Si kaloi në Doganë pa u kontrolluar dhe pa u deklaruar IMSI CATCHER

488
Megjithëse dy ditë më parë autoritetet italiane dhanë garanci përmes një letre drejtuar organeve ligjzbatuese në Shqipëri, se pajisja Imsi Catcher është përdorur vetëm për trajnimin e oficerëve të policisë shqiptare dhe ajo është poseduar nga misioni Interforce, mbetet ende e pasqaruar sesi ka hyrë pajisja në territorin shqiptar, më saktë sepse ajo nuk është deklaruar dhe nuk është kontrolluar nga autoritetet doganore. Kjo duket se do të jetë edhe pista ku organi i akuzës do të drejtojë hetimet për të zbardhur çështjen në fjalë. Burime nga Prokuroria konfirmojnë për Telegraf se pavarësisht letrës së firmosur nga ish-Drejtori i Policisë Italian, Alessandro Panza, i cili ka konfirmuar se pajisja nuk është përdorur për asnjë lloj përgjimi dhe se ka qenë gjithmonë në zotërim të palës italiane vetëm për qëllime trajnimi, hetimet do të vijojnë deri në zbardhjen e plotë të çështjes. Mësohet se organi i akuzës do të marrë në pyetje të gjithë personelin shqiptar të përfshirë në trajnim, sikundër edhe doganierët e Portit të Durrësit, të cilët kanë qenë në detyrë, në momentin kur pajisja e llojit Imsi Catcher, modeli Vortex i prodhuar nga kompania Ercom, e instaluar në brendësi të makinës, ka kaluar pa u kontrolluar dhe pa u deklaruar. Burimet nga organi i akuzës sqarojnë se hetimet do të nxjerrin në pah nëse punonjësit doganorë nuk kanë përmbushur detyrën, apo atyre i është kërkuar për të lejuar jashtë procedurave ligjore dhe standarde, kalimin e automjetit ku ishte instaluar pajisja. 
Dyshimet, edhe për diplomatët
Megjithëse është deklaruar zyrtarisht se hetimi nga Prokuroria ka nisur pas një informacioni gojor të dhënë nga Shërbimi Informativ Shtetëror, dyshohet se shqetësim për pajisjen në fjalë kanë shprehur edhe shërbime sekrete të vendeve euro-atlantike. Nga të dhëna jo zyrtare mësohet se të paktën dy diplomatë të dy vendeve mike të Shqipërisë kanë shprehur shqetësim mbi interferimin e valëve gjatë komunikimeve, apo është konstatuar se janë gjurmuar. Por sipas burimeve jo zyrtare ky ka mbetur thjesht një shqetësim, i cili duket se ka vënë në lëvizje agjencitë ligjzbatuese dhe institucionet kryesore në vend, ndërsa gjithçka është përforcuar edhe pas deklarimeve të bëra nga Presidenti Bujar Nishani për të zbardhur sa më parë çështjen në fjalë. Megjithëse zyrtarisht nga policia italiane është theksuar se ky aset stërvitor rezulton i konfiguruar në mënyrë të tillë që mos të ketë mundësi të zhvillojë asnjë aktivitet gjurmues, as trafiku zanor, as tekst mesazhe, madje ky konfigurim, i cili nuk është i modifikueshëm nga operatori, nuk lejon as gjurmimin e trafikut të dative, sërish dyshimet mbeten deri në fund të hetimeve nga Prokuroria. Kjo e fundit pritet që brenda pak javësh të mbyllë hetimin mbi çështjen, e cila mund të përbëjë një skandal, nëse rezulton i saktë shqetësimi mbi përgjimin e mbi 370 zyrtarëve shqiptarë, përfshi këtu drejtues të lartë të institucioneve, politikanë, gjyqtarë, prokurorë, diplomatë, gazetarë etj. 
Sigal