Sherefedin Shehu: “Akti Normativ përkeqëson dhe destabilizon financat publike”

431
Sigal

Dje Kuvendi miratoi me votat e maxhorancës Aktin Normativ “Për ndryshimet në buxhetin e 2013”-s, përmes një debati të ashpër me opozitën. Deputeti i PD-së, Sherefedin Shehu, në intervistën për “Telegraf”, me përvojën e një specialisti të ekonomisë, duke skanuar Aktin Normativ, thotë se ky akt mund të quhet akti i papërgjegjshmërisë dhe i paligjshmërisë. Sipas zotit Shehu, ky akt anormativ do të thellojë borxhin, duke mbushur xhepat e klientëve të qeverisë.

– Zoti Shehu, ç’do të thotë për opozitën Akti Normativ për ndryshimin e Buxhetit 2013?

– Akti Normativ i djeshëm, për ndryshimin e Buxhetit 2013, mund të quhet akti i papërgjegjshmërisë dhe i paligjshmërisë. Sot kur qytetarët presin nga lidershipi i ri përmirësimin e situatës, bashkëqeveria Rama-Meta paraqet një akt që i përkeqëson dhe destabilizon financat publike. Dje, kur ata kërkuan votat shqiptarëve, u  shtirën si kalorësit e antiborxhit, ndërsa sot, akoma pa i ngrohur kolltukët, po e zhysin vendin në borxh. Me sa duket, ata u ulën në kolltukë për të  shijuar pushtetin, ndaj menjëherë propozuan një akt që u relakson duke u mundësuar të marrin borxh për të mbajtur administratën pa qenë nevoja të sforcohen për të mbledhur të ardhura. Dhe, siç e kanë zakon, ata nuk pyesin fare për ligjin, mbasi ligji nuk u lejon të merrnin borxh për   shpenzimet e administratës. Me këtë mendjelehtësi e filluan edhe punën. Dhe, duke e ditur se premtimet e tyre nuk mund te realizoheshin, thanë: “Le t’ia hedhim fajin Saliut edhe njëherë”. Me këtë logjikë, përgatitën këtë akt, i cili u lë dorë të lirë të marrin borxh sa të duan dhe t’i përdorin paratë e borxhit për çfarë të duan. Papërgjegjshmëria e tyre u duk që në ditët e para të qeverisjes. Sapo u futën në zyra, thanë që arka është bosh. Por arka e shtetit  mbushet e zbrazet çdo ditë. Dhe është detyra  e qeverisë që ta mbushë, por meqenëse ata kanë ardhur në pushtet për të sunduar dhe jo për të qeverisur, duhej që ta gjenin atë plot dhe, mundësisht, edhe me flori. Votat, kjo qeveri, i ka marrë për të mbushur arkën me të ardhura dhe jo me borxh, siç  bënë dje me këtë akt  normativ.

– Cila është e vërteta e gjendjes financiare të Buxhetit të Shtetit?

– Ditën e dytë të qeverisjes, ata  thanë që ekonomia  është në ditën më të keqe dhe, në vend që të punonin për të mbushur arkën e shtetit, vunë boritë e alarmit për të krijuar panik dhe trembur biznesin. Por, fatmirësisht, përgënjeshtrimi erdhi nga Bashkimi Europian dhe Institucionet financiare ndërkombëtare.  Më 16 tetor, Raporti i Progresit i BE-së konfirmon se: “Shqipëria ruajti stabilitetin makroekonomik me rritje ekonomike 3.1% në 2011, 1.6% në 2012, dhe 1.7% në tremujorin e parë të   2013-ës. Investimet e huaja në 2013 u rritën 12.3% dhe eksportet u rritën me 18.4%. Ndërsa Ministri i Ekonomisë dhe Financave të Italisë, Fabrizio Saçomanni, më 12 tetor, 2013 në mbledhjen vjetore të FMN-së, deklaroi se: “Shqipëria në 2013 pritet të ketë një rritje reale të PBB-së rreth 2 %  dhe në 2014 ajo do të përmirësohet.” Kur ata  u ulën në karrige, thanë që të papunët në Shqipëri janë 1 milion. Po përsëri përgënjeshtrimi erdhi nga ndërkombëtarët. Raporti i BE-së nënvizon se papunësia në Shqipëri në 2012 u ul në 13% nga 13.4% në 2011. Punësimi u rrit me 2.8%  dhe në gjysmën e parë të 2013, papunësia u ul më tej në 12.8%. Ndërsa z. Saçomanni nga Uashingtoni deklaroi se papunësia në Shqipëri “…mbetet stabël në 12.8 %  dhe është rritur paga reale dhe për ditë pune”. Po kështu kanë thënë dhe vazhdojnë të thonë se qeveria e Berishës i rriti çmimet, ndërsa raporti i BE-së thotë se inflacioni në Shqipëri nga 3.5% në 2011 ra në 2% në 2012, dhe në tremujorin e parë e të dytë  të 2013 ishte përkatësisht 2.5% dhe 2.2%. Ndërsa kursi i këmbimit të lekut ishte stabël. Të njëjtën gjë konfirmon edhe z. Saçomanni, i cili thotë se: “Inflacioni për 8 muajt e parë të vitit ishte mesatarisht 2.1 %.”

Sipas jush, cili është qëllimi i opozitës, me këtë Akt Normativ?

 – Pra, për paaftësinë  e tyre, ata  nuk mund t’ia hidhnin më fajin Berishës. Ata  po e fillojnë qeverisjen me arbitraritet, papërgjegjshmëri, por edhe me djallëzi. Meqenëse ky akt mbulon me borxh paaftësinë e tyre për të mbledhur të ardhura, më parë krijuan alibinë se borxhi në Shqipëri është 70 % dhe mund të shkojë edhe 73 % të PBB-së. Dhe këtë e bëjnë që nesër të maten me objektivin që paracaktuan vetë dhe jo me arritjet e qeverisë së PD-së në këto 8 vite. Pra, me këtë akt krijojnë edhe metrin me të cilin do të matin veten, që në fakt mund të quhet viti 39 i diktaturës së Ramës dhe Metës, ashtu siç bënim deri në fund të viteve ‘80, ose siç thotë populli: “Matu me hijen e mëngjesit, që të dukesh më i gjatë”.

Ky akt synon që të krijojë panik tek qytetarët dhe Rama e Meta nesër të quhen shpëtimtarët. Por ekonomia shqiptare është e strukturuar mirë dhe i mbijetoi me sukses krizës. Qytetarët duhet të besojnë ato që thotë BE-ja dhe Institucionet Ndërkombëtare dhe jo ato që thotë qeveria. Për këtë ata duhet t’i bëjnë presion qeverisë që të ruajë dhe forcojë stabilitetin e trashëguar nga qeveria e PD-së.

– Përse, sipas jush, ky Akt Normativ për ndryshimin e buxhetit 2013 është edhe antiligjor?

– Përveç papërgjegjshmërisë, qeveria me këtë akt dje demonstroi edhe antiligjin. Me miratimin e këtij akti shkelen standardet më të mira fiskale të zbatuara deri tani dhe ligjërohet anarkia. Që nga 2005 qeveria e PD-së ka marrë borxh vetëm për investime, ndërsa me aktin e djeshëm rreth 100 milionë dollarë borxh do të shkojnë për pagat e administratës dhe shpërblimin e klientëve të qeverisë. Ata çirreshin dje kundër borxhit, por në fakt janë çjerrur kundër zhvillimit të  Shqipërisë, sepse qeveria e Berishës merrte borxh vetëm për autostrada dhe tunele. Sot ata po marrin 9.2 miliardë lekë borxh për administratën e shtuar. Kështu akti i djeshëm është i paligjshëm, sepse neni 57 i ligjit për menaxhimin e sistemit buxhetor e lejon qeverinë të marrë borxh vetëm për investime. Për këtë arsye, ne e quajmë këtë akt të destabilizimit të financave publike, dhe kërkojmë që të kthehet mbrapsht e të përgatitet sipas standardeve fiskale të trashëguara nga qeveria e mëparshme dhe në përputhje me ligjet në fuqi.

Akti Normativ që rrit borxhin, duke mbushur xhepat e klientëve të qeverisë

– Sipas jush, cilat do të jenë pasojat ekonomike, me këtë Akt Normativ të qeverisë “Rama1”?

– Me këtë akt qeveria po e 4-fishon mosrealizimin mujor të të ardhurave dhe e mbulon atë me borxh të dyfishuar. Deri në gusht u morën borxh rreth 35 miliardë leke, ndërsa në 4 muajt e mbetur do të merren rreth 37 miliardë lekë. Ndonëse ky vit është më i mirë se viti 2012, rishikimi i buxhetit bëhet duke rritur barrën e qytetarëve. Raporti i BE-së e vlerëson rishikimin e buxhetit të bërë në 2012 nga qeveria e PD-së si rishikim, i cili e kompensoi uljen e të ardhurave me shkurtim të shpenzimeve dhe thekson se në 2012, defiçiti u ul ne 3.4% të PBB-së nga 3.5% që ishte në 2011. Ndërsa sot, me këtë akt, qeveria në vend që ta ulë borxhin publik, po e rrit atë në 6.3% të PBB-së.  Pra, as për këtë nuk mund të fajësohet Saliu. Qeveria e PD-së nuk realizoi 2 miliardë në muaj, ndërsa qeveria Rama-Meta tani vendos të mos realizojë 8 miliardë lekë në muaj, duke krijuar me ligj një gropë fiskale 24 miliardë lekë.   Akti i djeshëm e rrit borxhin me 24 miliardë, pa ulur asnjë lek shpenzimet për veten dhe duke rritur buxhetin e Kryeministrit me 600 mijë dollarë. Nga ana tjetër, ky akt i ul investimet me rreth 100 milionë dollarë dhe nuk shton asnjë lek për faturat e papaguara të investimeve publike. Rritja e borxhit do të ishte e justifikueshme nëse qeveria do të merrte më shumë borxh për të shlyer faturat ndaj biznesit. Por ky akt dëshmon se qeveria e ka fshirë nga lista premtimin për shlyerjen e detyrimeve kontraktore ndaj bizneseve. Borxh i rritur nuk do të përdoret për kontratat e investimeve të kryera dhe papaguara, sepse ato nuk përfshihen në këtë buxhet. Nga ana tjetër, ulja e investimeve do të krijojë një faturë të re nga punimet dhe shërbimet e kontraktuara dhe të papaguara brenda këtij viti. Por qeveria nuk i harron klientët e saj. Borxhi i rritur në 2 muaj të mbetur do të shkojë në xhepat e klientëve të qeverisë, duke mos u marrë tatime, ose, duke ju rikthyer ato të paguara më parë, nën të ashtuquajturat “rimbursime”.