Enver Robelli: Parulla e “integralistëve” të Ballkanit është: “Ta lëmë prapa të kaluarën”, por është Serbia që nuk po e lë prapa

269
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

E kaluara s’harrohet kurrë, sepse janë varret e viktimave të pafajshme të Serbisë, që harresën e bëjnë të pamundur. Çfarë po synon Serbia është dominimi në rajon pa e pranuar realitetin si, për shembull, Kosovën e pavarur

Parulla e “integralistëve” të Ballkanit është kjo: “Ta lëmë prapa të kaluarën”. Por është Serbia që nuk po e lë prapa të kaluarën. Krerët e saj politike flasin ore e çast për “botën serbe” [srpski svet], kryetar i së cilës projektohet të jetë presidenti aktual serb. Ideja e botës serbe është eufemizëm për Serbinë e Madhe. E kaluara lihet pas, kur Serbia shpreh keqardhje për krimet masive dhe tragjeditë qe i ka shkaktuar kudo në rajon.

E kaluara s’harrohet kurrë, sepse janë varret e viktimave të pafajshme të Serbisë, që harresën e bëjnë të pamundur. Çfarë po synon Serbia është dominimi në rajon pa e pranuar realitetin si, për shembull, Kosovën e pavarur. Presidenti serb po kërkon aleate për ta izoluar Kosovën, ku shqiptarët e Kosovës trajtohen si qytetarë te rendit të dytë, që duhet t’i nënshtrohen nismave të tij rajonale. Një shofer i Kosovës në kufi me Serbinë duhet të çmontojë targat dhe çdo shenje të shtetësisë së Kosovës. Një serb i Kralevës udhëton nga Kraleva në Kurvelesh pa asnjë problem. Politikanët serbë mund t’i ofendojnë shqiptarët e Kosovës me terma raciste [“šiptari”]. Mund të mohojnë masakrat e mëdha në Kosovë. Pa asnjë konsekuencë. Beogradi integrimin rajonal e sheh vetëm si zgjerim të mundësive për të sabotuar edhe më shumë Kosovën me struktura paralele. Kriminelet serbe të luftës trajtohen si heronj në Serbi. Librat e tyre i boton Ministria e Mbrojtjes e Serbisë. Gjeneralët serbe që në vitet 90-të kanë komanduar ushtrinë serbe nga Prishtina, marrin ftesa për të ligjëruar në shkollat ushtarake serbe. Kosova gjatë historisë shpesh ka qenë e rrethuar nga politikanë dashakeqës nga fqinjësia. Por Kosova në shekullin e 20-të e ka dëshmuar disa herë shpirtin e saj kryengritës dhe nuk është nënshtruar. Nuk do te nënshtrohet as kësaj radhe. Ajo çfarë synon presidenti serb është e qartë: dëshiron t’ju thotë shqiptarëve të Kosovës – ne ju masakruam, ulni kokën dhe hani biskota të fabrikave serbe. Çdo bashkëpunim rajonal është i pamundur pa e pranuar Serbia shtetësinë e Kosovës.