Sindikata e Policisë dhe shoqata e oficerëve, letër të hapur Ramës

654
Sigal

Keni 6 muaj që nuk na ktheni përgjigje. Qevria ka lënë në harresë punonjësit e policisë, duke shmangur detyrimet ligjore, ekonomike dhe financiare. T’i jepet fund nëpërkëmbjes së ushtarakëve me akte normative, VKM, gjyqe si dhe të shfuqizohet ligji për rillogaritjen e pensioneve të parakohshme de suplementare

Letra e dytë e Sindikatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit dhe Shoqata e Oficerëve në Lirim drejtuar Kryeministrit Rama, më 3 qershor 2019

 

Zoti Kryeministër, i jepni punonjësve të Policisë së Shtetit Dinjitetin dhe të Drejtat që u garanton Ligji

Pas letrës së parë, Sindikata së bashku me Shoqatën e Oficerëve në Lirim i drejtohet kryeministrit me Letrën e Dytë të Hapur

 

Shoqata i punonjësve të Policisë së Shtetit në Lirim dhe Sindikata e Policisë së Shtetit, ngre para Jush shqetësim e punonjësve të Policisë së Shtetit të dalë në lirim gjatë periudhës 2005 e në vijim. Pa hyrë në arsyet e daljes në lirim, të cilat ishin politike, duam t’Ju shqetësojmë për vënien në vend të të drejtave të tyre të nëpërkëmbura për përfitimin e pensionit suplementar, i cili u takonte sipas ligjit nr.8661 dt. 18.09.2000 “Për Sigurimin Shoqëror Suplementar të Punonjësve të Policisë Shtetit…” Kalvari i gjatë me akte normative, VKM, gjyqe dhe shfuqizimin e ligjit t 137 mësipërm nga Qeveria Berisha dhe rillogaritjen e pensioneve të parakohshme në bazë të ligjit 10142 datë 15.05.2009 “Për sigurimin Shoqëror Suplementar të Ushtarakut të FA të RSH, të Punonjësve të Policisë së Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të Punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, e ka përkeqësuar në mënyrë të ndjeshme masën e pensionit. Bazuar në ndryshimet e sipërcituara, drejtoritë rajonale të sigurimeve shoqërore kanë rillogaritur masën e përfitimit pensionit, sipas së cilës rezulton, se ish-punonjësit e policisë si dhe ata që janë rikthyer në strukturat e Policisë së Shtetit, duhet të kthejnë shumat e konsiderueshme të përfituara nga ligji i mëparshëm që ishte në fuqi në momentin e lindjes së të drejtës së përfitimit të këtij pensioni , çka do të rëndonte tej mase situatën financiare në familjet e tyre. Në këto kushte, për zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshjeje të gjithë ish-punonjësit e policisë që janë prekur nga ky ligj politik, janë nëpër gjyqe me Drejtoritë Rajonale dhe Institutin e Sigurimeve Shoqërore. Të nëpërkëmbur e denigruar janë edhe nga Gjykata e Lartë me Kryetar Zaganjorin, i cili si kryesues në vendimin arbitrar, dhënë nga Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, ka qenë i vendosur për të penalizuar dhe ata punonjës policie që kishin fituar gjyqet në dy shkallë. Sindikata e Policisë dhe Shoqata e Punonjësve të Policisë në Lirim, në pajtim me parimin, se e drejta për pension në kuptimin kushtetues përfshihet në grupin e të drejtave ekonomike sociale, të cilat për nga natyra e tyre janë të drejta pozitive, që nënkuptojnë detyrimin e shtetit për të qenë aktiv dhe për të marrë masa që garantojnë zbatimin e tyre, ka kërkuar rrëzimin e këtij vendimi, duke iu drejtuar instancave shtetërore, përfshi këtu dhe Gjykatën Kushtetuese, e cila mori një vendim arbitrar, edhe pse më herët është shprehur në dy vendimet e saj nr. 24 datë 12.11.2008 dhe nr. 9 datë 26.02.2007, se “siguria juridike presupozon, veç të tjerash, besueshmërinë e qytetarëve të shtetit dhe pandryshueshmërinë e ligjit në marrëdhëniet e rregulluara”. Besueshmëria ka të bëjë me bindjen e individit se nuk duhet të shqetësohet vazhdimisht ose të jetojë me frikë për ndryshueshmërinë dhe pasojat negative të efekteve juridike, të cilat mund të cenojnë jetën e tij private ose personale dhe të përkeqësojnë një gjendje të vendosur me akte të mëparshme”. Organet e pushtetit publik aktualisht nuk kanë kontribuar e vepruar në përmbushje të detyrave të tyre në respektim të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Sindikata e Policisë dhe Shoqata e Punonjësve të Policisë në Lirim bashkë me ish-punonjësit e policisë dhe familjarët e tyre, janë të vendosur të ndjekin të gjitha rrugët, në raste se qeveria nuk do të reflektojë në shqyrtimin dhe zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshjeje. Ish-punonjësit e policisë kanë besim dhe te reforma në drejtësi me gjyqtarë të sistemit të ri të drejtësisë, të cilët me integritet, profesionalizëm dhe të pastruar nga Vetingu, do të gjykojnë çështjet në themel dhe jo si gjyqtarë të tipit Zaganjori. Në rast se nuk do të gjejmë zgjidhje këtu nga qeveria, ish-punonjësit e policisë do të drejtohen për zgjidhjen e çështjes Gjykatës së Strasburgut,

Zoti Kryeministër,

duke Ju falënderuar për vëmendjen, jemi në pritje të rivendosjes së drejtësisë. Duam të sjellim në vëmendjen Tuaj premtimin e bërë në takimin nga ana Juaj me ish-punonjësit e policisë, gjatë fushatës të vitit 2013, se “një nga ligjet e para që do të miratojë qeveria e PS, do të jetë shfuqizimi i ligjit 10142 datë 15.05.2009 “Për sigurimin Shoqëror Suplementar të Ushtarakut të FA të RSH, të Punonjësve të Policisë së Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të Punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, si ligj antikushtetues që cenon rëndë parimin bazë të shtetit ligjor “sigurinë juridike” dhe “humbje e të drejtës së fituar”.

Zoti Kryeministër,

duke shpresuar se do të dini të ngriheni në nivelin e moralit të qytetarit Edi Rama, mbetemi shpresëplotë se do të angazhoheni për një zgjidhje të kësaj çështjeje që ka të bëjë me jetë njerëzish, ka të bëjë me ata punonjës polici,e të cilët një jetë të tërë kanë punuar me devotshmëri në mbrojtje të Rendit Kushtetues, të jetës së qytetarëve e të pronës së tyre, që kanë bërë një jetë të trazuar e plot rreziqe për ata vetë por edhe për familjet e tyre, të cilat jo rrallë e ngrysnin ditën me ankthin e kthimit ose jo në shtëpi të bashkëshortëve, baballarëve, djemve të tyre pas përmbushjes së detyrës. A nuk është edhe sot prezent ky ankth i familjarëve të punonjësve të policisë? Mos harroni i nderuar Z. Kryeministër, se Policia e Shtetit e ka paguar më shtrenjtë se çdo institucion tjetër, me rreth 300 të rënë në krye të detyrës. Kushdo prej tyre mund të kishte paguar me gjak kryerjen e detyrës. Falë zotit, që janë ende në këtë jetë e, për fat të keq, me plot halle. Më së paku, do të ishte në nderin Tuaj që, punonjësit e policisë, të cilët kanë fituar proceset gjyqësore me vendim të formës së prerë e, u është bërë edhe ekzekutimi i vendimit dhe që ato lekë i kanë shpenzuar për një jetë sadopak modeste në shërbim të familjeve të tyre, në shkollimin e fëmijëve, në plotësimin e kushteve për mjekime etj., halle pafund, të amnistoheshin nga detyrimi për të kthyer ato lekë, në të kundërt, do të ishte një shkatërrim i vërtetë i tyre dhe familjeve të tyre .

Mbani fjalën! Mbani premtimin e dhënë! Do të ishte në nderin Tuaj!

 

Duke Ju falënderuar!

Shoqata i Punonjësve të Policisë së Shtetit në Lirim

Sindikata e Policisë së Shtetit