Sherri Bashki-Qeveri, bllokohen punimet për bulevardin në Tiranë

431
Sigal

Enno Bozdo: Bllokimi i qëllimshëm nga Edi Rama. Dorëzuam kallëzim në Prokurori

Rikthen përplasjet midis Bashkisë së Tiranës dhe qeverisë (struktura e INUK) për zgjerimin e Bulevardit të Tiranës nga Stacioni i Trenit drejt periferisë. Dje në mesditë, specialistë të INUK-ut kanë bllokuar punimet në këtë objekt, me pretekstin se punimet janë në kundërshtim me praktikën e plotë ligjore. Lidhur me këtë, po dje, ka reaguar ashpër dhe Bashkia e Tiranës nëpërmjet zëvendësit të saj Enno Bozdo. Ai konfirmoi mes të tjerave se kanë dorëzuar dhe një kallëzim në Prokurori ndaj INUK për shpërdorim detyre.

REAGIMI I BASHKISË

Në reagimin e bashkisë thuhet se, ‘INUK ka bllokuar sërish punimet e bulevardit të ri. Argumenti i vetëm i tyre ka qenë se kemi urdhër nga lart. Në mënyrë të paprecedentë dhe në shkelje i vendimit të gjykatës, INUK i është bërë barrierë firmës së ndërtimit të bulevardit, duke mos e lejuar të vijojë punën’. Më tej Bozdo dha dhe argumentet e këtij urdhri, duke akuzuar për ‘të Kryeministrin Edi Rama. “Sot, përsëri INUK ka bllokuar punimet në bulevardin e Tiranës, një vepër që i shërben Tiranës, i shërben të gjithë qytetarëve të saj, që është një prioritet absolut i Bashkisë së Tiranës. E ka bërë këtë përsëri në shkelje të ligjit dhe në shkelje të vendimit të gjykatës. Nuk mjafton vendimi i Gjykatës Kushtetuese, për të bindur INUK dhe drejtuesit politikë të tij që nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë në këtë vepër; nuk mjafton as vendimi i gjykatës që rrëzon masën e parë të bllokimit të bulevardit, që INUK bëri një javë më parë, i denoncuar përmes mediave.

Sot, duke shkelur çdo ligj, çdo procedurë, çdo moral, INUK ka bllokuar përsëri këtë vepër të rëndësishme, por ky nuk është problem i INUK, ky është problem i liderit të tij politik, Edi Ramës i cili në mënyrë bandite (më vjen keq që përdor këtë gjuhë, por e tillë është), po drejton një qeveri bandite që nuk njeh as ligje, as të drejtë dhe as interesa qytetarësh. Ne jemi këtu, për të thënë që do të ndjekim çdo hap ligjor dhe do të ndërmarrim çdo masë tjetër të nevojshme e të domosdoshme që punimet jo vetëm të mos ndërpriten, që presioni ndaj kompanisë jo vetëm të mos ekzekutohet por që kjo vepër e madhe, e rëndësishme, të mbyllet brenda afatit të caktuar, në interesin më të mirë të qytetarëve të Tiranës”.

AKUZA TË TJERA

Z. Bozdo theksoi se, Rama po përdor edhe banorët e bulevardit për të penguar punimet, ndërkohë që, ai ka të gjithë autoritetin e nevojshëm për të rritur çmimin e shpronësimit, nëse vërtet do të ishte i shqetësuar për banorët. “Në emër të Bashkisë së Tiranës, pasi kemi marrë një kontakt të parë me Prokurorinë dhe prokurori i çështjes bëri edhe këqyrjen e vendit të ngjarjes, bashkë me stafin ligjor të Bashkisë do të shkojmë në Prokurori për të bërë kallëzimin penal, për shpërdorim të rëndë të detyrës nga ana e INUK si dhe për moszbatimin e drejtë të vendimit të gjykatës. Për fat të keq, ajo çka vumë re sot është se përveç bllokimit të bulevardit, kryeministri instrumentalizon edhe banorët të cilët kanë problematikën e tyre me çmimin e tokës. Në radhë të parë, këto janë metoda absolutisht të turpshme dhe në radhë të dytë kryeministri, qeveria sot e ka në dorë të ndryshojë çmimin e tokës, të ndryshojë çdo gjë, ta rrisë atë, në mënyrë që të kënaqë edhe kërkesat e banorëve. Kjo nuk është çështje e Bashkisë së Tiranës. Çështje e Bashkisë së Tiranës është bulevardi dhe ai do të vazhdojë me çdo kusht”. Mësohet se Bashkia e Tiranës ka bërë kallëzim në Prokurori ndaj INUK,  për shpërdorim detyre.