Padi për prefektin, mori atributet e kryebashkiakut Spahiu

544
Sigal

Kryebashkiaku i Skraparit, Nesim Spahiu dorëzoi në prokurori një padi ndaj prefektit të Beratit, të cilin e akuzon për shpërdorim detyre dhe mbledhje të paligjshme të Këshillit Bashkiak, pas një përplasjeje për buxhetin. Përplasja politike mes Partisë Socialiste dhe LSI-së në Skrapar ka bllokuar në fund të dhjetorit miratimin e buxhetit të bashkisë. Ndërkohë, një buxhet i miratuar nga këshilltarët e PS-së në fillim të këtij viti konsiderohet i paligjshëm prej kryebashkiakut, i cili ka bërë padi në prokurori ndaj prefektit të Qarkut të Beratit, ndërsa pretendon se buxheti i miratuar flak në rrugë 148 punonjës. Kryetari i Bashkisë së Skraparit, Nesim Spahiu thotë në padi se pas dështimit për të votuar buxhetin në dhjetor, prefekti Harilla Dafa duhej të njoftonte qeverinë për të shpërndarë këshillin, por ai ka mbledhur këshilltarët socialistë dhe ka votuar një buxhet të bashkisë pa qenë e pranishme në mbledhje administrata e kësaj të fundit.

Prefekti Dafa i tha BIRN se nuk kishte bërë shkelje dhe se mbledhjen e këshillit e kishte thërritur me kërkesë të kryebashkiakut. Dafa tha se do të përballej me kryebashkiakun Nesim Spahiu  sipas ligjit. Bashkia e Skraparit u fitua nga koalicioni i madh mes PS dhe LSI në zgjedhjet e vitit 2015. Kryebashkiaku u propozua nga Lëvizja Socialiste për Integrim sipas marrëveshjes së koalicionit. PS ndërkohë ka marrë shumicën e Këshillit Bashkiak. Një sërë mbledhjesh të planifikuara të Këshillit Bashkiak kishin dështuar në muajin dhjetor. Një mbledhje e thirrur nga prefekti, në 28 dhjetor, po ashtu dështoi. Kryebashkiaku pretendon se, pas kësaj mbledhjeje, Këshilli Bashkiak duhej të shpërndahej me vendim të qeverisë, por prefekti ka thirrur sërish këshillin dhe vetëm me këshilltarët e PS ka miratuar një version të buxhetit. Kryebashkiaku Spahiu pretendon në padi, se kjo mbledhje e bërë, më 4 janar 2019 është e jashtëligjshme dhe është zhvilluar pa prezencën e përfaqësuesve të kësaj bashkie. Kryebashkiaku i Skraparit Spahiu thotë se në këtë mbledhje, sipas tij të të jashtëligjshme “janë marrë vendime tërësisht antiligjore, me karakter të theksuar të hakmarrjes politike”. Spahiu pretendon se mbledhja e datës 4 Janar, me votat e këshilltarëve socialistë, ka vendosur në mënyrë të paimagjinueshme shkurtimin drastik në nivelin 50% të punonjësve të Bashkisë së Skraparit. Ndër vendimet e marra përfshihet edhe shkrirja e 6 njësive administrative në tre të tilla. “Ky votim antiligjor ka bërë që 65% e stafit të administratës së bashkisë së Skraparit të reduktohet dhe 148 punonjës të kësaj bashkie të flaken në rrugë”, thotë kryebashkiaku në padi.  Ai pretendon gjithashtu se është e provuar që prefekti ka “shfrytëzuar funksionin publik për qëllime të mirëfillta personale, në kundërshtim me ligjin”.