Sekretari i PS, Gjiknuri në Departamentin e Shtetit, Drejtësisë, Mbrojtjes dhe në studiot e VOS-s. Ja garancitë e PS-së

587
Sigal

“Është ende herët në Shqipëri që komisionet e zgjedhjeve të depolitizohen”

Flet  në ” Zërin e Amerikës”, deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri

Laura Kondi: – Zoti Gjiknuri, Ju morët pjesë në Konventën e Demokratëve. Si e përjetuat këtë ftesë?

– Për mua është një ngjarje e veçuar, të paktën, midis të tjerave, të ndjekësh nga afër mënyrën sesi  bëhet debati.  Dje isha edhe në Uashington, ku pata disa takime në Departamentin e Shtetit, në Departamentin e Drejtësisë dhe bashkërisht diskutuam problemet në lidhje me disa nga çështjet që preokupojnë politiken shqiptare, si edhe me çështje që interesojnë politikën amerikane në rajon dhe kryesisht në Shqipëri, probleme që kanë të bëjnë me forcimin e institucioneve të pavarura, me problemet që kanë të bëjnë me sigurinë, problemet që kanë të bëjnë me zgjedhjet dhe takimin që pata me drejtoreshën që mbulon OSBE-në në departamentin e shtetit, zonja  Susan Bell, në lidhje me përgatitjet e zgjedhjeve të ardhshme. Ato shihen si një moment deçiziv, i konsolidimit të demokracisë shqiptare dhe realizimin qoftë edhe të një tranzicioni të butë, qoftë edhe nga ana tjetër, edhe sikur të fitojë PD-ja ose PS-ja, e rëndësishme do të ishte që zgjedhjet të jenë vërtet të lira dhe të pranohen nga palët.

Laura Kondi: – Ju jeni një nga bashkautorët e Kodit të ri Zgjedhor. Pika kyçe ka qenë zgjedhja e Kryetarit të ri të KQZ-së.  Çfarë të reja sjell Kodi Zgjedhor në zgjedhjen e Kryetarit të KQZ-së?

-Kodi ekzistues një copë skeme e mirëfilltë politike, që PD-ja propozonte 4 individë kandidatë dhe PS-ja 2, duke bërë bashkëpërgjegjëse politike e duke mos patur një zgjidhje reale, sepse në 2008-n nga 4 kandidatë që dha PD-ja, sot 3 prej tyre janë anëtarë të kryesisë të PD-së. Riformatimi i KQZ-së, ishte një pikë e rëndësishme për vetë faktin që KQZ-ja dështoi në mënyrë të dukshme në menaxhimin e zgjedhjeve të 2011-s, ku edhe ndërkombëtarët e kritikuan. Të rejat që solli Kodi Zgjedhor konstaton në një implikim tjetër të KQZ-së së re. Prandaj u pa deçizive ngritja e këtij institucioni  shumë kohë përpara zgjedhjeve, që në muajin shtator, ky proces të përfundojë.

Laura Kondi: – Ju në fillim mbështetët kandidaturën e Kryetarit të tanishëm të KQZ-së, e më vonë e kontestuat. Apo jo?

– Unë thashë  nga zgjedhja, nga mënyra se u vu, ishte e vetmja gjellë që mund të hahej, nëse më lejohet të shprehem në mënyrë figurative. Realisht, sistemi tani është bërë më i hapur, ka mundësi për një zgjedhje më të gjerë, më konsensuale e kjo e shoqëruar me shumë masa të tjera në Kodin Zgjedhor, ka krijuar disa garanci shtesë, të cilat nesë kuptohen, nisur edhe nga kujdesi i veçantë që duhet të dëftojë PS-ja me menaxhimin e votës, nga zgjedhësit e saj, me mbrojtjen e votës, me monitorimin e procesit, ka mundësi që procesi të shkojë normal ishte dhe rezultati të dalë në kohë, pa ndërhyrjen e KQZ-së.

 Laura Kondi: – Ky monitorim, është një paralelizëm që kryhet me grupin parlamentar të KQZ-së, a nuk dëmton procesin, kjo ndërhyrje nga partitë, nga politika?

– Në fakt komisionet te ne janë me përbërje politike, ka shumë kritika, edhe unë kam dilemën, a është momenti që Shqipëria të shkëputet nga komisionet politike, por po të flasim realisht, në kushtet shqiptare, dhe e kemi diskutuar gjerë e gjatë me shumë ekspertë, me njerëz që janë të interesuar, u arrit në konkluzionin që në Shqipëri, është ende herët ë të kalohet në një proces të mirëfilltë teknik dhe që të administrohet nga qeveria. Si qeveria shqiptare, ashtu edhe administrata publike në përgjithësi janë mbushur me njerëz militantë politikë. Ne nuk mund të kemi një administratë solide, që i ka qëndruar kohës, që i janë shkëputur politikës.

-Laura Kondi: -Është fjala për komisionin e përbashkët parlamentar

– Jo, është fjala për nivelet më poshtë. Flas për Komisionin Qendror të Votimit dhe KZAZ-të. KQZ-ja, edhe ky ka karakter politik, por administrimin e zgjedhjeve e bëjnë komisionet që ju lartpërmenda. Procesi mbyllet poshtë. Aty ndodh edhe manipulimi, aty ndodh edhe ndërhyrja,. Flas për qendrat e votimit deri të KZAZ-të, që  ka mbyllë rezultatin zgjedhor. Ju thashë për rolin që duhet të luajnë partitë politike. Roli i tyre është pjesë aktive në këto komisione të nivelit më të ulët nga KQZ-ja dhe zbatimi e respektimi i ligjit është parësor. PS-ja e ka bërë më së miri dhe do ta vazhdojë ta kryejë këtë detyrë, sepse e shikon zbatimin e ligjit zgjedhor, si të vetmen mundësi që ne të kemi zgjedhje të lira e të vijmë në pushtet.

Laura Kondi: – Të vijmë te Imuniteti. Parimisht, thuhet se PD-PS e kanë pranuar këtë, por Edi Rama pranon heqjen e imunitetit me kufizim. Çfarë kuptohet me këtë kufizim?

– Ka patur një debat lidhur me këtë, që edhe për arrestimin, të mos ketë nevojë për lejen e parlamentit. Këto janë masa që shkojnë në harmoni me heqjen e imunitetit.

Laura Kondi:-  Përse nuk përfundon fillimisht imuniteti, e të tjerat të shikohen më vonë?

– Edhe çështjet e tjera janë po kaq të rëndësishme, siç është imuniteti, por është edhe forcimi i drejtësisë, pavarësia e drejtësisë. Drejtësia ka qenë një nga pikat më të kritikueshme, në një vend që nuk ka drejtësi, realisht nuk jep edhe shpresë shqiptarëve. Pengon investimet. Madje, do të krijojë edhe probleme të sigurisë më vonë, pasi shumë konflikte që normalisht duhet të ishin zgjidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të shpejtë në gjykatat shqiptare, përfundojnë në kaos social. Pra, problemi është shumë më i gjerë, duhet parë në dinamikë. Ne e kemi  vizionin tonë  që kjo nismë të shoqërojë ndryshimet që kërkohen në Kushtetutë për Imunitetin, derisa jemi në procesin e ndryshimeve kushtetuese, sepse, në fund të fundit, Kushtetuta njëherë ndryshohet. Dhe kjo do kohë dhe debatin e nevojshëm.

________________________________________________________________________________________

Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri mori pjesë në Forumin e Liderëve Botërorë, që u zhvillua me rastin e Konventës së Demokratëve në Karolinën e Veriut

Gjiknuri takohet me lider të Departamentit të Shtetit, të Drejtësisë dhe të Mbrojtjes

Ftesa është bërë nga Bordi i Drejtuesve të Institutit Kombëtar Demokrat që kryesohet nga ish-sekretarja e Shtetit Madalen Allbright. Në këtë aktivitet që zhvillohej në kuadrin e Konventës morën pjesë personalitete të njohura politike e diplomatike. Gjatë qëndrimit në SHBA deputeti Gjiknuri u takua në departamentin e shtetit me  Jonathan Moor, Drejtorin  e Rajonit të Evropës Lindore dhe Juglindore. Zoti Moore është zëvendësi i zotit Philip Riker, i cili ndodhet për vizitë në Tiranë. Në takim është folur rreth çështjeve që kishin të bënin me  institucionet e pavarura, forcimin e tyre, rolin e opozitës, integrimin evropian, çështjet e sigurisë dhe zgjedhjet. Bashkëbiseduesit Gjiknuri dhe Moore diskutuan për konsolidimin e institucioneve të pavarura  dhe forcimi i shtetit ligjor si receta e vetme që siguron stabilitet afatgjatë për Shqipërinë. “Në zgjedhje duhet shkuar me një klimë të qetë dhe ato duhet të jenë të lira dhe të ndershme. SHBA do të luajnë rolin e tyre në këtë drejtim,” është shprehur Moore. Në zyrat e OSBE-s në Uashington Gjiknuri është pritur nga zonja Susan Bell drejtore në Departamentin e Shtetit  që mbulon çështjet e OSBE-së dhe zgjedhjet . Gjatë takimit  Bell- Gjiknuri problemet që u diskutuan ishin kryesisht ato të  çështjeve  zgjedhjeve, reformën zgjedhore dhe përgatitjen  për zgjedhjet e 2013-s. Gjiknuri kërkoi monitorim të hershëm të përgatitjeve për zgjedhjeve si dhe shqetësimin se qeveria duhet të realizojë angazhimet e marra për përgatitjen infrastrukturore të zgjedhjeve. Në këtë takim, sipas burimeve, bëhet e ditur se Gjiknuri ka shprehur shqetësimin për qëndrimin e njëanshëm dhe të politizuar të  KQZ-së, ku rasti më flagrant që u evidentua  publikisht  nga mediat e shkruara dhe ato vizive ishte rasti i zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës,  ku fitues i vërtetë ishte  Edi Rama.  Në vijim të qëndrimit në Uashington, deputeti Gjiknuri u prit nga zëvendësdrejtori i Programit te Asistencës Ndërkombëtare të Hetimit, zoti Gregory Ducot, ku u fol për asistencën amerikane në fushën e drejtësisë dhe policisë si dhe problemet në këtë sektor. Pjesë e takimeve të Damian Gjiknurit ishte edhe ai në Departamentin e Mbrojtjes me Drejtorin e Koordinimit Operacional për Evropën Juglindore. Hollësitë nga ky takim nuk bëhen publike, por duket se një rëndësi është kushtuar çështjeve të mbrojtjes dhe sigurisë, përfshirë dhe problematika e kontrollit parlamentar mbi Forcat e Armatosura.