Tirana, Meta: Veliaj kandidat gjithëpërfshirës, si është dhe koalicioni

476
Një ditë pasi kryeministri Edi Rama bëri publik emrin e kandidatit të koalicionit të majtë për bashkinë e Tiranës, numri dy i këtij koalicioni Ilir Meta tha se Erjon Veliaj është një emër gjithëpërfshirës. 
“Gjithmonë do zgjidhet një kandidat, të gjithë kandidatët që janë përmendur, diskutuar kanë patur vlerat e tyre. Kandidatura e Veliaj është një kandidaturë e jona dhe meriton mbështetjen tonë. Koalicioni ynë është gjithëpërfshirës dhe kandidati ynë nuk mund të ishte ndryshe”, deklaroi Meta.
Sa i përket kundërshtarit të Erion Veliaj në këtë garë, doktorit Halim Kosova të përzgjedhur nga PD, Meta tha se ka konsideratën më të mirë dhe për të. Sipas kryetarit të Kuvendit gara për Tiranën do të jetë interesante, ndërsa nuk ka lënë pa përmendur dhe kandidatët e pavarur që për Ilir Metën tregojnë se demokracia funksionon.
“Edhe për zotin Kosova kam konsideratën më të mirë. Në fund të fundit është një garë mjaft interesante, duke menduar që kemi dhe kandidatë të tjerë që nuk duhen nënvlerësuar, por duhen vlerësuar për kurajon dhe inicativën e tyre. Është një garë mjaft demokratike, interesante, besoj se Veliaj e fillon garën nga dita e djeshme në avantazh, e do udhëheq deri në 21 qershor. Kandidatët e pavarur nuk prishin punë, por ndreqin punë. Ata tregojnë se demokracia funksionon, i japin mundësi qytetarëve të kenë zgjedhje të tjera përveç dy forcave kryesore, por janë dhe një leksion për forcat politike që të jenë më të hapura”, deklaroi Meta. 
Sigal