Sigal

Gjykata Kushtetuese as në 2019-n e ka të vështirë të funksionojë, për shkak të vetingut

Sot Shqipëria është i vetmi shtet në Botë që nuk Rend Kushtetues, sepse nuk ka Gjykatë Kushtetuese. Kushtetuta e Shqipërisë, pa Gjykatën Kushtetuese është një copë letër e pavlerë. Pa Gjykatë Kushtetuese askush nuk ka dhe nuk gëzon të drejta kushtetuese, të Drejtat Themelore të Njeriut. Pa Gjykatë Kushtetuese nuk ka as ndarje dhe pavarësi të pushteteve dhe, në kësi rastesh, në një shtet pa rend kushtetues, pushteti ekzekutiv, kryeministri, ka në dorë të përqendruar të gjitha pushtetet. Kur PS-ja ishte në opozitë, gjatë 8 viteve dërgoi në Gjykatën Kushtetuese 20 çështje, ligje dhe vendime të qeverisë së asokohshme dhe Gjykata Kushtetuese dha 17 herë verdiktin kundër këtyre ligjeve.

 

Frika e kryeministrit Edi Rama ndaj Gjykatës Kushtetuese

Edi Rama si opozitar 8 vite e përdori Gjykatën Kushtetuese për synimet dhe interesat e veta politike, sesa për të ruajtur Rendin Kushtetues. Ndërsa në pushtet, Edi Rama është i pari që ka frikën e madhe ndaj Gjykatës Kushtetuese, për të gjitha ato ligje, VKM-ra që ai, si kryeministër, miraton në parlament dhe qeveri për interesat e veta politike, ekonomike, por që e di, që janë në kundërshtim me vetë ligjin, me Kushtetutën, me interesat e qytetarëve dhe të Shqipërisë. P.sh., ligji për gremisjen e Teatrit Kombëtar, është ligj që, sipas denoncimeve që u bënë pardje edhe në seancën parlamentare  nga  shumë deputetë, shkel shumë ligje të tjera. Shumë VKM-ra, sikurse VKM-ja për shfuqizimin e ligjit 7501 për toka bujqësore në Bregdet, por edhe shumë ligje, si p.sh., ato të koncesioneve, nëse do të funksiononte Gjykata Kushtetuese, ato do të rrëzoheshin aty. Por edhe nënshkrimi i marrëveshjes Shqipëri-Greqi, për përcaktimin e kufijve detarë dhe çështje shumë të rëndësishme kombëtare, sikurse është “Çamëria” nuk mund të bëhen, për sa kohë nuk funksionin Gjykata Kushtetuese.