Prof. Dr. Qemal Lame: Fondacionet Soros tërhiqen nga Bashkimi Evropian

“Vendet e Ballkanit Perëndimor janë tashmë të përkushtuara në Planin Evropian të Berlinit. Ndikim të ndjeshëm ka patur Soros edhe në deklarimin nga Departamenti i Shtetit të SHBA non grata të disa politikanëve e bisnesmenëve shqiptarë”

Xhorxh Soros, një emigrant hebre- hungarez, e bëri pasurinë e tij në Shtetet e Bashkuara. Siç dihet, në vitin 1992 ai fitoi më shumë se një miliard dollarë amerikanë me një bast ndaj paundit britanik.


Fondacionet e Soros tërhiqen nga BE

Fondacionet shumë-miliardë dollarëshe të investitorit dhe filantropit amerikan George Soros (93), Fondacionet e Shoqërisë së Hapur (OSF), po e reduktojnë ndjeshëm angazhimin e tyre në Evropë. Sipas një emaili të brendshëm të parë nga Reuters, publikuar më 17 gusht 2023, OSF po përfundon një pjesë të madhe të punës së saj në Bashkimin Evropian dhe po fokusohet në pjesë të tjera të botës. Sipas Financial Times, OSF do të shkurtojë në mënyrë drastike fondet për projektet në BE nga viti 2024. Një email drejtuar stafit tha se rrjeti jofitimprurës po tërhiqet nga puna për çështjet ndër-evropiane dhe do të fokusohet në rajon në kontekstin e çështjeve më të mëdha globale. “Përfundimisht, drejtimi i ri strategjik i miratuar parashikon tërheqjen dhe përfundimin e një pjese të madhe të punës sonë aktuale brenda Bashkimit Evropian ”. Lëvizja është një vendim largpamës i bazuar në mundësitë e ardhshme për të pasur një ndikim të rëndësishëm.”

Sigal

Ndryshimi i lidershipit dhe shkurtimet e vendeve të punës

Financieri 93-vjeçar George Soros kohët e fundit ia dha kontrollin e perandorisë së tij prej 25 miliardë dollarësh djalit të tij Alexandër Soros (37). Ai ka plane të mëdha dhe po i kthen përmbys themelet e Soros. Një muaj më vonë, në korrik, fondacioni njoftoi planet për të pushuar nga puna 40 për qind të punonjësve të tij në mbarë botën, si pjesë e një riorganizimi strategjik. Emaili i brendshëm nuk thoshte se si fondacioni do të ndryshonte financimin e tij. Megjithatë, një zëdhënës tha se grupi do të vazhdojë të mbështesë grupet e shoqërisë civile në të gjithë Evropën, duke përfshirë ato që merren me politikën e jashtme të BE-së. Ne duam të vazhdojmë të mbështesim komunitetet rome evropiane. “Modeli i ri parashikon që shumica e granteve tona do të organizohen rreth mundësive specifike të ndikimit, të cilat do të përcaktohen në muajt në vijim,”- shtoi zëdhënësi. “Puna jonë në Evropë ka qenë gjithmonë një tërësi në zhvillim dhe këto ndryshime të reja nuk janë përjashtim nga kjo prirje afatgjatë.”

“Fondacionet e Shoqërisë së Hapur po ndryshojnë mënyrën se si ne punojmë, por familja ime dhe OSF kanë mbështetur prej kohësh projektin evropian dhe mbeten të vendosur të përkushtuar ndaj tij,” -tha Alex Soros, kryetar i Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur, në një deklaratë me email dërguar Reuters.

“Veprimtaria e Soros zhvillohet natyrisht në shërbim të gjeopolitikës amerikane në Evropë, Ballkan e kudo ku ajo ka strukturat e saj në botë. Duke vlerësuar veprimtarinë e dobishme në shërbim të paqes e sigurisë, mendoj se është e domosdoshme të zbatohet një politikë reale ndaj Kosovës dhe të mos mbivlerësohet Serbia”

Veprimtaria e Soros në mbështetje të shoqërisë civile ka shkaktuar edhe shqetësime

Fondacionet Soros në Evropë kishin selinë kryesore në Budapest, në Hungari, nga ku Soros kishte origjinën e tij. Qeveria e drejtuar nga Orban kërkoi me insistim largimin, me akuzat për ndërhyrje në punët e brendshme dhe ndikimet në gjendjen politike që krijonte shpesh tensionime të situatës. Në pamundësi për të vazhduar veprimtarinë në këtë vend, fondacioni u zhvendos në vendin fqinjë, në Serbi- Beograd,. Soros, babë e bir, janë të njohur në Shqipëri dhe pothuajse në gjithë trojet shqiptare për kontributin e dhënë pas vitit 1990, për krijimin dhe mbështetjen e Organizatave Jo Qeveritare, OJQ. Ky fondacion ka treguar interes dhe ndihmuar edhe në arsimimin e brezit të ri me bursa në universitetet brenda dhe jashtë vendit. Drejtim me rëndësi kanë qenë marrëdhëniet me institucionet e larta shtetërore për politikat dhe zbatimin e reformave demokratizuese. Për këtë qëllim janë vendosur dhe zhvillohen kontakte të ngushta me shumë politikanë e sipërmarrës. Politika shqiptare ka patur ndikim të drejtpërdrejtë nga Soros, sidomos në çështjet e rëndësishme kombëtare të marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë. Këto kanë patur pasoja jo pozitive nga planet dhe tentativat konkrete për shkëmbimin e teritoreve, krijimin e asociacionit për pakicat serbe, pranimin e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte, etj. Shqetësuese kanë qenë mbështetja e hapur e politikës serbe për plotësimin e interesave të njohura për ndarjen e Kosovës dhe aneksimin e Mitrovicës Veriore, asociacionin serb me kompetenca vendore, sipas modelit të rrezikshëm të Republikës Srbska, në Bosnje e Hercegovinë. Serbia nuk është distancuar nga e kaluara shoviniste e gjenocidi me pasoja të rënda për popujt e ish Jugosllavisë, sidomos të shqiptarëve të Kosovës. Ajo është mbështetur dhe vlerësuar në dëm të interesave kombëtare të shqiptarëve. Kosova është vënë në tavolinën e bisedimeve me Serbinë në kushte të njejta nga Bashkimi Evropian në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pa nënvleftësuar gabimet në komunikimin dhe marrjen e masave nga Qeveria pa u bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë, Kosova u ndëshkua padrejtësisht nga Bashkimi Evropian për ngjarjet në Mitrovicën Veriore, ndërsa ndaj Serbisë nuk u mor asnjë masë. Qeveria e Kosovës kërkoi zbatimin e Kushtetutës dhe mbrojtjen e rendit. Serbia reagoi me strukturat e saj kriminale, duke goditur forcat e KFOR dhe vendosi ushtrinë e përfocuar me tanke në kufi duke bërë presion direkt ndaj KFOR dhe Qeverisë së Kosovës. Projekti Open Balkan i emërtuar më pas Ballkani i Hapur, është veprimtari konkrete e Soros. Ky projekt dështoi më në fund. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë tashmë të përkushtuara në Planin Evropian të Berlinit. Ndikim të ndjeshëm ka patur Soros edhe në deklarimin nga Departamenti i Shtetit të SHBA non grata të disa politikanëve e bisnesmenëve shqiptarë. Kjo masë është zbatuar për herë të parë në marrëdhëniet amerikano-shqiptare. Veprimtaria e Soros zhvillohet natyrisht në shërbim të gjeopolitikës amerikane në Evropë, Ballkan e kudo ku ajo ka strukturat e saj në botë. Duke vlerësuar veprimtarinë e dobishme në shërbim të paqes e sigurisë, mendoj se është e domosdoshme të zbatohet një politikë reale ndaj Kosovës dhe të mos mbivlerësohet Serbia në dëm të interesave kombëtare të shqiptarëve.