Ish-ministri I Financave, Prof.Dr.Arben Malaj jep alarmin: Mospagesa e sigurimeve shoqërore nga 1100 institucionet shtetërore përveccse konsiderohet vjedhje, nuk lejon rritjen e pensioneve dhe rrezikon ekzistencën e vetë shtetit. Heshtja e Parlamentit, auditimi nga KLSH dhe masat urgjente që nga bllokimi I dietave, udhëtimeve, titullarët abuzues, largimi I militantve që kanë fryrë administratën etj.
Ish-ministri i Financave, Prof. Dr. Malaj jep alarmin
Shteti ka rënë, nuk ka lekë për rrogat e pensionet!
Ish-ministri i Financave në qeveritë socialiste, Prof. Dr. Arben Malaj, ka ngritur shqetësimin mbi borxhet e papaguara në 2018 të sigurimeve shoqërore, që arrijnë në vlerën e 14 miliardë lekë ose 110 milionë euro. Prof. Dr. Arben Malaj shkruan se, mospagesat vijojnë të përkeqësohen në rreth 1100 institucione, ndërsa thekson se disa institucione nuk kanë derdhur as pjesën e sigurimeve shoqërore që iu kanë mbajtur punonjësve nga pagat e tyre. Në kushte të tilla, Malaj thotë se duhet transparencë, pasi heshtja i bën këto institucione përgjegjëse për situatën.
Prof. Dr. Arben Malaj: Shteti (nuk) ka rënë
Në media është deklaruar se, në fund të vitit 2018 borxhet e pa-paguara të sigurimeve shoqërore arritën në 14 miliardë lekë, ose 110 milionë euro. Një pjesë e konsiderueshme e tij i përket pushtetit vendor. Mospagesat vazhdojnë të përkeqësohen në rreth 1100 institucione. Qartësimi i kësaj situate, transparenca maksimale me punonjësit e sektorit publik që nuk u paguhen sigurimet shoqërore, prezantimi i një plani konkret se si dhe deri kur do të shlyhen këto detyrime, qartëson, në qoftë se shteti nuk ka rënë. Kjo është një çështje sociale shumë kritike për të gjithë punonjësit. Disa institucione nuk kanë derdhur as pjesën e sigurimeve shoqërore që ju kanë mbajtur nga paga e tyre. Kjo mund të konsiderohet “vjedhje” e parave të tyre deri atëherë kur këto shuma vërtetohet se janë derdhur në sigurimet shoqërore. Njëkohësisht, mos-pagesat fshehin deficitin buxhetore dhe borxhin publik të një vendi, kjo prodhon paqartësi dhe pasiguri për të ardhmen. Mospagesat cenojnë rëndë kredibilitetin e qeverisjes. Në një vend të qeverisur me përgjegjësi morale dhe ligjore sapo këto shifra të bëheshin publike, qeveria, dhe bashkitë duhet të bënin sqarim publik për saktësinë e shifrave dhe planin konkrete të shlyerjes së tyre. Heshtja i bën përgjegjës edhe ligjore. Disa hapa të menjëhershme duhen të ndërmerren pa vonesë:
(1) Interpelancë parlamentare me kryeministrin.
(2) Verifikim i shifrave nga KLSH.
(3) Identifikimi i drejtuesve të institucioneve që kanë shkelur ligjin, duke mos paguar në të njëjtën kohë pagat dhe sigurimet shoqërore dhe penalizimi për shpërdorim detyre;
(4) Identifikimi i përgjegjësisë për punonjësit e thesarit që kanë lejuar pagimin e pagave pa paguar në të njëjtën kohë sigurimet shoqërore;
(5) Bllokimi i menjëhershëm i çdo shpenzimi operativ dhe i investimeve për zyra, makina, pajisje, shërbime brenda dhe jashtë vendit, deri në shlyerjen e detyrimeve të prapambetura;
(6) Bllokimi i çdo shpenzimi për udhëtim e dieta për aktivitete ndërkombëtare, duke e deleguar përfaqësimin në nivel ambasadori.
(7) Detyrimi i institucioneve përgjegjëse, që brenda 15 ditëve të paraqesin programin e shkurtimit të shpenzimeve operative dhe afati i shlyerjes së detyrimeve të prapambetura për sigurimet shoqërore.
(8) Një analizë e thelluar për eliminimin e fryrjes së numrit te punonjësve për motive politike e nepotiste në institucionet që nuk kanë paguar sigurimet shoqërore;
(9) Qartësimi publik nga qeveria i hapave konkrete ligjore dhe administrative të ndërprerjes së mos pagimit në të njëjtën kohë të pagave dhe sigurimeve shoqërore dhe të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura brenda afateve konkrete.
Pensionistët e sotëm dhe ata të viteve të ardhshme si edhe taksapaguesit shqiptarë nuk duhen rënduar me kostot e rënda të mos pagimit të sigurimeve shoqërore.
- Pensionistët penalizohen nga mos rritja reale e pensioneve,
- taksapaguesit do të rëndohen nga rritja e taksave për të mbyllur gropën e madhe dhe në rritje të deficitit të skemave sociale, deficitit buxhetore dhe rritjen në nivele kritike të borxhit publik zyrtar dhe të fshehur, (Ky reagim publik nuk shpreh qëndrim të BSH-së).



















