Samiti i SEECP, Presidenti Begaj: Serbia dhe Bosnja nuk e miratuan deklaratën

30
Sigal

Presidenti Bajram Begaj, në përfundim të Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), deklaroi se Deklarata e Tiranës nuk u miratua nga të gjitha shtetet pjesëmarrëse.

Begaj tha se Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk votuan për dokumentin përfundimtar.

“Deklarata e përbashkët ishte dokumenti i Tiranës dhe u votua nga shumica e shteteve anëtare të SEECP. Serbia dhe Bosnja vendosën të mos e miratojnë atë, gjë që është e drejta e tyre sovrane. Megjithatë, ne ramë dakord me Kosovën për një deklaratë shtesë, e cila theksoi se sanksionet e vendosura ndaj saj janë të padrejta dhe duhet të hiqen sa më shpejt të jetë e mundur, pasi ato nuk ndëshkojnë politikanët, por qytetarët e Kosovës”, tha presidenti Begaj.

Samiti i SEECP u mbajt këtë të hënë në Tiranë, nën kryesinë e presidentit Begaj, me pjesëmarrjen e udhëheqësve rajonalë. Në fund, ishte planifikuar të nënshkruhej deklarata para fotos zyrtare të udhëheqësve, por kjo nuk ndodhi.

Prononcimi i plotë i Presidentit për gazetarët

Gazetarët: Serbia ka refuzuar të nënshkruajë deklaratën e përbashkët?

Presidenti i Republikës – Përshëndetje! Faleminderit shumë për gjithë këtë pritje dhe për prezantimin si duhet të një samiti, i cili ka vlerë të madhe për të gjitha vendet e Evropës Juglindore jo vetëm për faktin e një procesi anëtarësimi në Bashkimin Evropian, por edhe të bashkëpunimit rajonal. Bashkëpunimi rajonal për ne është i rëndësishëm, sepse çdo zgjidhje në mënyrë paqësore dhe bashkëpunuese nëpërmjet dialogut do të sjellë zhvillim, do të sjellë prosperitet, do të sjellë stabilitet dhe paqe për të gjithë rajonin tonë.
Gazetarët – Cili ka qenë qëndrimi i Serbisë?

Presidenti i Republikës – Në fakt, ne sot patëm një qëndrim, ishte deklaratë e Tiranës.
Patjetër që u votua nga shumica e vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore. U refuzua nga Serbia dhe Bosnjë dhe Hercegovina, të cilët kanë të drejtën e tyre për të mos e miratuar deklaratën e përbashkët. Ne ramë dakord që çështja e sanksioneve të vendosura ndaj Kosovës, një çështje që unë e kam deklaruar në të gjitha daljet e mia publike, është një çështje e padrejtë, një çështje që duhej zgjidhur shumë kohë më parë, dhe nesër është shumë vonë, sepse sanksionet nuk janë vendosur për politikanët kosovarë, sanksionet janë vendosur për qytetarët e Kosovës, për të pasur shërbime të mira publike.

Gazetarët – Pjesa e sanksioneve do të jetë pjesë e deklaratës së përbashkët?

Presidenti i Republikës – Është një deklaratë shtesë, që është e shënuar në protokoll, që bëhet bazuar në të gjitha ligjet ndërkombëtare, e bërë nga Prishtina.

Gazetarët – Po pretendimet e Serbisë ishin për çështjen Gaza dhe për luftën në Ukrainë?

Presidenti i Republikës – Beogradi dhe Sarajeva kishin pretendimet e tyre për çështje të lidhura me sigurinë, por unë mendoj se siguria nuk është vetëm brenda shtëpisë sonë, siguria është një term dhe definicion më i përhapur, më i gjerë, dhe çfarëdo ndodh sot në botë është një rrezik për stabilitetin jo vetëm atje ku ndodh, por për të gjitha vendet e botës. Ne e kemi kuptuar shumë mirë se çfarë ndodhi me agresionin e pajustifikuar rus ndaj Ukrainës, që solli, mbi të gjitha, probleme jo vetëm për vendet e përfshira në konflikt, por po ashtu edhe për vende të tjera në prishjen e zinxhirit të furnizimeve.
Gazetarët – Në takimet me dyer të mbyllura keni patur diskutime apo qëndrime mbi konfliktin e nisur mes Izraelit dhe Iranit? Ka pasur qëndrime të përbashkëta apo të kundërta, nisur nga fakti që prezent ka qenë Ministri i Jashtëm i Turqisë?
Presidenti i Republikës – Patjetër, unë thashë që deklarata e Tiranës zyrtare u miratua nga shumica e vendeve pjesëmarrëse, kështu që kur them u miratua nga shumica, përveç Beogradit dhe Sarajevës, të tjerët nuk kishin asnjë lloj pretendimi. Ajo çfarë ne thamë, është qëndrimi zyrtar i Shqipërisë. Politika e jashtme e Shqipërisë është 100% e linjëzuar me atë të Bashkimit Evropian. Kemi hapur edhe kapitullin përkatës për këtë gjë dhe besoj se është gjëja e duhur që ne kemi bërë.