Shpendi Topollaj: Polemika të shërbejë si piedestali i njerëzve të shquar

352
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

E njëjta sallë Parlamenti, në dy kohë krejt të ndryshme, na ka dhënë dy pamje diametralisht të kundërta: njëra, atë të mungesës absolute të debatit a dhënies së një mendimi të lirë, pra gjithçka sipas baketës së dirigjentit në komunizëm dhe ajo e britmave, sherreve, sharjeve, akuzave, fyerjeve, hakmarrjeve deri me plumba, në këto tridhjetë vite demokraci. Natyrisht që asnjera nga këto modele nuk është për t`u duartrokitur. Ne si qytetarë kemi pritur tjetër gjë; pikërisht atë që Etien Lusto i Balzakut tek “Iluzionet e humbura”, i thotë Lysienit: “Polemika, i dashur, është piedestali i njerëzve të shquar”. Por fatkeqësisht, njerëzit tanë “të shquar”, pra ata që me votën tonë fitojnë të drejtën të quhen baballarët e kombit, me qëndrimin e tyre, jo vetëm kanë dhënë shembullin e keq, por edhe po fusin një përçarje mjaft të dëmshme në popull. Se deri ku ka shkuar kjo përçarje e shohim çdo ditë nëpër ekrane apo artikuj gazetash, sikurse e përjetojmë sa herë ulemi në tavolinë për të pirë një kafe me shokët. Të gjithë, kur flasin për stresin që po na mundon, natyrisht, që kanë parasysh klimën aspak të këndshme politike që sundon në vend. Dashje pa dashje, na kujtohet ai përcaktimi i Filipit të Maqedonisë se shqiptarët janë trima, por këtë trimëri e përdorin kundër njëri – tjetrit. Dhe ndofta At Gjergj Fishta, gati 23 shekuj më vonë ia vuri vulën kësaj, me atë poezinë e njohur ku thosh se: “Ka shti dreqi pushkë mbi ne / Mos m`u ba, dy vet m`nji fjalë”. Në vitet e diktaturës, propaganda na e bëri kokën dhallë me parrullat hipokrite: “Tek uniteti qëndron forca jonë”, “Grusht bashkuar rreth Partisë”, “Shqipëria shkëmb graniti”, “Ne jemi një kockë e forte, që i mbetet në grykë çdo armiku” etj. Kuptohet që ishim përballë atij “Hipnotizimit nga përsëritja” që aq bukur e zbërthen profesori i universitetit të Oksfordit H. U. Fauler. Dhe sapo ndodhte që dikujt t`i rrëshqiste këmba, kryesisht për ligësi a idiotizma për të trembur e nënshtruar njerëzit, kuptohej menjëherë falsiteti i atij uniteti. Të turreshin të gjithë dhe ishin gati të të shqyenin të gjallë. Por ata që e paguan me jetët e tyre, ata pra që vuajtën burgjeve, internimeve e dëbimeve, nuk kërkuan në asnjë rast hakmarrje. Dhe ky gjest mëse njerëzor qe ndofta kontributi më i çmuar që ata i dhanë këtij populli. Qe mësimi i madh sesi duhet të sillemi me njëri – tjetrin tani e tutje. Por nuk zgjati shumë dhe kjo kultura e debatit demokratik në sistemin pluralist, u tret si kripa në ujë. Kuvendi u kthye në arenë lufte të pa skrupullt, aqsa nisën hamendësime nga më të ndryshmet, ku më interesanti qe ai se gjysh – stërgjyshët tanë kishin ngrënë për gati pesëqind vjet, bukë misri. Po pse marrin zjarr kaq lehtë këto koka të nxehta, që nuk janë në gjendje të kontrollojnë dhe disiplinojnë veten?

“Parlamenti, në dy kohë krejt të ndryshme, na ka dhënë dy pamje diametralisht të kundërta: njëra, atë të mungesës absolute të debatit a dhënies së një mendimi të lirë, në këto tridhjetë vite demokraci.”

“Në vitet e diktaturës, propaganda na e bëri kokën dhallë me parrullat hipokrite: “Tek uniteti qëndron forca jonë”, “Grusht bashkuar rreth Partisë”, “Shqipëria shkëmb graniti”.”

Mendoj se ata fryhen aty si gjela e trimërohen, së pari nga mungesa e aftësisë argumentuese, dhe nga niveli kulturor që lë shumë për të dëshëruar. Të caktuar nga kryetarët, ata nuk e vrasin shumë mendjen që të thonë ndonjë gjë të zgjuar. Dhe së dyti, salla e Kuvendit sipas tyre është ringu, vendi më oportun që të nxjerrin inatet personale. Pra, shqiptarët duhet të mbajnë sehir Buugët modern, që kanë dalë nga faqet e novelës brilante të Xhek Londonit “Forca e të Fortëve”, sesi kacafyten për “dinjitet” personal. Po dhe këtë e kanë me gjasme mesa duket, pasi vilat, hotelet e pronat e fituara pa shumë mund, i bashkojnë. Më e hidhur është tallja me ne, sesa ajo grindja e tyre për sy e faqe, por që e shton së tepërmi zullumin. Mirëpo, u bë, ç`u bë, iku e nuk kthehet më. Tani problemi është se; përsëri do vazhdojnë me të njëjtin stil? Një stil që i ka bërë kaq dëme atdheut dhe popullit që duke i votuar, ende shpreson. Nga ana tjetër edhe shkrimet apo debatet politike ku ka rrahje e diversitet mendimesh, me arsyetime pro dhe kundra, duhet të jenë mëse normale. Ato duhen përshkuar nga ajo historia e dy njerëzve që kanë nga një mollë dhe kur i shkëmbejnë ato, po nga një kokërr u mbetet, kurse kur kanë nga një ide dhe i shkëmbejnë, atëherë kanë nga dy ide. Pra, kështu duhet të jenë, por më së shumti nuk janë. Ata shpesh bijen në ato situata që përshkruan Balzaku (që të mos i ndahem atij), i cili diku shprehet për një personazhin e vet se “po futej në ingranazhet e mekanizmit gjigant të gazetarisë, duke rrezikuar të humbiste nderin dhe arsyen”. I kemi parë sesi dredhojnë ata apo si marrin kthesa njëqindetetëdhjetë gradëshe, duke u zvarritur pas fitimtarit. Nuk e kanë për gjë të lëpijnë atë që jo më larg se dje e kishin pështyrë. As skuqen dhe as zverdhen kur përgënjeshtrojnë veten, por ajo që është më e keqja, ata servilosen pështirshëm para të huajve, gjersa arrijnë ta humbasin si nderin ashtu edhe arsyen deri atje sa të thonë që edhe kur gabon ndaj nesh Amerika, ne duhet të themi amin! Proh pudor!, pra O turp! do thosh Ciceroni. Po t`i hidhni një sy koleksionit të revistës “Përpjekja shqiptare”, të viteve 1936 – 37, do mrekulloheni nga thellësia filozofike e mendimeve, thjeshtësia e toleranca, për të mos thënë edukata, por edhe atdhetarizmi i atyre që shkruajnë atje. Por, do mjaftohem duke kujtuar vetëm polemikën mbresëlënëse te “Hylli i Dritës”, me titull “Amicus Plato et cetera…”. Apo kritikat letrare në debatin në është apo jo poet Lasgush Poradeci. Shihni se ç`thuhet në këtë revistë për polemikën: “Kur polemika është serioze, bëhet e dobishme, e humbet vlerën vetëm atëherë kur merr ngjyra personale, kur në vend që t`u hapet sheshi mendimeve, mblidhen fjalët e rrugëve për të sulmuar njërin ose tjetrin”. Përfundimisht dua të them, atë që besoj e mendojnë edhe shumë të tjerë, se nuk shkon më kjo mënyrë e bërjes së politikës, apo gazetarisë në Shqipëri. Ajo dëmton edhe imazhin e vendit në sytë e botës. Ne kemi nevojë për politikanë, administratorë dhe gazetarë me integritet, që nuk veprojnë sipas interesave meskine, që e kanë të shenjtë dashurinë ndaj Shqipërisë dhe që e vënë veten plotësisht në shërbim të popullit të saj. Dhe ndofta, Parlamenti i ri, do e gjejë mendjen. Të presim e të shikojmë.