Shqiponja me tri kokë “fluturon”, drejt Komisionit të Venecias

432
Megjithë përpjekjet e vazhdueshme të faktorit ndërkombëtar dhe sidomos të ambasadorëve të SHBA dhe BE për gjetjen e një konsesusi, palët politike pothuaj ruajtën pozicionet e mëparshme për Reformën në Drejtësi. PS këmbëngul dhe vendosi që të mbajë variantin e saj, PD ka kërkuar respektimin e rekomandimeve të Venecias, ndërsa LSI ka dhënë rezervat e saj rreth këtij drafti përfundimtar
Komisioni Parlamentar për Reformën në Drejtësi vendosi të premten që t’i përcjellë Komisionit të Venecias për marrje mendimi tekstin e rishikuar të ndryshimeve kushtetuese të hartuar nga ekspertët e nivelit të lartë si dhe opinionet e grupeve politike parlamentare të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në mbyllje të diskutimit të djeshëm rreth draftit të hartuar nga ekspertët e lartë, kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj tha se: “Së pari, të gjithë biem dakord dhe shprehim vullnetin politik si ligjvënës se reforma në drejtësi është themelore për procesin e integrimit, por mbi të gjitha për demokracinë në Shqipëri, shtetin e së drejtës dhe qytetarët shqiptarë. Së dyti, biem dakord se projekti që kemi ka një bazament të shëndetshëm, me të cilin të gjithë ndajmë shumë të përbashkëta, por me rezerva, pasi kemi dhe këndvështrime të ndryshme për çështje të veçanta nga pikëpamja e leximit që i është bërë rekomandimeve të Komisionit të Venecias, tha Xhafaj. Të dyja këto momente, si vullneti politik ashtu dhe pikat e përbashkëta në draft janë një bazament i rëndësishëm që ne do mund të vazhdojmë një dialog për të gjetur një konsensus shumë më të gjerë se sa ky që kemi sot”. Në fjalën e tij ai e theksoi si pozitive faktin që kolegët e opozitës trajtuan sot tre çështje themelore që janë në bazamentin e këtij drafti,lufta kundër korrupsionit brenda sistemit, eficenca dhe përgjegjshmëria e sistemit në raport me dukuri të korruptive dhe së treti, çështja e kapjes politike të sistemit. Dy të parat, tha kreu i komisionit, kanë mirëkuptimin e përgjithshëm, por sa i takon së tretës kemi këndvështrime të ndryshme, por dhe për këtë mund të gjejmë emërues të përbashkët. 
Prezantohet drafti i ekspertëve, PD dhe LSI japin opsionet e tyre
Në nisje të mbledhjes, eksperti Sokol Sadushi bëri një prezantim përmbledhës të draftit kushtetues të ripunuar, duke shpjeguar se grupi i punës “ka shkuar drejt asaj që thotë Venecia për një thjeshtim skeme dhe jo fshirje institucionale, një thjeshtim që ka të bëjë më shumë me mënyrën e bashkëpunimit institucional dhe zhdërvjelltësi, si dhe thjeshtim në përbërje dhe kompetenca”. Sa i takon ngushtimit të aneksit, grupi e ka strukturuar saktë duke u përqendruar tek përbërja, ngritja dhe organizimi i institucioneve të përkohshme, tha në vazhdim të fjalës së tij Sadushi. “Edhe për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, ndryshimet kanë reflektuar të gjitha rekomandimet e Venecias”. Eksperti i maxhorancës theksoi se grupi hartues i paketës kushtetuese është treguar rigoroz në procedurat përzgjedhëse të gjyqtarëve, që ato të parashikohen përmes rregullash të qarta dhe të ndershme. Gjithashtu, sipas Sadushit, projekti i rishikuar përcakton një marrëdhënie më të qartë, se sa në draftin fillestar, mes Prokurorit të Përgjithshëm dhe Strukturës së Posaçme Antikorrupsion.
Lulzim Basha: Kryeministri i druhet konsensusit 
Pas mosdakordësisë mes palëve, ka dalë në një deklaratë për shtyp Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha. Në këtë dalje mediatike Basha ka folur për reformën në drejtësi. “Kush e quan pazar, konsensusin që kërkon komisioni i Venecias për reformën në drejtësi? Tregtari i paskrupullt i politikës, spekulanti më i madh i pazareve më të pista në vend, ai që ka bërë pakt me krimin, themeluesi i aleancës së qelbësirave, ai që i zvarritej Nanos dhe i përkuljes Metës kur ia lypte nevoja dhe sa kalonte lumin ngrinte kurthe për ta, politikani që s’ka mbajtur një fjalë apo një premtim që ditën e parë e deri më sot”. Në fjalën e tij Basha e theksoi se Rama e quan pazar konsensusin, njeriu që futi kriminelët në bashki, zyra publike e Parlament, erdhi me ta në pushtet e ndau pushtetin me ta. E quan pazar konsensusin për drejtësinë, kumbari i pazareve me doganat dhe tatimet, me shullazët dhe habilajt, me tenderët dhe koncesionet, me papulët dhe carapulët, nushët e beqët. Konsensusi që kërkon komisioni i Venecias, është rruga që e shpëton drejtësinë nga kapja politike. Basha theksoi se konsensusi zhduk pazarin. “Pikërisht, kësaj i druhet Rama, ky është temjani që e tremb atë. Sepse një drejtësi e pakapur është problem serioz për këtë që ndau me CEZ-in 600 milionë euro, për këtë që ka dhënë mbi 360 milionë euro koncesione miqve të tij. Është problem drejtësia e pakapur për përgjegjësinë e 777 milionë euro vjedhje në tenderë, për 400 milionë dollarë që u vodhën vjet në dogana. Një drejtësi e pakapur do të ishte në anën e Qamil Zelës, Llazi Nasit, Gjovalin Lazrit, Arif Dodës, Bruna Mekës, Mark Brahimajt, Fluturim Cukut e shumë qytetarëve që korrupsioni, padrejtësia, arroganca e qeverisë dhe bandave të Edi Ramës u mori jetën. E po kështu, një drejtësi e pakapur do të ishte problem për Prengët, Ndokët, Bushët, Roshët, Pecët, Ndonët e cubat e Edi Ramës, për Kokëdhimët, Tahirët, Beqajt, Ahmetajt e Gjiknurët e për vetë kreun e bandës së 40 hajdutëve. Dhe një drejtësi e pakapur, do të zhvlerësonte armën diabolike që ka Rama, dosjet dhe shantazhet që mban për aleatin e tij, Meta dhe kundërshtarët brenda partisë dhe të korruptuarit e politikës kudo qofshin. Kjo është e tmerrshme për Edi Ramën, ndaj ai këmbëngul të kapë me çdo kusht drejtësinë, edhe pse ashtu si Venecia edhe opinioni vendas e ndërkombëtar kërkon të kundërtën. Referendumi është vërtet një mundësi e shkëlqyer. Referendumi e ka emrin zgjedhje të parakohshme, shansi që qytetarët të cilët me kohë e kanë grisur kontratën me Edi Ramën, të japin gjykimin e tyre përfundimtar për qeverisjen e tij të dështuar, të korruptuar dhe kriminale.
Spartak Braho: Konsensusi, rruga ku duhet të arrijmë të gjithë partitë politike
Në qëndrimin e tij, përfaqësuesi i LSI-së në komisionin e posaçëm, deputeti Spartak Braho, ndonëse e vlerësoi punën e ekspertëve të lartë, sërish vuri në dukje rezervat e kësaj force politike, duke e vënë theksin tek konsensusi për reformën në drejtësi. Mendimet ndryshe për një sërë çështjesh që parashikon reforma, LSI i paraqiti në formën e paketës me propozime, të cilën e dorëzoi dje në komision. Braho u shpreh: “LSI i qëndron mendimit se dialogu është mjeti dhe konsensusi, rruga ku duhet të arrijmë. Ne nuk jemi për konsensusin e pazareve, por për atë profesional. Dialogu politik duhet të bëhet këtu, në tavolinë, jo duke u larguar nga tavolina”, Duke përshëndetur ardhjen në komision të përfaqësuesve të opozitës, Braho shprehu besim se edhe ata do të vijojnë të jenë aktivë në procesin e dialogut. Ai kërkoi nga palët që mos e paragjykojnë njëri-tjetrin dhe të mos nxisin paranoja. “Ne këtu në komision na dominon fakti që jemi profesionistë, juristë dhe na duhet ta paragjykojmë sa më pak njeri-tjetrin”, u shpreh Braho. Ai renditi pikat ku LSI ndahet nga projekti i propozuar nga ekspertët e lartë, si sistemi i karrierës, mandati i institucioneve; një tjetër riformulim për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, sipas modelit gjerman; një tjetër opsion për organizimin e Gjykatës së Lartë dhe për organizimin e Prokurorisë, duke e parë këtë të fundit si një organ të unifikuar, me të drejtën dhe mundësinë që të funksionojnë pranë saj dhe struktura të tjera të posaçme antikorrupsion. Propozimi i fundit i LSI-së lidhej me riformulime në ligj që lidhen me një rol më aktiv të ministrit të Drejtësisë. Thelbi i këtyre propozimeve, theksoi Braho, na orienton tek sugjerimet e Komisionit të Venecias, të cilat, veç dhjetra vërejtjeve të karakterit teknik kanë dhe një problematikë shumë parimore. Çfarë kërkon Venecia? Kërkon që procesi të jetë konsensual dhe kësaj ne nuk i shpëtojmë dot. Kush i largohet dialogut ose konsensusit nuk i përfill orientimet e Venecias, nënvizoi ai. Braho tha: “ndërhyrjet në Kushtetutë, pak a shumë duhet të jenë minimaliste dhe vërejtja jonë është që shumë gjëra mund të bëhen edhe përmes ligjeve funksionale të organizimit të këtyre institucioneve.” Në fund të fjalës së tij deputeti i LSI-së gjykon se komisioni i posaçëm duhet të vazhdojë punën pa ndërprerje sipas një itinerari, me disa stacione. “Stacioni i parë është puna e ekspertëve, i dyti komisioni i posaçëm dhe i treti Venecia, vajtje-ardhje disa herë”, u shpreh Braho. 
Pandeli Majko: Ne po i drejtohemi Venecias, për të shprehur reflektimin ndaj vërejtjeve të saj
Nuk mungoi as fjala e Pandeli Majkos, anëtarit socialist të komisionit, i cili u shpreh se askush nuk mund të bëhet ekspert i Venecias, pasi drafti i ekspertëve të nivelit të lartë, po i drejtohet këtij Komisioni për të shprehur një mendim. “Ne po i drejtohemi Venecias për t’u shprehur se si janë reflektuar vërejtjet e saj. Nuk mund të bëhet askush nga ne përfaqësues i komisionit dhe të thotë se si i kanë trajtuar ekspertët vërejtjet”, u shpreh deputeti Majko. Ai theksoi se më i rëndësishëm se konsensusi politik është integrimi i Shqipërisë në BE, pasi ky proces lidhet shumë me këtë reformë. “Megjithë ndonjë reflektim që do të na duhej nga Komisioni lidhur me çështjen e përdorimit të 2/3 apo 3/5, në fund duam një sistem funksional dhe jo të diskutohet në marrjen ose jo nga politika në duart e saj të qeverisjes së drejtësisë”, tha Majko. Drafti i rishikuar i ndryshimeve kushtetuese, i hartuar nga grupi i ekspertëve të lartë, është i vetmi dokument i paraqitur sot në komision, ndërsa në media është publikuar dhe një tjetër draft i Ministrisë së Drejtësisë, për të cilin ekspertët e lartë thanë se e kanë përfshirë në projektin e tyre final. 
Halimi: Drafti duhet të ishte konsensual, të zbatonte udhëzimet e Venecias
Deputeti, Eduard Halimi e vlerësoi draftin e ekspertëve të lartë si ‘kapje politike të sistemit të drejtësisë”. Drafti, u shpreh Halimi, duhet të ishte konsensual dhe të zbatonte një më një udhëzimet e opinionit të Venecias. Sipas opozitës, kjo ishte rruga e duhur që duhej ndjekur që në fillim nëse palët do të lexonin raportin e Venecias, ku 15 nga pikat e draftit të parë bien me standardet e demokracisë. Mes këtyre pikave, tha Halimi, Venecia thekson prezencën e ministrit të Drejtësisë, kapjen e Komisionit të Kualifikimeve, kapjen e drejtësisë, çimentimin e kapjes së saj. Megjithatë opozita është e mendimit se nuk është vonë për arritjen e konsensusit mes palëve, bazuar gjithmonë tek rekomandimet e Venecias.
Sigal