Samiti në Sllovaki, Rama: Negociatat kërkojnë kohën e tyre

97
Sigal

Kryeministri, Edi Rama ndodhet sot në Bratislavë të Sllovakisë ku po merr pjesë në panelin e diskutimit në kuadër të samitit “GLOBSEC 2023”. Gjatë fjalës së tij, ai foli për fondet që rajoni i Ballkanit Perëndimor merr nga Bashkimi Europian, të cilat sipas tij janë 11 herë më të vogla sesa ato që jepen nga BE për vendet e Evropës Juglindore.“Më lini ta nis me atë çfarë ndodhi në Europë dhe BE në përgjigje të krizës së madhe që goditi Europën, por që na goditi edhe ne. Kjo shpjegon atë hendek të jashtëzakonshëm midis shteteve anëtare të BE dhe mes nesh, vendeve të Ballkanit Perëndimor Mes 2020 dhe 2021 mes disa paketave shumë të mëdha, BE dha 47.5 miliardë euro për shtetet anëtare. Ndërkohë që për ne u dha 1 miliardë për të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, mes të cilave 500 milionë në grante. Ai tha se procesi i negociatave për anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, konkretisht i Shqipërisë, do të zgjasë dhe për këtë arsye duhet të jetë sistematik. Por shtoi se në mënyrë që Ballkani Perëndimor të mos kthehet prapa, BE duhet të bëjë më shumë për rajonin dhe të ndryshojë qasjen në mënyrë thelbësore.

“Procesi i negociatave të anëtarësimit do kërkojë kohë dhe jam i bindur se nuk duhet nxituar. Duhet të jetë një proces i rregullt dhe i konsoliduar por na duhet të marrim diçka më shumë dhe diçka duhet të ndryshojë në mënyrë thelbësore mes BE dhe Ballkanit Perëndimor nëse nuk duan të shohin që ky rajon të kthehet mbrapsht sërish”-shtoi kryeministri.

Kreu i ekzekutivit kritikoi vonesat e BE-së në procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në union dhe shtoi se duhet hapur një shteg i ri për bashkëpunim sa i takon fondeve të dhëna për rajonin. Sipas Ramës nëse diçka e tillë nuk ndodh, atëherë edhe stabiliteti i rajonit të Ballkanit është në dyshim.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë disa foto nga samiti në Sllovaki. Në foto, Rama është me presidentin francez Emmanuel Macron, ndërsa shkruan se kanë diskutuar për marrëdhëniet bilaterale Francë-Shqipëri, po u fol edhe për sfidat e rajonit në sfondin e luftës në Ukrainë.

“Me Presidentin e Republikës së Francës, Emmanuel Macron, në një takim shumë miqësor, ku u prekën me thellësi temat e rajonit tonë në sfondin e konfliktit në Ukrainë, marrëdhënia e Ballkanit Perëndimor me BE-në dhe nevoja për një qasje të re politiko-ekonomike, si edhe marrëdhëniet bilaterale Francë-Shqipëri”, -shkruan Rama.