Drejtësia dhe Banka e Shqipërisë “harrojnë” Iute Credit Albania dhe Kredo
A po i fal drejtësia ‘Iute Credit Albania’ dhe ‘Kredo’ që janë “magazina” të Micro Credit Albania në skemën e mashtrimit me kreditë? Banka e Shqipërisë merr në dorë “kreditë e këqia”.
“Përmes kësaj marrëveshje Iute i shiti MCA-së 56.2 milionë lekë kredi të këqija me një çmim total prej 7.2 milionë lekë ose sa 12.8 për qind e vlerës së kredisë”.
Një ditë pasi Prokuroria e Tiranës vendosi nën akuzë shoqërinë Micro Credit Albania dhe lëshoi 9 urdhër arreste për mashtrimin me mikrokreditë, reagoi edhe Shoqata Mikrofinanca Shqiptare. Përmes një deklaratë të shpërndarë për mediat, Shoqata Mikrofinanca Shqiptare u shpreh se Anëtarët e saj distancohen me forcë nga Shoqëritë e Mbledhjes së Kredive, të cilat operojnë nëpërmjet praktikave jo-ligjore, jo-etike, korruptive. Megjithatë dokumentet autentikë faktojnë se disa prej anëtarëve të kësaj shoqate, të cilët tani distancohen me forcë nga MCA, janë furnitorët e kasaphanës së mashtrimit me kreditë e këqija. Kapitali publikon disa prej tyre. Në datën 14 maj 2021, Iute Credit Albania, një nga anëtarët kryesore të shoqatës Mikrofinanca Shqiptare, nënshkroi një marrëveshje kuadër me kompaninë Micro Credit Albania.