Shqipëria e fundit në botë për qeverisje

170
Sigal

Statistikat: Si u katandis Shqipëria nën “kujdesin” e guvernatorëve. Raportet tronditëse të Dhomës Amerikane, KE-së, DASH, BERZH,OKB, Freedom House, Transparency Internacional tregojnë rënien e besimit të qytetarve tek qeverisja, korrupsionin, krimin, shkeljen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut.

 

Shqiptarët janë mësuar këto vite ta shohin Shqipërinë të renditet në vendet e fundit në botë kur bie fjala për qeverisjen dhe standardet demokratike. Por të paktën dy vitet e fundit kanë shënuar një regres të pazakontë.

Janë dy vite që kur ambasadorja amerikane Yuri Kim mori detyrën dhe postin e ‘gardianes’ së lirive dhe sundimit të ligjit në vend. Të dhënat janë dëshpëruese. Shqipëria doli sërish nga një proces zgjedhor i masakruar. Në qershor, vendi ynë për herë të parë u rendit i dyti në botë për korrupsion. Ndërsa besimi i shqiptarëve te drejtësia e re vetëm po pëson rënie.

 

Panorama është tronditëse:

Shtator 2021: Dhoma Amerikane e Tregtisë publikon sondazhin që tregon rënie të nivelit të besimit të biznesit në pikën më të ulët që nga viti 2012.

Shtator 2021: KE publikon raportin që tregon se Shqipëria e ka menaxhuar më keq se të gjithë pandeminë. Shqipëria është vendi me vdekshmërinë më të lartë nga Covid.

Korrik 2021: ACER publikon raportin që tregon se presioni i korrupsionit në vend është rritur ndjeshëm vitin e fundit dhe i është afruar nivelit të vitit 2002, sa dyfishi i rajonit.

Korrik 2021: Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) publikon raportin për klimën e biznesit 2021, ku shprehet sërish me nota të larta kritike për klimën e biznesit në Shqipëri.

Qershor 2021: Banka Botërore dhe BERZH publikojnë një sondazh të rëndë për korrupsionin. Shqipëria është e dyta në botë për korurpsion, pas Zambias në Afrikë.

Qershor 2021: Del raporti OKB për drogat 2021: Shqipëria, e para në Europë për kanabisin.

Maj 2021: Del raporti i SELDI: Në Shqipëri, mundësitë për kapjen e shtetit nga grupet e interesit janë më të mëdha se kudo në rajon.

Maj 2021: Një raport i Global Initiative për trafikun e drogës dhe pastrimit të parave tregoi se grupet kriminale shqiptare janë aktorët kryesorë në biznesin global të drogës.

Maj 2021: Freedom House: Liria e medias në Shqipëri ka pësuar regres. Shqipëria është në të njëjtin nivel si 8 vjet më parë, për çështje të demokracisë dhe medias së pavarur.

Prill 2021: Raporti i Freedom House: Shqipëria që edhe këtë vit është në rënie kategorinë e regjimeve hibride/demokraci në tranzicion, vendishënoi rënie në shoqërinë civile dhe median e pavarur.

Mars 2021: Një sondazh i Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes tregoi se qytetarët pranojnë korrupsionin e zgjeruar në gjykata, prokurori, dogana dhe polici. Sondazhi zbulon se ka rënë ndjeshëm besimi te SPAK dhe ‘Drejtësia e re’.

Mars 2021: Del raporti i Transparency International: Shqipëri, shteti i kapur nga korrupsioni.

Mars 2021: Fondacioni Heritage: Shqipëria sipas raportit, ka 65.2 pikë në klasifikimin me 100 pikë të Indeksit për Lirinë Ekonomike, sipas të cilit 100 pikë është shkalla me lartë e lirisë.

Mars 2021: DASH publikon një raport kritik për luftën ndaj narkotrafikut e pastrimit të parave në Shqipëri. ‘Sundimi i dobët i ligjit, korrupsioni dhe një shkallë e lartë e papunësisë janë faktorët kryesorë të problemit të kontrollit të drogës në Shqipëri. Grupet shqiptare të krimit të organizuar vazhdojnë të pastrojnë të ardhurat në Shqipëri dhe të kontribuojnë në korrupsionin në vend’, vlerëson raporti.

Janar 2021: Raporti i KE: Shqipëria, vendi me borxhin më të lartë në rajon, rritja e kredisë u ngadalësua.

Nëntor 2020: Raporti i BERZH: Shqipëria përkeqëson qeverisjen në 2020, rritet korrupsioni dhe informaliteti, ulet eficienca e gjykatave.

Shtator 2020: Një raport i Departamentit Amerikan të Shtetit, për Klimën e investimeve vë në dukje se investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes.

Korrik 2020: Organizata Freedom House me qendër në Uashington tha se demokracia në Shqipëri pësoi rënie, duke materializuar shqetësimet për rritjen e autoritarizmit dhe të një sistemi jofunksional të kontrolleve dhe balancave mes pushteteve të qeverisjes.

Prill 2020: Organizata ‘Gazetarët pa kufij’: Shqipëria radhitet në vendin e 84-të, dy vende më poshtë nga një vit më parë.