Shqipëria vend transit për klandestinët drejt BE-së. Ndalohen 10 emigrantë sirianë në Shkodër

501
Sigal

10 emigrantë klandestinë sirianë u ndaluan në Shkodër e Malësi të Madhe këtë të  premte. Shtatë klandestinë u ndaluan në lulishten pranë Xhamisë së Shkodrës dhe tre të tjerë në Malësi të Madhe bashkë me drejtuesin e një mjeti që po i transportonte drejt kufirit të gjelbër me Malin e Zi. Edhe gjatë vitit që lamë pas një numër i lartë i shtetasve të ardhur nga vendet e treta hynë në territorin shqiptar me qëllim kalimin drejt Malit të Zi, e për ta vijuar udhëtimin në vendet e Bashkimit Evropian. Shqipëria bëhet vend transit për klandestinët afrikanë dhe aziatikë, që duan të mbërrijnë në shtetet e Evropës Qendrore.  Për 5 muaj të 2018-s, u raportua zyrtarisht, për mbi 1600 emigrantë nga Siria që kërkuan azil në Shqipëri, duke e dyfishuar numrin në raport me 2 vite më parë. Por, nëse bëhet një bilanc me vendet e rajonit, ne kemi ende një numër shumë herë më të ulët të emigrantëve ilegalë që vijnë kryesisht nga vendet në konflikt. Kufiri me Malin e Zi në Shkodër mbetet i lakmuar për të huajt, pasi mbetet ura lidhëse me Evropën, prandaj policia ka shtuar kontrollet. Të enjten Policia e Lezhës goditi një tentativë të trafikimit të emigrantëve, ndërsa vuri ne pranga dy persona që akuzohen se mashtruan 4 shtetas që vinin nga vendet e treta, për t’i transportuar nga Tirana në Kosovë.