vetëm kaq deputeti i PS-së Piro Lutaj hodhi dyshime se edhe pajisja me certifikatën e parë është bërë pa zbatuar ligjin dhe vendimin e qeverisë për pajisjen e funksionarëve të lartë të shtetit caktuar me certifikatë sigurie. Kryetari i Komisionit të sigurisë Spartak Braho por dhe deputetët e tjerë bënë të ditur për median këtë fakt menjëherë sapo dolën nga kryesia e Kuvendit. Visho Ajazit i kishte skaduar çertifikata më 24 shkurt.
BRAHO: KREU I SHOH ME CERTIFIKATE SIGURIE TE  SKADUAR  
“Komisioni i sigurisë zhvilloi sot mbledhjen e tij për të raportuar kreu i SHISH nga i cili u kërkua zbatimi i ligjit dhe respektimi i sekretit shtetëror dhe kërkonte që të gjithë të pranishmit të ishin të pajisur me certifikatë sigurie. Madje u larguan disa deputetë që nuk e kishin por rezultoi se vetë kreu i SHISH nuk kishte certifikatë të vlefshme sigurie. Ai ka pasur certifikatë por i kishte skaduar. Seanca dëgjimore do të bëhet kur të gjithë personat e interesuar ku përfshihen anëtaret e SHISH dhe deputetët të jenë në rregull me ligjin.”- tha Braho.

LUTAJ: KAM DYSHIME EDHE PER PAJISJEN E CERTIFIKATES SE PARE 
“Problemi është se kreu i SHISH është paraqitur pa çertifikatë. Certifikata në fjalë ka një afat, ndërsa certifikata e personit në fjalë kishte skaduar. Ka një problem, pasi personi që bëjmë fjalë nuk është një qytetar i zakonshëm shqiptar, prandaj ka një vecori në pajisjen e certifikatës së sigurisë. Unë personalisht kam dyshimet e mia se edhe pajisja me certifikatën e parë është bërë pa zbatuar ligjin dhe vendimin e qeverisë për pajisjen e funksionarëve të lartë të shtetit caktuar me certifikatë sigurie. Jemi në pritje, vetë personi mori përsipër pajisjen me një certifikatë të tillë”. I pyetur a do jetë procedurë e gjatë për pajisjen e tij Lutaj tha: “Ne merremi me procedurën ligjore, dhe institucioni përgjegjës për këtë cështje na ka konfirmuar se Visho Ajazi është i papajisur me certifikatë sigurie për të qenë pjesë e komisionit të sigurisë. Kjo qe arsyeja që ndërpremë mbledhjen. Ju thashë ndiqeni sepse ka një vecori. Vendimi i qeverisë dhe ligji për pajisjen e personave me certifikatë për personat me dy shtetësi, dhe unë mendoj meqë Visho Ajazi e ka marrë këtë certifikatë pasi është ngritur në detyrë, sepse është në kundërshtim me ligjin pasi duhet marrë përpara certifikata pastaj ngritja në detyrë, mendoj se do të ketë deficensa edhe në pajisjen me certifikatën e parë.”

BALLA: DEPUTETET ME CERTIFIKATE, I MUNGONTE KREUT TE SHISH  
“Mbledhjet e komisionit të Sigurisë Kombëtare kur bëhet fjalë për informacion të klasifikuar zhvillohen vetëm në prani të personave të pajisur me certifikatë sigurie për marrje të informacionit të klasifikuar. Në rastin në fjalë të gjithë deputetët e PS dhe LSI ishin të pajisur dhe madje edhe një pjesë e përfaqësuesve të PD ishin të pajisur, por për habi vetë kreu i SHISH nuk ishte i pajisur me certifikatë të vlefshme. Mbledhja u shty për herë tjetër kur kreu i SHISH të paraqitet me certifikatë të vlefshme. Vetë drejtori i përgjithshëm informoi komisionin e sigurisë kombëtare se sot nuk ka një certifikatë të vlefshme.”- tha Balla.   PD e mohon dhe akuzon se po kërkohet të fshihet e vërteta.  “Ishte çështje teknike për t’ju fshehur të vërtetës”- tha Noka. Seanca është shtyrë  për një moment tjetër.

 ORA 13:04 NDERPRITET SEANCA DEGJIMORE  
Komisioni parlamentar i Sigurisë Kombëtare ndërpreu seancën dëgjimore me dyer të mbyllura me Kryetarin e Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi pas gjysëm ore nga fillimi i mbledhjes. Shkak janë bërë çertifikatat e sigurisë. Kryetari i komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, ka kërkuar që të gjithë personat që shoqëronin Visho Ajazin  të kenë çertifikatë sigurie. Një dokument që vërtetën se të gjithë të pranishmit që janë në komision kanë të drejtë të njihen, të administrojnë e të transferojnë informacion të klasifikuar “Sekret shtetëror”.  Nga burime brenda komisionit thuhet se deputetët kanë deklaruar se “As drejtori i SHISH nuk ka pasur certifikatë sigurie me vete”. Edhe  vetë kreu i SHISH ka kërkuar që deputetët e pranishëm në të kenë çertifikatë sigurie, për shkak të rëndësisë së raportimit. Drejtoria e informacionit të klasifikuar  jep këto çertifikata sigurie.