Shëndetësia groposet nga kreditë, Manastirliu merr dhe 25 mln. euro

445
Sigal

Sistemi shëndetësor në vend po përballet me sfida të mëdha, ndërsa mundësitë për të përballuar këto sfida kanë qenë të limituara. Në periudhën e pandemisë qytetarët kanë paguar rreth 60% të vlerës së shpenzuar nga xhepi. Një pjesë e mirë e problematikës vijon të mbetet korrupsioni ‘nën dorë’. Por pavarësisht investimeve, të cilat kanë qenë të shumta në Shqipëri vijon të mungojë një sistem shëndetësor në nivelet europiane ashtu siç propagandohet në media. Megjithatë kjo duket se ka qenë vetëm më shumë motivuese për ministren Manastirliu për të marrë një tjetër kredi, e cila do të investohet për përmirësimin e shërbimit në 5 spitale. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale Ogerta Manastirliu prezantoi në Komisionin për Shëndetësinë dhe Çështjet Sociale, projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin shtesë për spitalet, përmes projektit “Përmirësimi i Sistemit Shëndetësor”. Ministrja deklaroi se financimi shtesë në vlerën 25 milionë euro për projektin e përmirësimit të sistemit shëndetësor në Shqipëri do të sigurojë ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët dhe përmirësim të mëtejshëm të ofrimit të shërbimit të kujdesit spitalor në vend.

“Kjo marrëveshje synon që të përmirësojë sistemin shëndetësor duke pasur fokus në reformën spitalore. Financimi shtesë është në vlerën 25 milionë euro dhe ndahet në tre komponentë. Në komponentin e përmirësimit të infrastrukturës; në komponentin e përmirësimit të menaxhimit të informacionit shëndetësor dhe në komponentin e tretë monitorim, vlerësim, menaxhimin e projekteve dhe asistencës teknike. Do të përfundojë modernizimi i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”; nëpërmjet rehabilitimit të spitalit të Kardiokirurgjisë, spitalit të Djegie-Plastikës, Spitalit Psikotrik. Gjithashtu do të kemi mundësi që të përfundojmë edhe rehabilitimin e spitalit të Lezhës, të spitalit të Krujës. Ne tashmë kemi hyrë në një proces intensiv edhe të digjitalizimit në sistemin e kujdesit spitalor, ku një rëndësi dhe fokus të veçantë i është vendosur pikërisht sistemit të informacionit, i cili tashmë ka filluar zbatimin e tij në 4 spitale të para. Ndërkohë që nëpërmjet kësaj marrëveshjeje dhe nëpërmjet financimit nga kjo marrëveshje, ne synojmë që të shtrijmë sistemin e informacionit spitalor edhe në 7 spitale të tjera, duke përfshirë këtu spitalin e Gjirokastrës, Beratit, Lezhës, Fierit, Korçës, Dibrës dhe Kukësit”, u shpreh Manastirliu.