Sandër Lleshaj duhet të dorhiqet, drejtuesit e policisë të gjykohen

249
Sigal

Policia vret 25-vjeçarin Klodian Rasha me plumba pas shpine, 20 metra larg derës së shtëpisë. Sipas deklaratës së policisë, i riu ishte i armatosur, por kamerat e sigurisë zbardhin mashtrimin e policor duke vërtetuar se viktima kishte në dorë vetëm 2 kokrra hurma. Ekspertët, investiguesit dhe politika deklarojnë se këtë skenar do ta kishte zili edhe Sigurimi i Shtetit. Nga sot qytetarët nisin protestat deri në dorëheqjen e ministrit Lleshaj dhe krerëve të Polisisë Shtetit

Mbrëmjen e pardjeshme në lagjen Laprakë të Tiranës, rreth orës 01:45 u vra me armë zjarri  një 25-vjeçar,  nga ana e efektivit të RENEAS. Sipas versionit të parë të Policisë së Shtetit, i riu nuk iu bind urdhërit të patrullës së Policisë për të qëndruar për kontroll, në duar kishte sende, të cilat i drejtoi nga patrulla e policisë dhe, në këto momente një nga policët e qëllon të riun, duke e plagosur rëndë. Sipas versionit të Policisë, i riu u transportua për në spital, por nuk mundi të jetonte. Versioni i parë i Policisë së Shtetit, bënte fjalë se i riu mbante një armë, e cila u gjend 100 metra larg nga vendi ku u ekzekutua. Mirëpo, kjo nuk ishte bindëse, se arma i takonte të riut.

Përgënjeshtrimi i versionit të Policisë së Shtetit

Gazetari Ndriçim Caka ka dhënë detaje të reja në lidhje me vrasjen dhe mbi atë që kanë shfaqur kamerat e sigurisë. Caka thekson se në pamjet filmike të bizneseve pranë vendngjarjes së rëndë, i riu shfaqet duke vrapuar dhe në asnjë moment nuk ka shfaqur rrezikshmëri ndaj efektivëve policorë. Sipas gazetarit, 25-vjeçari u ekzekutua vetëm 50 m larg banesës së tij.

Denoncimi

Policia e Shtetit vrau një djalë të ri, të pafajshëm. Në asnjë moment nuk dallohet në kamerat e sigurisë se ai i drejtoi armën policëve. Në asnjë moment nuk u pa që ai të sulmonte policët. Në asnjë sekuencë të kamerave që u fshehën, ai nuk shfaq kërcënim, por vetëm ikën me vrap. Po po, ikën me vrap nga frika e një gjobe karantine ndoshta… Edhe nëse kishte pistoletë (duke besuar versionin e Policisë), ai e kishte hedhur shumë më parë, prandaj polici nuk kishte pse ta qëllonte. Efektivi i Policisë nuk qëlloi në ajër, nuk zbatoi procedurën duke e qëlluar në këmbë. 50 metër ishte larg  25-vjeçari nga dera e banesës. Fati deshi që rruga t’i pritej në mes dhe nga kush: Policia e Shtetit, ata që duhet të na mbrojnë. Arrestimi i policit është minimalja që duhet bërë. Përgjegjësia është akoma më e madhe… SHÇBA, palë me vrasësin, mashtrimi zyrtar i policisë.

Ish-drejtori i Policisë: Veprimi i efektivit nuk justifikohet në asnjë moment, hetimi të zgjerohet deri tek eprorët

Ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Arben Hajdarmataj, e ka cilësuar ekzekutimin e 25-vjeçarit Klodian Rasha, në Laprakë nga efektivi i policisë, si të pajustifikueshëm. Hajdarmataj thotë se me të gjitha informacionet që janë dhënë, veprimi i efektivit nuk justifikohet në asnjë moment, vetëm nëse 25-vjeçari ka qëlluar me armë i pari ndaj policit. Ai thekson se për këtë rast duhet një hetim i thelluar, jo vetëm për përdorimin e armës, por edhe për eprorët që kanë instruktuar policin, e kanë nxjerrë në shërbim, apo nuk e kanë kontrolluar se ka qenë pa kamera. Ai vërtet polici që ka përdorur armë është pjesa kryesore e hetimit, dhe mund të marrë dënimin. Por hetimi duhet shtrirë deri tek eprori që ka dhënë instruktazhin, apo që e ka nxjerrë në shërbim. Nëse e ka nxjerrë pa kamera në shërbim, apo s’i ka dhënë instruktazhin. Hetimi s’mund të mbyllet vetëm brenda ‘e përdori armën brenda ligjit apo jo’. Edhe RENEA që përdor armën ka procedurë të përdorimit, dhe edhe strukturat e tjera kanë të njëjtën. Shteti vetë po e çon drejt inkriminimit Policinë, në mënyrën e organizimit, preferencave politike.

SHÇBA: Polici shkeli ligjin, duke vrarë 25-vjeçarin

SHÇBA në reagimin e saj dha versionin e parë të Policisë së Shtetit, pa u bazuar në fakte, pa parë më parë kamerat, duke dashur që të rëndojë viktimën, me gjoja, se mund të kishte armë, që u gjet e braktisur, etj. Por gjithsesi, pranoi që polici që qëlloi nuk zbatoi ligjin dhe ndaj tij do të ndiqen hetime penale. Më vonë u dha lajmi që prokuroria dha urdhër arresti për policin që vrau 25- vjeçarin.  Pjesë nga deklarata e SHÇBA:  “Nga hetimet paraprake është konkluduar se dyshohet se veprimet e punonjësit të Policisë N.H., bien në kundërshim me procedurat standarde të përdorimit të armëve të zjarrit. Ai nuk ka qenë në kushtet e përcaktuara në ligjin për përdorimin e armës së zjarrit, duke kapërcyer kufijtë e mbrojtjes së nevojshme. Për sa më sipër, grupi i posaçëm hetimor, ka kryer arrestimin e punonjësit të policisë Inspektor N.H., për veprën penale “Vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme.”

 Ministri i Brendshëm  Sandër Lleshaj: Nëse shikoni policët me krimin, dijeni që jam unë

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, dje nuk ka  reaguar  për vrasjen nga policia e të riut Klodian Rasha. Ai ka zgjedhur të heshtë. Por kur Lleshaj mori detyrën, u shpreh: “Në qoftë se do t’i shikoni policët me krimin, dijeni që jam unë me krimin, në qoftë se do t’i shikoni policët të dehur, dijeni që po pi unë. Në qoftë se i shikoni policët të pasjellshëm, ta dini që po sillem unë keq. Pra, ata do të jenë fytyra jonë. Ata do të dalin më shumë në TV, në medie, dhe do të na përfaqësojnë ne.”

Ministri Lleshaj duhet të shkarkohet. Ka krijuar polici militante

Vrasja pa asnjë motiv nga Policia e Shtetit e  25- vjeçarit në Laprakë të Tiranës, dëshmon se ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, jo vetëm ka dështuar në misionin e tij, por më keq. Kjo vrasje është epilogu i një Policie të Shtetit militante, vetëm ndaj urdhërave të zyrtarëve të saj politikë, aspak si një institucion kushtetues në mbrojte të Ligjit, në shërbim të qytetarëve, një roje dhe një garanci i Rendit Publik. Policia e Shtetit është përdorur si një instrument i zbatimit të urdhërave politikë nga ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj në shumë raste deri më sot, ku më vrastare kanë qenë përdorimi i gazit helmues shumë herë kundër protestuesve para parlamentit, si edhe dhuna e pamëshirshme e policëve kundër qytetarëve, gazetarëve në këto protesta popullore, ushtrimi i forcës edhe ndaj qytetarëve në mes të natës, duke i nxjerrë nga shtëpia, kur qeveria u prishte banesat, bastisja alla naziste e Policisë së Shtetit kundër artistëve në Teatrin Kombëtar, në mesnatën ku u gremis Teatri,veprime force dhe dhune nga Policia e Shtetit në mënyrë të përsëritshme,  të pabazuara në ligj dhe në misionin e saj kushtetues, por vetëm të ushqyera nga zelli dhe militantizmi partiak ndaj urdhërave të drejtuesve të saj politikë. Prandaj, dje ministri Leshaj, nëse do të kishte sadopak ndërgjegje, duhet të dorëhiqej! Prokuroria hetimet duhet t’i adresojë edhe ndaj drejtuesve të Policisë së Shtetit, që kanë frymëzuar policët të ushtrojnë forcë, dhunë, deri në vrasje në rastin konkret ndaj qytetarëve të pafajshëm.

Policia që s’Duam

Sot policët e Policisë së Shtetit janë thjesht “ushtarë” të bindur të urdhërave të drejtuesve dhe zyrtarëve të lartë të qeverisë, për t’u përdorur si kobure për kurban të interesave të udhëheqjes.  Vrasja e qytetarit  25- vjeçar parmbrëmë, pa asnjë shkak nga polici, është dëshmi, se kemi policë të patrajnuar, por thjesht të punësuar nga militantë partie, si shpërblim për shërbesat që i kanë bërë dhe i bëjnë partisë dhe liderit partiak.  Nga “policia që duam” e Tahirit që mbante konferenca shtypi me policë me maska si fasadë në sfond, e deri te heqja e “barkëderrave” dhe e “të vjetërve” e Lleshit, policia, nga polici e shtetit, është kthyer në polici të partisë.  Nuk ishte parë kurrë më parë që policët të vadisnin arat e kanabisit dhe trafikantë droge të përdornin makinën e ministrit të rendit! Plumbat e policisë ndaj të riut Klodian Rasha, se kishte thyer orarin e lëvizjes, nuk  morën vetëm jetën e  tij, por thyen rëndë edhe besimin e publikut te policia. Edhe nëse do të kishim të bënim me një rast sporadik kjo do të ishte shqetësuese, por rastet e abuzimit të policisë me publikun janë të shumta. Megjithë deklamimet elektorale për rend dhe siguri të partisë në pushtet, realiteti është i hidhur. Nga “policia që duam” e Tahirit që mbante konferenca shtypi me policë me maska si fasadë në sfond, e deri te heqja e “barkëderrave” dhe e “të vjetërve” e Lleshit, policia, nga polici e shtetit është kthyer në polici të partisë.  Në vendet demokratike këto veprime abuzive do të sillnin një reagim të menjëhershësh të shoqërisë. Mjafton të sjellë në vëmendje plagosjen pa dashje të një qytetari britanik nga policia, që e gjithë shoqëria angleze të reagonte. E si pasojë i këtij reagimi qeveria angleze vendosi që policët e rendit të mos mbajnë armë zjarri, por vetëm pistoleta elekrike, pasi nuk kanë trajnimin e nevojshëm, duke lejuar përdorimin e armëve të zjarrit vetëm nga policia kriminale dhe forcat speciale.  Por në vendin tonë kjo nuk ndodh, për shumë arsye.