Servet Pëllumbi: Kryetarët e partive, përgjegjës për kriminelët në Parlament

512
Profesor Pëllumbi, zgjedhjet e 21 qershorit do të jenë testi i pare elektoral i klasës politike shqiptare, pas 23 qershorit të vitit 2013. Si shkojnë partitë kryesore në këto zgjedhje? 

Të gjitha llojet e zgjedhjeve, në thelb janë teste demokratike nga më të rëndësishmet, sepse klasa politike, partitë, institucionet, kandidaturat kalojnë nëpër një “sitë të imët” ballafaqimi dhe vlerësimi. Zgjedhjet e 21 qershorit, drejtpërdrejt nuk janë politike, por fakti që ato zhvillohen mbi bazën e një ndarjeje të re territoriale, i bën ato të një rëndësie të veçantë. Ndërkaq, është për të ardhur keq që partitë po nisin fushatën zgjedhore në një situatë politike të tensionuar akuzash dhe kundër-akuzash, në kushtet e mungesës së pafalshme të dialogut politik dhe të bashkëpunimit, deri dhe për çështje me rëndësi të veçantë strategjike dhe kombëtare, për çka përsëri e përsëri tërheq vëmendjen e politikës shqiptare Rezoluta e 14 prillit 2015 e Parlamentit Europian. 

Si e shihni performancën e qeverisë dhe të opozitës, në dy vitet e fundit? 

Unë mendoj se qeveria gjatë këtij një viti e gjysmë, në përgjithësi ka mundur të përballojë një krizë të pashembullt, madje do thosha të panjohur për nga përmasat, sepse ishte kamufluar nga qeveria e mëparshme përmes “sukseseve” të paqena dhe propagandës shterpë. Mjafton të themi, se qeveria aktuale gjeti në fondin e emergjencës civile vetëm 570 dollarë dhe miliona dollarë borxhe të pa njohura as në Kuvend dhe as për publikun e gjerë. Qeveria e koalicionit të majtë, me transparencë ka bërë të gjitha përpjekjet që një situatë e tillë të kapërcehet dhe zhvillimi ekonomik të njohë rritjet e para. Themelore është se qeveria po bën reforma të studiuara dhe po merr një varg masash për të bërë shtet, për t’u prerë rrugën abuzimeve me pushtetin dhe praktikave korruptive. Edhe pse po merr jo pak kosto sociale mbi vete dhe ka bërë përkohësisht mjaft njerëz të pakënaqur. 

Afrimit të fushatës i parapriu një debat i nxehtë politik në lidhje me akuzat publike të deputetit Tom Doshi. Si e keni përjetuar këtë ngjarje, e cila ka lindur brenda grupit parlamentar të PS? 

Për mendimin tim, ishte një skenar i thirrur për të përçarë mazhorancën qeverisëse në pragun e zgjedhjeve vendore, duke përdorur dy nga deputetët me të kaluar problematike (apo kriminale), njërin të PS-së dhe tjetrin të PDK-së. Ata, apo “ai” që e inskenoi, që e përdori dhe që e quan veten “mjeshtër”, doli se vazhdon të mbetet një “çirak”. Thënë ndryshe, veç zhurmës, ata (“ai”) nuk fituan ndonjë gjë me vlerë, për të mos thënë se dolën të humbur, se “luajtën” shumë trashë! 

Paralelisht me çështjen Doshi-Frroku, është debatuar ashpër edhe për atë që konsiderohet si dekriminalizimi i Kuvendit. Si ish-Kryetar i Parlamentit, a pajtoheni me idenë se kjo legjislaturë ka një nivel profesional, por edhe etik, më të ulët se legjislaturat paraardhëse? A ka qenë më me nivel Kuvendi në të shkuarën?

Kriminalizimi i Parlamentit është një çështje tepër serioze që ngarkon me përgjegjësi hartuesit e listave të deputetëve për zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Sa larg demokracisë! Për këtë tërhoqi përsëri vëmendjen edhe Parlamenti Europian me Rezolutën për Shqipërinë, e cila u debatua dhe u votua në Komisionin e Jashtëm më datën 14 prill dhe që pas katër ditësh do të votohet edhe në PE. Po vij te pjesa e dytë e pyetjes suaj. Jo vetëm si ish-Kryetar i Parlamentit, por dhe thjesht si qytetar i këtij vendi, asnjëherë nuk mund të pajtohem me ardhjen në organin më të lartë legjislativ të njerëzve me të kaluar kriminale. Po ashtu, është për të ardhur keq që niveli i Parlamentit, si nga ana profesionale ashtu dhe nga ajo etiko-morale, ka ardhur duke rënë nga një legjislaturë në tjetrën. Elektorati me siguri do të dijë të mbajë shënimet përkatëse për hartuesit e listave, që si rregull janë “njëshat” e partive, majtas dhe djathtas! 

Kandidimi i listave për 61 bashkitë, ka marrë sërish kritika lidhur me mënyrën sesi janë negociuar brenda partive politike emrat konkretë. A bashkoheni edhe ju me ata që mendojnë se listat e kandidatëve duhet të kishin ndjekur një rrugë konsultimi dhe propozimi të ndryshme nga kjo që shohim? 

Prej kohësh edhe unë i kam bërë publike vërejtjet e mia për procedurat jo demokratike të përzgjedhjes së kandidaturave. Në rastin më të mire, pyeten deputetët, të cilët rrallë (për të mos thënë asnjëherë në mënyrë të organizuar pas zgjidhjeve), nuk konsultohen me zgjedhësit e tyre, duke u justifikuar se tani nuk janë “deputetë zonash”! Organizatat, kryesitë dhe asambletë në PS nuk u pyetën si duhet as për kandidaturat e 61 bashkive të ardhshme. Mungon transparenca dhe kjo ka shkaktuar probleme serioze në raportet e qendrës me bazën e partisë. Mbetet për të shpresuar te instikti vetëmbrojtës i PS-së dhe i elektoratit të saj, masiv dhe i qëndrueshëm! 

Pas një çerek shekulli tranzicion, duket papritur se klasa politike i ka “bjerrur” disa nga vlerat bazë që lidhen me debatin e brendshëm, rregullat demokratike dhe respektimin e statuteve partiake. Pse ka ndodhur kjo, sipas jush?

Pas një çerek shekulli, kohët kanë ndryshuar, po ashtu dhe njerëzit, idetë, përvojat, prandaj edhe konceptet dhe praktikat e demokracisë partiake janë të tjera në krahasim me kohën kur theksi vihej te demokracia e forumeve. Sot në kohën e internetit dhe të rrjeteve sociale, ka të tjera mundësi në drejtim të zgjerimit dhe përdorimit të demokracisë së drejtpërdrejtë dhe të zëvendësimit të strukturave fikse partiake me lëvizjet që funksionojnë në formë klubesh, bashkësish me “anëtarësi të lëshuar”, apo dhe iniciativash qytetare në vartësi të problemeve, situatave etj., që s’kanë nevojë as për struktura e drejtues permanentë, sepse veprojnë sipas parimit lësho-grumbullo. Një funksionim i tillë është joshës, më i shpejtë, më dinamik dhe më fleksibël, por baza e partisë tek ne nuk e njeh dhe as janë bërë hapa për f ia bërë të njohur të mirat dhe mangësitë e modeleve të tilla. Po ashtu, mendoj se ka ardhur koha që të shikohet mundësia e rinovimit edhe e rregullave statusore që t’i jepet fund sa më shpejt që të jetë e mundur, praktikës së ekzistencës formale apo fiktive të forumeve partiake tradicionale, si asambletë në qendër dhe në rrethe, që as mblidhen dhe as pyeten për gjë. Për më tepër, që nuk është e qartë se me çfarë do të zëvendësohen. Për pasojë, anëtarët e tyre shpesh irritohen nga kjo, aq sa të thonë: “ka marrë fund Partia Socialiste”(!), prandaj dhe kanë filluar të priren drejt “vetëgjyqësive”, duke u larguar nga PS-ja. Ndërkaq, e ritheksoj, se pa injoruar dukuritë e reja në funksionimin e “partive si lëvizje”, nuk duhet harruar kurrsesi, se asgjë nuk mund t’i zëvendësojë kontaktet e gjalla me njerëzit…! 

Shifrat tregojnë se ka një fenomen të habitshëm ikjeje, ose më mirë arratie të shqiptarëve nga vendet e tyre. Kosova, më së pari, por edhe Shqipëria. Pse ndodh kjo, sipas jush? 

Pa dyshim, largime të tilla që marrin trajtën e eksodeve masive të viteve të para të tranzicionit, janë tepër shqetësuese dhe meritojnë analiza e studime të posaçme. Kjo ndodh kryesisht për arsye ekonomike, sepse në Shqipëri dhe në Kosovë vazhdojnë të ndihen pasojat e krizës, të “Recesionit të madh” që përfshiu botën pas krizës financiare amerikane të vitit 2008. Papunësia tek ne dhe në Kosovë vazhdon të jetë e lartë, sidomos në radhët e të rinjve. Niveli dhe cilësia e jetës ka dallime substanciale nga ajo e vendeve të zhvilluara europiane. Krimi i organizuar, korrupsioni dhe pasiguria për jetën vazhdojnë të jenë shqetësim kryesor e motiv me peshë për të kërkuar një jetë më të mirë dhe më të sigurt gjetkë. Ndërkaq edhe disa reforma jo aq popullore që ka ndërmarrë qeveria e “Rilindjes” për të bërë shtet, për të vendosur rregullin e diktuar nga ligji, janë përjetuar nga disa si kufizim i mundësive për të “shire” edhe më tej në informalitet. Gjithsesi, nuk kemi as mekanizmat dhe as format e parandalimit të dukurive të tilla, që merren vesh kryesisht nga të dhënat e vendeve që bëhen “viktima” të vërshimit të emigrantëve. Tërheq vëmendjen edhe fakti që prirje të tilla nuk janë thjesht një dukuri shqiptare. Në epokën e sotme të globalizimit, është duke vepruar një lloj “nomadizimi” i popujve, kurse Europa vazhdon të mos ketë politika bashkëkohore për t’iu përgjigjur në mënyrë adekuate zhvillimeve të tilla. Henri Kizinger, si me shaka, tha në një intervistë në gazetën gjermane “Shpigel” se nuk ka as një numër telefoni për të mësuar se cilat politika do të ndjekë Europa! Fatkeqësisht kjo u ka lejuar hapësira të lira forcave të ekstremit të djathtë, Nacional – demokratizmit, që po fiton kapital politik dhe pushtet deri dhe në strukturat e Bashkimit Europian, me politikat antiemigracion të tipit fashist. 

Në këtë rrafsh, a kini ndonjë koment për deklaratën e Kryeministrit Rama, në një intervistë dhënë Baton Haxhiut, lidhur me alternativat e mundshme të bashkimit kombëtar, që ka pasur reagime të shumta, kryesisht kritike? 

Që në fillim, do të thosha se nuk bëhet fjalë për ndonjë kalim të z. Rama nga “kozmopolitizmi në nacionalizëm”, as për sulm ndaj Europës dhe as për “riizolim të Shqipërisë”, siç filluan të shprehen politikanë të opozitës shqiptare, që duket se mezi presin që të gabojë Kryeministri i “Rilindjes”. Madje, kam përshtypjen se edhe disa eksponentë të politikës në Bruksel, u shpejtuan të deklarohen në mënyrë kritike pa kuptuar mirë thelbin e deklaratës së kryeministrit shqiptar. E vërteta është ndryshe. Së pari, se bashkimi kombëtar nuk është një çështje e krijuar nga shqiptarët, por nga fuqitë e mëdha që i ndanë ata arbitrarisht në pesë shtete, para më se 100 vjetësh. Së dyti, se bashkimi kombëtar është aspirate e përhershme e shqiptarëve dhe detyrim kushtetues i sanksionuar në preambulën e Kushtetutës shqiptare (1998). Se treti, se çështja e bashkimit kombëtar shtrohet në shtratin e integrimit europian dhe global, që është proritar në raport me ” bashkimin kombëtar klasik”. Së fundi, një ide e tillë kombëtare është frymëzuese, burim kohezioni dhe njëherësh një mundësi më e madhe për zhvillim të shpejtë si komb, që shpërndan ndjesitë pesimiste të atyre që thonë se “Shqipëria nuk bëhet”, duke përqafuar nomadizimin… Gjithsesi, është fakt se të njohësh historinë, është thelbësore për të kuptuar politikat e sotme. Në këtë rrafsh, deklarata e Kryeministrit Rama mbi bashkimin kombëtar është e saktë, vizionare, largpamëse dhe meriton mbështetje të të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga dallimet partiake. Kështu edhe e shkuara i jep dritë të ardhmes!
Marrë nga revista ‘Java”
Sigal