Shpërdorimi i detyrës dhe falsifikimi i ministres Gjonaj, një njollë e rëndë për drejtësinë shqiptare

545
Sigal

Të nderuar gazetarë, faleminderit për pjesëmarrjen tuaj!

Shqiptarët, por edhe miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë u njohën dje publikisht me veprat e rënda penale të shpërdorimit të detyrës, të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm, dhe falsifikimit flagrant të kryera nga Institucioni i Ministrit të Drejtësisë, në lidhje me botimin e paligjshëm dhe kriminal në Fletoren Zyrtare të një vendimi të një organi të pavarur, siç duhet të jetë Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Në këtë tentativë flagrante për grusht shteti, bazuar mbi provat e bëra publike ditën e djeshme, që do t’i dorëzohen Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion SPAK, rezulton të jenë përfshirë drejtpërdrejtë Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj, por edhe funksionarë të lartë të këtij institucioni në varësi të saj, për llogari të skenarit mafioz të kapjes së Gjykatës Kushtetuese, duke përvetësuar në mënyrë mafioze një kompetencë dhe pushtet që Kushtetuta ia jep Presidentit të Republikës.

Ministrja e Drejtësisë, duke urdhëruar Sekretarin e Përgjithshëm të dërgonte për botim në Fletoren Zyrtare një vendim të KED-së, ka shkelur në mënyrë flagrante ligjin nr. 78/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Botimeve Zyrtare”, si dhe ligjin nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

Sipas Kushtetutës dhe këtyre ligjeve, vendimet e KED-së:

  • Nuk botohen as në Fletoren Zyrtare dhe asgjëkund tjetër, por publikohen vetëm në faqen e internetit të Gjykatës së Lartë në pjesën e dedikuar posaçërisht për KED-në;
  • Ndërkohë që Ministria e Drejtësisë, nuk ka asnjë rol dhe asnjë të drejtë, që të dërgojë për botim në Fletore Zyrtare aktet e KED-së, apo të ndërhyjë në procesin e emërimit apo zgjedhjes së Gjyqtarëve Kushtetues;

Duke arritur deri në veprime flagrante, si urdhërimi i botimit, ende pa iu kërkuar zyrtarisht nga askush.

Po mbushen 24 orë nga bërja publike e këtyre shkeljeve skandaloze dhe tepër të rënda të Kushtetutës dhe të ligjeve nga Ministrja e Drejtësisë, e cila përmes shpërdorimit të detyrës, falsifikimeve dhe ndërhyrjeve të paligjshme në proces, ka konsumuar në bashkëpunim me zyrtarë të lartë të këtij institucioni, disa vepra penale.

Për këto arsye dhe prova të tjera që po sigurohen, brenda ditës së hënë do të depozitoj pranë Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Kallëzimin penal, për Ministren në detyrë të Drejtësisë, zonjën Etilda Gjonaj dhe jo vetëm për atë.

Duke qenë se, Ministrja Etilda Gjonaj, tashmë e ka humbur tërësisht besimin e Presidentit të Republikës të shprehur me Dekret për emërimin e saj, do të mirëprisja brenda ditës së hënë, dorëheqjen e saj dhe përballjen me drejtësinë thjesht si një ish-Ministre, duke evituar kështu detyrimin apo edhe precedentin që Presidenti i Republikës dhe Kryetari i Shtetit të padisë një Ministre që ushtron këtë detyrë.

Tani, për çështjen e provave të mos hyjmë më thellë. Provat ja ku janë, ditën e shtunë zonja ka marrë një letër-muhabet, se nuk është një kërkesë zyrtare as ajo për botim, që përsëri edhe po të ishte do të ishte e paligjshme. Ka nxjerrë njerëzit në punë dhe ka urdhëruar botimin në Fletoren Zyrtare në mënyrën më anti-kushtetuese, më anti-ligjore dhe përmes falsifikimeve në mënyrë që të ndihmonte gjysmë-parlamentin njëpartiak që të konsideronte për shkak gjoja të publikimit në Fletoren Zyrtare të gjoja shpalljes automatikisht të zonjës tjetër si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, të ndihmonte parlamentin, që ta rrëmbente këtë vakancë që i takonte me Kushtetutë vetëm Presidentit të Republikës dhe t’ia shtonte partisë e të justifikonte Kuvendin në aktet e tij të çmendura që bëri më pas. Tani e keni radhën ju për pyetje.

Pyetje: Zoti President, Ministria e Drejtësisë përmes një postimi në Twitter është shprehur se për ndryshimet në ligjet e reformës në drejtësi ka marrë konsensusin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian. Si e komentoni ju këtë deklaratë të saj?

Presidenti Meta: Unë dua t’iu them se asnjë diplomat në Republikën e Shqipërisë dhe jashtë saj, – madje kam përshtypjen që edhe shumica e deputetëve që kanë bërë ato marrëzira që kanë bërë në seancën e Kuvendit, – nuk e kanë ditur që në Ministrinë e Drejtësisë një grup i strukturuar kriminal, që duhet të jetë garant i respektimit të Kushtetutës dhe të ligjeve nga qeveria, nga Kuvendi dhe nga çdo institucion në shtetin shqiptar ka kryer këto veprime.

Këto veprime është e sigurt që i dinte vetëm grupi kriminal, dhe kuptohet që një kopje të tyre prej disa muajsh e kishte dhe Presidenti i Republikës. Kjo është arsyeja që pas denoncimit publik, që unë bëra këtu para jush për mosdhënien e këtyre provave tepër të rënda dhe tepër kriminale, ata u detyruan që t’i dërgojnë, sepse unë përsëri i kisha ato.

Në Republikën e Shqipërisë ka shumë shqiptarë të ndershëm që shtiren si rilindas, sepse që kjo është e vetmja mënyrë për të garantuar bukën e gojës për fëmijët e tyre.

I siguroj të gjithë shqiptarët që janë me punë që ndihen shumë më të poshtëruar se ata që janë pa punë, sepse ata pa punë të paktën janë të lirë të shprehin çfarë të duan dhe çfarë të thonë. Ndërsa këta të tjerët janë çdo ditë dëshmitar dhe janë nën presione për shkeljet e ligjit nga eprorët e tyre.

Pyetje: Dekretin tuaj për zgjedhjet e qershorit mazhoranca nuk e ka marrë në konsideratë. A mendoni se dekretet dhe kërkesat tuaja në vijim, ata, do t’i marrin në konsideratë, pasi nuk përkojnë më interesat e tyre? Pyetja e dytë, a keni besim se SPAK do të marrë me prioritet kallëzimet tuaja?

Presidenti Meta: Unë jam i bindur që të gjithë qytetarët shqiptarë, të gjithë atyre që u ka ngelur sado pak dinjitet shqiptari, ndërkohë që unë jam i sigurt se shumica e tyre janë tërësisht të dinjitetshëm, janë me Presidentin e Republikës në këtë betejë për të mbrojtur Kushtetutën e Republikës dhe integritetin e Gjykatës Kushtetuese si e vetmja garante e vetë ekzistencës të Kushtetutës sonë, e cila edhe kështu siç është, është e lënduar, është plagosur, është gjakosur dhe është përdhunuar kaq shumë.

Dhe në 2 mars do jenë aty bashkë me Presidentin e Republikës, jo me Ilir Metën, pikërisht për t’i treguar këtij grupi kriminal dhe kësaj celule mafioze edhe në Ministrinë e Drejtësisë, që ka bërë lajme të papara duke çuar nëpër burgje, me të drejtë, shumë zyrtarë që kanë bërë ndonjë falsifikim nëpër institucione të dorës së dytë, apo të dorës së tretë.

E që bëjnë lajme të papara kur sekuestrojnë ndonjë makinë, apo kur bëjnë sikur vrapojnë për të ndjekur paratë. Ndërkohë, që në mënyrën më flagrante, më skandaloze, ministria që duhet të jetë shembulli i garantimit dhe i moslejimit të vetë qeverisë për të shkelur ligjit më të thjeshtë, sepse ka Drejtorinë e Kodifikimit, e cila shikon çdo akt, çdo ligj, të çdo ministrie tjetër, të çdo institucioni për të parë përputhshmërinë më Kushtetutën, me konventat ndërkombëtare, me ligjet e Shqipërisë dhe me vendimet e tjera të qeverisë e kështu me radhë. Kështu që kjo është e sigurt dhe unë jam i bindur që dekretet e mia i respekton populli shqiptar.

Ka Republikë pa Kryeministër, por nuk ka Republikë pa President në botë!

Mbi Presidentin është vetëm Gjykata Kushtetuese dhe Kushtetuta, që janë të barasvlefshme dhe mbi Kushtetutën është populli.

Të mos e ngacmojmë Kushtetutën dhe Gjykatën Kushtetuese, se i kam lajmëruar prej 3 vjetësh, sepse pastaj legjitimitetin e merr populli.

Populli shqiptar ka votuar me referendum në vitin 1998 për këto themele të Kushtetutës, për ndarjen e pushteteve dhe balancimin e tyre.

Dikush mund të thotë nga ju, pse e përmendni fjalën grusht shteti? Po çfarë është grushti i shtetit? Hyni në wikipedia dhe kudo që dëshironi. Grushti i shtetit ka disa forma, ka forma kur një opozitë përpiqet t’ia marrë pushtetin një qeverie legjitime me forcë apo me dhunë, apo në mënyra të armatosura. Por, ka forma, të cilat janë shumë të qarta, kur një pushtet kërkon të marrë në mënyrë anti-kushtetuese pushtetin e një institucioni tjetër legjitim.

Në këtë rast çfarë kemi, në mënyrë anti-kushtuese rrëmbehen kompetencat dhe pushteti që Kushtetuta ia jep Presidentit të Republikës. Për çfarë? Për të mos patur një gjykatë të njëanshme, partiake dhe të bregut të Lanës.

Por, për të patur një Gjykatë garante të Kushtetutës, të balancuar, të pavarur, e cila është edhe gjyqtarja e të gjithë problemeve që ka shoqëria jonë, shteti ynë, institucionet tona, qytetarët tanë dhe garante e sovranitetit dhe integritetit të Republikës së Shqipërisë.

Çfarë na bashkon ne shqiptarëve? Se thonë shpesh nuk i takon Presidentit të sillet kështu! Se Presidenti, duhet të jetë garant i unitetit kombëtar.

Kush e garanton unitetin tonë kombëtar? Kush e garanton interesin tonë kombëtar? Kush e garanton bashkëjetesën tonë paqësore, demokratike, si shqiptar? Pavarësisht se jem nga jugu apo veriu, nga Korça apo Shijaku, mysliman apo të krishterë.

Pavarësisht se jemi socialist apo demokratë, se jemi komunistë apo ballist, se jemi pa parti, apo shoqëri civile, të gjitha këto i garanton vetëm Kushtetuta!

Ndaj edhe Presidenti, e ka të qartë rolin e tij për të mbrojtur, dhe i ka lajmëruar të gjithë, brenda dhe jashtë vendit, kudo. Partnerë seriozë, organizata vendase dhe ndërkombëtare kudo, Gjykata Kushtetuese, është vija e kuqe dhe kuqe flakë siç është flamuri i Shqipërisë, për të cilin kanë dhënë jetën mijëra e mijëra dëshmorë e patriotë në të gjitha kohët. Nuk do të ketë Shqipëri pa shqiptarët! Faleminderit!