Përmbytjet zgjojnë nga gjumi qytetarët e alarmuar. Edhe pse ishte paralajmëruar për reshjet e mëdha të shiut, qeveria dhe pushteti lokal nuk morën asnji masë për mbrojtjen e shtëpive, banorëve, prodhimeve bujqësore dhe bagëtive duke lënë në mëshirë të fatit mbi 150 mijë familje
‘Rilindja Urbane’ përmbyt çdo vit Shqipërinë dhe zgjon qytetarët e alarmuar
Shqipëria “ nën ujë” në dimër dhe “në zjarr” në verë, realiteti që shkatërron më shumë se 150 mijë familje çdo vit
- Përmbytjet janë kthyer në një refren social, politik, ekonomik e natyrisht edhe mediatik çdo nëntor e dhjetor përgjithësisht që nga viti 1990. “Shqipëria nën ujë” në dimër dhe “në zjarr” në verë është jo thjesht metaforë, por një realitet që shkatërron më shumë se 150 mijë familje çdo vit. Njerëz që përmbyten rregullisht në dimër, në pranverë presin dëmshpërblimet e qeverisë, për të pritur përmbytjen e radhës në dimrin që vjen. Prej vitesh “elita politike qeverisëse” i shikon qytetet me të njëjtat probleme sikurse qytetet europiane, në një kohë kur qytetet shqiptare kanë domosdoshmëri për projekte infrastrukturore inxhinierike dhe sociale, dhe jo për fasada të tipit “Rilindja Urbane”. Mjafton të hapësh faqet e internetit dhe të kërkosh, do të shikosh dhe shijosh fotot e qendrave të qyteteve tona, të “Rilindura” nga ajo që kryeministri e quan “Urbane”, dhe që pjesë e projekteve të tilla kanë qenë jo pak, por mbi 350 milionë euro. Edhe pa qenë nevoja të jesh projektues, inxhinier, arkitekt, konstaton me dhimbje se, jo vetëm punimet janë bërë sa për sy dhe faqe. Sa herë që nisin reshjet , vendi përmbytet, si çdo herë edhe tani, situata paraqitet problematike duke marrë me vete dhe deklaratat e ministres se sipas inspektimeve të bëra para një jave nivelet e lumenjve nuk përbëjnë shqetësim për dalje nga shtrati apo përmbytje dhe se hidrovoret janë në funksion të plotë për mbajtjen e niveleve normale të ujit.
Bie buxheti për përmbytjet
Ndërkohë që vendi ynë përballet çdo vit me përmbytje të cilat u kushtojnë mund dhe miliona lekë fermerëve, buxheti për menaxhimin e infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes për vitin e ardhshëm ka pësuar ulje me 2.2 miliardë lekë. Kështu, gjatë 2022-shit për këtë qëllim janë vendosur në dispozicion afro 1.7 miliardë lekë nga 3.9 miliardë që ishte buxheti i këtij viti, nga të cilat neto për investime shkojnë vetëm 1 miliardë lekë.
Po mbronte serat nga përmbytja, rrjedha e lumit merr para banorin në Berat
Po përpiqej të shpëtonte serat, rrjedha e lumit merr para banorin. Ngjarja ndodhi në fshatin Veterik në Berat.Banori Fuat Topi 57 vjeç ishte në rrezik për jetën dhe kishte qëndruar në një vend në mes të ujit.Të afërmit dhe banorët e tjerë dhanë alarmin për ndihmë. Kanë qenë forcat zjarrfikëse (MNZSH-së) të cilat kanë nxjerrë nga lumi banorin nga Veteriku.
Bllokohen në ujë banorët në Vlorë: Kaluam natën mbi çati, ku të mbytemi?
Ujërat e Vjosës po krijojnë gjendje alarmante në zona të ndryshme të Vlorës.Burime bëjnë me dije se në zonën e Novoselës rrezikojnë të përmbyten qindra banesa.Një pjesë e banorëve shprehen se nuk pranojnë të largohen nga banesa sepse nuk kanë ku të shkojnë.Ata shprehen se nuk po punon njeri për të neutralizuar situatën. “Ku të vemë, të mbytemi?Është rrethuar e gjithë zona, janë bllokuar njerëzit në mes të ujit. Kemi kaluar natën mbi çati”,- shprehen banorët.
Prefekti i Vlorës: Situata alarmante
Të paktën 11 banesa në Novoselë dhe Fitore, në Qarkun e Vlorës, janë përmbytur nga lumi i Vjosës, i cili ka dalë nga shtrati si pasojë e reshjeve të dendura, ndërsa prefekti Flamur Mamaj u shpreh se situata mbetet alarmante. Niveli i lumit të Vjosës ka arritur në 8 metra, duke çarë edhe digën në Urën e Mifolit.
Shembet ura Kallarat, izolohen disa familje
Si rrjedhojë e prurjeve të shumta të lumit Shushicë është rrëzuar edhe ura e fshatit Kallarat.Mësohet se si pasojë, disa familje kanë mbetur të izoluara pasi e kanë të pamundur për të dalë, për shkak të situatës që është krijuar nga moti i keq.Ndërkohë nga ana tjetër problematike është situata në Juglindje të vendit, ku trashësia e borës ka arritur në 70 centimetra, ndërsa disa fshatra të Pogradecit që prej 48 orësh janë pa energji elektrike.
Gjirokastra “noton” në ujë, bllokohen rrugët me inerte
Reshjet intensive të dy ditëve të fundit kanë krijuar disa pika bllokimesh në të gjithë qarkun e Gjirokastrës.Kështu përroi i Sopotit ose i Lazaratit ka bllokuar rrugën lidhëse mes dy lagjeve duke bllokuar qarkullimin për njërën prej tyre.
Prishet tubacioni kryesor, Gramshi pa ujë
Qyteti i Gramshit ka pasur probleme me furnizimin me ujë.Mësohet se i gjithë qyteti është pa pa ujë dhe po punohet për rregullimin e tubacionit të linjës kryesore i cili është çarë.
Evakuohen disa familje në Qarkun e Fierit
Dalja nga shtrati e lumit Vjosa ka shkaktuar përmbytje në disa zona. Nga raportimet e fundit mësohet se disa banesa në fshatrat Çerven dhe Ferrad në Qarkun e Fierit janë nën ujë.Ndërkohë me ndihmë të emergjencave civile është bërë i mundur evakuimi i disa familjeve në fshatin Ferras.
Fieri gjithë ditën pa u furnizuar me ujë
Si pasojë e problemeve dhe përmbytjeve të shkaktuara gjatë ditës së sotme nga reshjet e shiut, qyteti i Fierit ka mbetur pa ufurnizim me ujë. Ndërsa lidhur me këtë situatë është prononcuar edhe drejtori i ujësjellësit, Petrit Kanani. Ai u kërkoi të gjithë qytetarëve fierakë që ta mirëkuptonin për këtë problem dhe tha se nëse uji do të vinte, të përdorej për qëllime sanitare dhe të mos shpërdorohej.
Semani del nga shtrati
Pas Vjosës edhe lumi Seman ka dalë nga shtrati duke shkaktuar përmbytje në fshatin Samaticë të Beratit.Nga raportimet mësohet se në Poçem stacioni i pompimit të ujit të pijshëm e nënstacioni elektrik është ndalur dhe 3700 familje të zonës janë pa energji elektrike në Hekal, Kutë, Selitë dhe Fratar.
Elbasan
Banorët e Pishkashit në Librazhd janë vënë në alarm. Diga e Hecit “Lingajca” është çarë dhe disa banesa rrezikojnë të përmbyten. Ndërsa rënia e një masivi dheu ka bllokuar njërën anë të rrugës nga Shirgjani në Kacivel.
Osumi përmbyt dhjetëra hektarë tokë bujqësore
Përmbyten tokat në fshatrat Veterrik e Starovë në qarkun e Beratit. Banorët thanë se kjo situatë përsëritet çdo vit sepse nuk ka prita dhe se ata nuk kanë marrë asnjëherë shpërblim për dëmet e përvitshme nga përmbytjet.
Situata paraqitet problematike pasi më shumë 100 ha tokë, janë mbjellë me jonxhë, grurë, tërshërë etj si dhe me pemëtari të kulturës së ullirit. Sipas banorëve,përmbytjet e përvitshme të tokave të tyre bujqësore shkaktohen si pasojë e mungesës së pritave, që janë kërkuar shpesh-herë nga banorët tê ndërtohen si dhe nga ndërhyrjet që janë bërë pa kriter në shtratin e lumit Osum.Banorët deklarojnë se edhe pse janë përmbytur çdo vit, asnjëherë nuk kanë marrë asnjë lekë shpërblim për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet. Burimet zyrtare të Prefekturës së Qarkut Berat bëjnë me dije se nuk ka asnjë tokë të përmbytur në qarkun e Beratit.























