Shqipëria sot në protestë/ Opozita do bllokojë në orën 18.30, pesë akset kombëtare për 1 orë në Tiranë, Durrës, Fier, Elbasan dhe Milot

564
Sigal

Opozita radikalizon protestat, qëllimi është largimi i Edi Ramës nga kryeministria

Sot bllokohen 5 akset kryesore kombëtare të vendit

Pardje 14 parti nënshkruan me PD marrëveshjen për krijimin e koalicionit qeveritar. Një nga vendimet më të rëndësishme të kësaj marrëveshjeje ishte edhe përshkallëzimi i protestave të Opozitës së Bashkuar në gjithë vendin dhe radikalizmi i tyre, me qëllim që të largojnë nga posti i kryeministrit Edi Ramën, të krijohet një qeveri transitore e cila do të kujdesohet për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, si edhe moszhvillimi i zgjedhjeve vendore në 30 qershor 2019, pa pjesëmarrjen e opozitës.

Sot bllokohen për 1 orë 5 akset kombëtare në gjithë Shqipërinë

Sot opozita nuk do të jetë para parlamentit për të protestuar, por do të ndryshojë strategji, duke bllokuar qarkullimin pothuajse në gjithë vendin. Sot pasdite, protestuesit e opozitës do të përqendrohen në 5 akse rrugore kryesore, duke i mbajtur të bllokuara në shenjë proteste për më shumë se 60 minuta. Protesta e opozitës do të mbahet pasditen e së enjtes në orën 18:00, ndërsa qytetarët do të vendosen për të bllokuar lëvizjen përkatësisht në rrethrrotullimin e Bradasheshit në Elbasan, autostradën Plepa-Kavajë në Durrës, kryqëzimin e Milotit në Lezhë, rrethrrotullimin e Sheqit në Fier, dhe rrethrrotullimin e Shqiponjës në Tiranë. Kryetari i PD Lulzim Basha, do t’i bashkohet protestuesve në kryeqytet.

 

Ja 5 akset kombëtare që do të bllokohen

Tiranë, rrethrrotullimi Shqiponja

Durrës-Kavajë, Plepa Autostradë

Fier, rrethrrotullimi Sheq

Elbasan, rrethrrotullimi Bradashesh

Milot, karburanti në autostradë