Sigal

Që nga dje, Gjykata e Lartë nuk ka më kuorum për të marrë vendime, pasi KPK shkarkoi Artan Brocin. Vendi kthehet në xhungël, pa rend kushtetues, bllokohen të gjitha shkallët e gjykimit, shqiptarët privohen edhe nga e drejta të shkojnë në gjykatat ndërkombëtare. Katastrofa e drejtësisë është bërë e qëllimshme nga pushtetarët, që të qeverisin mbi ligjin

Shqipëria mbetet edhe pa Gjykatë të Lartë. Pas Gjykatës Kushtetuese, e cila praktikisht është jashtë funksioni, një tjetër shtyllë e sistemit të drejtësisë ne vend është “shkrirë”. Pas përfundimit të seancës, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, mori vendim për shkarkimin nga detyra te gjyqtarit Artan Broci, i cili ishte edhe anëtar i Gjykatës së Lartë. Pas këtij vendimi, Gjykata e Lartë mbetet vetëm si thjesht emërtim, pasi de facto nuk mund të kryejë funksionet e saj në kushtet e mungesës së kuorumit. Shqipëria kthehet në një xhungël, pasi nuk ka më asnjë gjykatë ku të ankimohesh, as për pronat, as kundër koncesioneve. Shqiptarëve u mohohet edhe e drejta e animimit në Gjykatat Europiane të së Drejtës së Njeriut. Fatet e Shqipërisë tani varen nga votat e një grushti deputetësh, që mund të miratojnë çdo ligj dhe marrëveshje antikombëtare dhe atë ligj nuk mund ta ankimosh më në Gjykatë Kushtetuese. Bllokohen edhe shkallët e Gjykimit, sepse nuk ka më Gjykatë e Lartë që mund të shqyrtojë vendimet e gjykatave të tjera. Kjo është katastrofa e rendit kushtetues të Shqipërisë, e cila është bërë e qëllimshme nga pushtetarët, që të qeverisin pa asnjë kontroll dhe pa dhënë llogari asgjëkundi për zullumet që bëjnë.  Katastrofa që parashikuan zyrtarët e Komisionit Europian para pak javësh duket se po materializohet. Eurokomisioneri Johannes Hahn, tha dy javë më parë në Tiranë se do të ishte katastrofë nëse për shkak të vettingut, vendi të mbetej pa gjyqtarë.