Shqipëria nën vasalitetin e Serbisë, mbyllen dyert për në BE

313
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Flasin për takimin në kuadër të minishengenit   Prof. Enver Bytyçi, Prof. Shaban Murati, Enver Robelli

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka pritur në një takim në kuadër të minishengenit, homologun e tij shqiptar Edi Rama dhe presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç. Ky takim u zhvillua pikërisht në datën kur 108 vjet më parë në Konferencën e Londrës trojet shqiptare u copëtuan nga Fuqitë e Mëdha. Kjo është një fitore e shkëlqyer e diplomacisë të Serbisë. Në vend që të hapemi në fillim ndaj Kosovës, ne e braktisim Kosovën, i vendosim taksa rrugësh dhe hapemi ndaj një vendi që nuk e njeh Kosovën si shtet! Shqiptarët nuk kanë të ardhme jashtë orientimit Euroatlantik dhe NATO-s.Zaev bën me dije se në qendër të diskutimit në këtë takim ka qenë bashkëpunimi për zhvillimin e Ballkanit shtëpisë së përbashkët.Biseduam me qytetarët në qendër të Shkupit, në kuadër të Forumit Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal që mbahet për herë të parë në Maqedoninë e Veriut, si dhe hapjen e perspektivave të reja për lidhjen tonë. Në krah Aleksandër Vuçiç dhe Zoran Zaev, kryeministri Edi Rama ka mohoi ndihmën e parë që erdhi nga Forcat Speciale të Kosovës në 26 nëntor kur vendi ynë u godit nga tërmeti tragjik. Forcat nga Kosova që mbërritën në Thumanë ende pa lindur dielli duket se nuk janë parë nga kryeministri, i cili sot u shpreh se ndihma e parë na erdhi nga Serbia. Në samitin nuk munguan dhe lajkat mes Zoran Zaev, Aleksandër Vuçiç dhe Edi Ramës.Ndërsa po fliste për lehtësitë që ofron nisma rajonale, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, përpara se drejtuesi i forumit t’i jepte fjalën Ramës, tha se është dakord me çfarë do që të thotë në vijim kryeministri i Shqipërisë.

Enver Robelli: Parulla e “integralistëve” të Ballkanit është: “Ta lëmë prapa të kaluarën”, por është Serbia që nuk po e lë prapa

E kaluara s’harrohet kurrë, sepse janë varret e viktimave të pafajshme të Serbisë, që harresën e bëjnë të pamundur. Çfarë po synon Serbia është dominimi në rajon pa e pranuar realitetin si, për shembull, Kosovën e pavarur

Parulla e “integralistëve” të Ballkanit është kjo: “Ta lëmë prapa të kaluarën”. Por është Serbia që nuk po e lë prapa të kaluarën. Krerët e saj politike flasin ore e çast për “botën serbe” [srpski svet], kryetar i së cilës projektohet të jetë presidenti aktual serb. Ideja e botës serbe është eufemizëm për Serbinë e Madhe. E kaluara lihet pas, kur Serbia shpreh keqardhje për krimet masive dhe tragjeditë qe i ka shkaktuar kudo në rajon.

E kaluara s’harrohet kurrë, sepse janë varret e viktimave të pafajshme të Serbisë, që harresën e bëjnë të pamundur. Çfarë po synon Serbia është dominimi në rajon pa e pranuar realitetin si, për shembull, Kosovën e pavarur. Presidenti serb po kërkon aleate për ta izoluar Kosovën, ku shqiptarët e Kosovës trajtohen si qytetarë te rendit të dytë, që duhet t’i nënshtrohen nismave të tij rajonale. Një shofer i Kosovës në kufi me Serbinë duhet të çmontojë targat dhe çdo shenje të shtetësisë së Kosovës. Një serb i Kralevës udhëton nga Kraleva në Kurvelesh pa asnjë problem. Politikanët serbë mund t’i ofendojnë shqiptarët e Kosovës me terma raciste [“šiptari”]. Mund të mohojnë masakrat e mëdha në Kosovë. Pa asnjë konsekuencë. Beogradi integrimin rajonal e sheh vetëm si zgjerim të mundësive për të sabotuar edhe më shumë Kosovën me struktura paralele. Kriminelet serbe të luftës trajtohen si heronj në Serbi. Librat e tyre i boton Ministria e Mbrojtjes e Serbisë. Gjeneralët serbe që në vitet 90-të kanë komanduar ushtrinë serbe nga Prishtina, marrin ftesa për të ligjëruar në shkollat ushtarake serbe. Kosova gjatë historisë shpesh ka qenë e rrethuar nga politikanë dashakeqës nga fqinjësia. Por Kosova në shekullin e 20-të e ka dëshmuar disa herë shpirtin e saj kryengritës dhe nuk është nënshtruar. Nuk do te nënshtrohet as kësaj radhe. Ajo çfarë synon presidenti serb është e qartë: dëshiron t’ju thotë shqiptarëve të Kosovës – ne ju masakruam, ulni kokën dhe hani biskota të fabrikave serbe. Çdo bashkëpunim rajonal është i pamundur pa e pranuar Serbia shtetësinë e Kosovës.

Prof. Dr. Enver Bytyçi: Shqipëria nën sundimin e Serbisë!?

Sot(dje) në Shkup u bë tentativa e katërt për krijimin e Jugosllavisë së re nën sundimin e Serbisë. Ka shumë detaje ku fle djalli. Por po veçoj vetëm dy: Aleksandër Vuçiç tha se në vitin 2015 (në fakt ishte tetori e nëntori i 2014-ës) ne u takuam me Edin si armiq. Duke e theksuar këtë presidenti i Serbisë tha se atëhere e bëmë këtë për konsum të brendshëm. D.m.th për të fituar kapital politik Edi te shqiptarët dhe Vucici te serbët. Këtë konstatim e kam theksuar një ditë pas takimit Rama-Vuçiç në Beograd në fund të nëntorit 2014. Madje kam thënë se të dy janë dakorduar që të reagojnë në atë mënyrë, sepse në fillim u duhej të rrisnin prestigjin, për të realizuar plane të tjera kundër Kosovës! Edi Rama tha se Europa është një Jugosllavi e madhe, ndërsa minishengeni është një Jugosllavi e vogël. Edhe ky pranoi se deri tani e në vazhdim me minishengenin synon krijimin e një Jugosllavie, që në fillim i duket e vogël, por që shqiptarëve do t’u dalë guxhe, siç thotë i madhi Çun Lajçi!

Prof. Shaban Murati: Në Ballkan i vetmi shtet, që është me sy nga e kaluara, është Serbia

Samiti i tre krerëve të qeverive të “mini Shengenit” në Shkup në 29 korrik pranoi zyrtarisht dështimin e bujshëm, përderisa pa u mbushur dy vjet nga firmat që vunë në Serbi, u detyruan t’i fshijnë dhe t’i ndërrojnë emrin nismës serbe.

Tre krerët e qeverive të “mini Shengenit” po tallen me veten e vet dhe për të shpëtuar rytben e pagëzuan me emër presuntuoz, duke e quajtur tani “Ballkan i hapur”. Mirpo ky pretendim i hijes së mengjesit i bën më komikë, sepse askush nuk i autorizoi krerët e tre mikroshteteve të vetëmarrin pronësinë për çelsat e hapjes së Ballkanit, i cili ka 12 shtete, ku shumica janë më të mëdha dhe më të fuqishme se sa të tre minishengistët bashkë.

Kuptohet pozita për t’u mëshiruar e tre minishengistëve serbë, që premtojnë “Ballkan të hapur” për pesë shtete të rajonit anëtare të BE dhe të NATO-s: Greqia, Kroacia, Sllovenia, Bullgaria dhe Rumania, si dhe për Turqinë shtet kandidat në BE dhe anëtare e NATO-s.

Këtë “Ballkan të hapur” të gjymtë serb po tentojnë ta shesin si e ardhme e rajonit. Në Ballkan i vetmi shtet, që është me sy nga e kaluara, është Serbia. Serbia po ndez zjarrin e luftës etnike dhe fetare në Bosnje, sepse nuk pranon krimin serb të gjenocidit dhe po bllokon shtetin e Bosnje-Hercegovinës nëpërmjet instrumentit të saj gjenocidial, “serpska republikës”.

Serbia po tenton të ndezë konfliktin në Kosovë që ta aneksojë dhe ta rikthejë si koloni të saj. Serbia po lufton të gllabërojë Malin e Zi dhe ta fusë në “botën serbe”, siç paralajmëroi këto ditë presidenti i Malit të Zi. Serbia shpalli këto ditë se planifikon që të bashkojë të gjithë serbët e Ballkanit megjithë territoret e shteteve të tjera ku jetojnë, në një shtet të vetëm të quajtur “Serbia e Madhe”. Serbia ka sot në vitin 2021 presidentin, zëvendëskryeministren dhe kryetarin e parlamentit, të cilët kanë qenë anëtarë qeverie të kriminelit të luftës Millosheviç. Serbia po glorifikon zyrtarisht kriminelët ndërkombëtarë të luftës të dënuar nga Haga, Millosheviç, Mlladiç dhe Karaxhiç dhe po mohon zyrtarisht gjenocidin e Srebrenicës dhe masakrat e spastrimin etnik në Bosnje dhe në Kosovë.

Mirëpo një mendjeje halucinante nga Tirana në shkretëtirën e kokës së vet narciziste me sa duket i vjen mirazhi i Serbisë si oaz. Të gjithë Ballkanin e sheh kokëposhtë me sy nga e shkuara dhe vetëm Serbinë e sheh si të ardhme të Ballkanit. Fantazma e 1946 po vjen përsëri në Shqipëri! Një “Ballkan serb”.