Turizmi-Kryefjala e Sarandës

1172
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Nga Agron Mema

Në sezonin veror kryefjala e aktiviteteve në Sarandë është turizmi. Të gjitha të tjerat sintaksohen tek kjo kryefjalë. Shtohet punësimi, qarkullon malli dhe paraja. Rreth 80% e banorëve sarandiot presin të ardhurat ekonomike, qoftë edhe minimale për përballimin e jetesës së shtrenjtësuar, vetëm nga punësimi në sezonin veror. Shtohet tregëtia e prodhimeve të detit, kamarierët, guzhinierët, sanitaret, e gjithshka që i duhet shërbimit të industrisë së turizmit. Kështu ndodh edhe këtë sezon të sivjetshëm. Sezoni veror ‘’ Verë 2021’’ është në pikun e tij, shtuar kësaj edhe të nxehtit afrikan, që shoqëron ditët e korrikut. Por duhet të themi e të pranojmë se jemi jo brenda limiteve të pritshmërive dhe parashikimeve, por Saranda është populluar nga pushues e turista si vendas e të huaj. Por nga viti në vit ndodhin edhe risi. Mes shërbimeve të shumta, që u ofrohen pushuesve në Sarandë, janë edhe anijet shëtitëse të guidave turistike. Ato ofrojnë shëtitje përgjatë bregdetit jonian për relaks dhe eksplorim përgjatë natyrës tokësore dhe ujore nga Himara, Borshi, Buneci, Krorëza, Kakomeja, Saranda e deri në Ksamil e Butrint. Shijimi mahnitës i brigjeve të virgjëra e ujëkaltra joniane nga këto anije, duket se janë preferenca kryesore e pushuesve dhe turistave këtë verë.. dhe numëri i anijeve shëtitëse, që ofrojnë këtë shërbim këtë sezon veror, është shtuar ndjeshëm e dukshëm duke qenë mbrëmjeve të ankoruara në gjirin detar të Sarandës dhe ditën në shërbim turistik.

Për t’u njohur më mirë me këtë shërbim që ofrohet për herë të parë dhe kaq bujshëm në Sarandë, ne shkuam në njërën prej këtyre anijeve shëtitëse, atë me emrin ‘’ Pasha VIP’’, një anije shëtitëse e administruar nga zoti Bujar Kamberaj. Bujari n’a thotë se janë për herë të parë në Sarandë që ofrojnë këtë shërbim turistik. Nënvizon se është i kënaqur deri tani dhe shpreson për më mirë ditët e ardhshme. Dhe kjo shpresë motivohet për vetë faktin se Saranda me bukurinë e saj magjepsëse e mahnitëse, madje gjithë bregdeti jonian, ka ende perla të pa zbuluara në gjirin e saj. Dhe ky rebus mistik duhet zgjidhur, këto labirinthe misterioze të botës bimore dhe shtazore, si ujore dhe tokësore, duhen zbuluar. Por nëse ky operator turistik shprehet kështu për gazetën ‘’TELEGRAF’’ duhet thënë se në ecurinë e mbarë turistike , natyrisht ndikojnë edhe kushtet e kufizimeve pandemike, shtuar kësaj edhe abuzimit policor me selektime gjobash apo shantazhe. Ana tjetër është zhurma e madhe akustike që vjen nga sirenat e ambulancave dhe zjarrfikseve me orë e pa orë, me urgjencë e pa urgjencë, natën dhe ditën. Është guidimi i makinave me shpejtësi të jashtëzakonshme dhe nga adoleshentë pa leje drejtimi, që paraqesin pasiguri dhe rrezik tek qytetarët kalimtar në trotuare.

Dhe shumë të tjera shqetësime, që kthehen në fenomen duke dëmtuar rëndë turizmin, pasi të huajt largohen përballë një realiteti të tillë, shtuar këtyre edhe çmimet e kripura. Por pavarësisht kësaj problematike, ky shërbim i anijeve shëtitëse shprehet optimist në ditët që vijnë, sepse me dëshirën e mirë, me vullnet për të kapërcyer dhe sfiduar pengesat, mund të bëhet më e mira për të mirën e të gjithëve.