Arben Ahmetaj: FMN nuk detyron qeverinë shqiptare të rris çmimin e energjisë elektrike

416
Sigal

Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk detyron qeverinë shqiptare të rrisë çmimin e energjisë elektrike apo të cenojë qytetarët shqiptarë”, tha dje, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, gjatë një konference për shtyp. Në një deklaratë për mediat, duke folur për marrëveshjen 3 -vjeçare të nënshkruar nga Qeveria shqiptare me FMN, më 28 shkurt 2014, nga e cila vendi ynë do të përfitoj rreth 457 milionë dollarë me qëllim realizimin e reformave për shpejtimin e zhvillimit ekonomik, Ahmetaj tha se, marrëveshja është fillimi i pranverës ekonomike për Shqipërinë.

“Marrëveshja është nënshkruar me kërkesë të qeverisë shqiptare, në dritë të diellit në sytë e publikut shqiptar, medias, e keni transmetuar me të gjitha detajet, në formë dhe me shifra dhe në gjithçka që mbart. Një pjesë serioze e marrëveshjes është reflektuar në paketën e fiskale që ne kaluam në parlament, në buxhetin e vitit 2014, ku u ulën taksat për 97% të shqiptarëve. Në datën 1 Prill hiqet TVSH-ja medikamenteve, masë kjo e marrë brenda paketës fiskale dhe në bashkëpunim me FMN”,-tha Ahmetaj.

Ministri i zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes tha se, nëpërmjet kësaj marrëveshje qeveria synon transparencën, si thelb të mirëqeverisjes së saj. “Arsyeja përse ne thirrëm FMN-në dhe Bankën Botërore në Shqipëri është e kundërta e arsyes përse Sali Berisha e refuzoi gjatë qeverisjes së tij, TRANSPARENCA. Për ne transparenca është thelbi qeverisjes afatgjatë dhe motivi kryesor i zhvillimit ekonomik të një vendi”,-tha ai.

Po ashtu, ministri Ahmetaj, garantoi se: “Nga kjo marrëveshje nuk ka asnjë detyrim, asnjë plan për rritje të çmimit të energjisë, përkundrazi qeveria “Rama” do mbrojë qytetarët, që i Berisha dyfishoi çmimin e energjisë, ne s’do cenojmë këtë goditje karshi atyre që na besuan qeverinë, përkundrazi nëpërmjet rritjes ekonomike, nëpërmjet ringritjes ne do garantojmë siguri energjetike, siguri fiskale dhe do nxisim rritjen ekonomike”.