Kotzias në Tiranë : Nuk i kemi përzënë çamët

467
Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias ka deklaruar sot se ka dy dokumente që tregojnë se Shqipëria nuk është në luftë me Greqinë. Ai nuk u tërhoq edhe nga çështja çame, për të cilën tha se disa prej tyre ishin bashkëpunëtorë të nazizmit.
-Çështja çame po diskutohet prej kohësh, ndërsa Greqia nuk e njeh. U diskutua sot kjo? 
Bushati: “Besoj se isha i qartë kur fola për kompleksitetin e marrëdhënieve mes dy vendeve, listën e çështjeve dhe kategorizimit që i kam bërë çështjeve në tre shporta. Respektojmë pikëpamje të ndryshme që kemi me ministrin Kotzias për disa çështje, por s’ka diskutim që përsa na përket ne, çështja çame është pjesë e shportës që e ka origjinën në luftën e dytë botërore. Jemi vende fqinj dhe është deri diku normale që të kemi lexime të ndryshime për këtë çështje. 
Një trajtim realist do zbuste tonet nacionaliste dhe do vendoste një drejtësi të munguar. Nuk bëhet fjalë as për pretendime territoriale dhe ne nuk kemi pretendime territoriale ndaj Greqisë. Kur flasim për këtë çështje ajo ka të bëjë me respektimin e të drejtave themelore të çamëve dhe pasardhësve të tyre. Flasim për një proces që çdo pengesë e karakterit diskriminues do duhej të hiqej. Ne duam të ndërtojmë një shoqëri që bazohet te e drejta. Besojmë se është e mundur të marrim shembullin nga praktika gjermano-franceze për nderimin që i bëhej të rënëve në Luftën e Parë Botërore. Jemi në këtë lloj diskutimi ku parimet e fqinjësisë së mirë, respekti për integritetin territorial dominojnë. 
-Jeni shprehur se ligji i luftës është teknikalitet. Pse nuk është hequr dhe kur keni në plan ta hiqni? 
Kotzias: “Greqia beson se me deklaratën e Këshillit të Ministrave të 1987 ne nuk jemi në luftë. Kjo është e vërtetë. Marrëveshja e Miqësisë në 1996 që është një marrëveshje mes dy vendeve është e vërtetë. Integrimi i Shqipërisë në NATO dhe perspektiva në BE na bën jo vetëm miq, por edhe partnerë. Nëse ekzistojnë nga pala tjetër dyshime nëse jemi në luftë, do ta diskutojmë. 
Sa i përket çështjes çame është e ditur se kemi një grup shumë të madh çamësh që janë shqiptarë dhe jetojnë në Shqipëri. Uroj që në këtë grup të kenë perspektivë, të kenë edhe ata fitime nga integrimi i Shqipërisë në BE. 
Por janë disa çamë të vjetër, që janë qytetarë grekë. Ekzistojnë edhe disa çamë që bashkëpunuan me pushtuesin gjerman, që kishin bërë komisionet e kontrollit dhe zhvatjes së pasurive, të cilët u dënuan nga gjykatat greke në bazë të ligjit grek dhe ligjeve ndërkombëtare. Në ndryshim me njerëz të tjerë që jepnin llogari në Europë, ata u larguan nga vendi dhe nuk u ekzekutuan. Duhet të kemi kujdes kur flasim për këta çamë, nuk nënkuptojmë asnjë grup qytetarësh shqiptarë dhe nuk nënkuptojmë Shqipërinë. Disa duan të bëjnë të njëjtë bashkëpunëtorët e nazizmit dhe ata që jetojnë në Shqipëri”.
Sigal