Sali Berisha: Arratia e tretë e Edi Ramës!

542
Edi Rama të shtunën mori arratinë. Për të zhdukur çdo gjurmë ai mbylli për herë të parë edhe vër-vër TV-në apo teleneverinë, siç po e quan populli ERTV-në e tij. Ai kishte njoftuar se do të shkonte në Shkodër, por në fund zgjodhi vrimën e miut, ku mbajti frymën në arrati për 24 orë. Pas 20 shkurtit të vitit 1991 dhe 14 shtatorit të vitit 1998, kjo ishte arratia e tretë e tij. Por, siç i thonë fjalës “e treta e vërteta”! Kjo sepse e para ishte një evakuim me autoblinda i Bllokut ditën e rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës. E dyta, ditën e varrimit të Azem Hajdarit zgjati vetëm 10 orë, kurse kjo e fundit në të vërtetë rreth 48 orë, pasi përveç disa pamjeve nga Davos, ai u zhduk nga ekranet e TV dhe valët e radiove 48 orë. Militantët socialistë u dëshpëruan thellë me liderin e tyre mbatharak. Papagajtë e tij u thanë mediave se qëndrimi i Berishës në zyrë më 21 janar ishte shkaku i viktimave, prandaj Rama mirë bëri që ia mbathi! Kurse analistët u mjaftuan me konstatimin, por nuk analizuan shkaqet e kësaj zhdukjeje, kësaj heshtjeje të plotë të tij ndaj këtij tmerri infernal të pa përjetuar prej tij kurrë më parë! Këtu më poshtë po rendis disa nga arsyet e heshtjes mortore të Edi Ramës, heshtje që tronditi aq shumë narkoqeveritarët, narkodeputetët, narkozyrtarët e tij.

Së pari, Rama u tmerrua, sepse pa dje (të shtunën) nga vrima ku ai ishte futur atë që ai kurrë nuk e kishte imagjinuar. Ai pa se bashkimi i opozitës në të gjithë spektrin e saj, të cilën ai vetëm një javë më parë e quante se nuk ekziston, prodhoi jo një protestë, por një tsunam popullor, shpresë për mbarë shqiptarët dhe urrejtje ndaj narkoshtetit të tij, që në çdo çast e në pak minuta mund ta fshinte dhe mund ta fshijë nga faqja e dheut!

Së dyti, Rama u tmerrua sepse ai si votë-killer, vrasës i votës së qytetarëve shqiptarë, pa dje (të shtunën), pothuaj në harkun kohor të 100 ditëve të formimit të qeverisë së tij të ngritur mbi drogën dhe krimin, atë që kurrë nuk e kishte besuar se do të shihte, protestën gjigante, siç e quajtën mediat e huaja të atyre që më 25 qershor ai me drogë, banda dhe pushtet krimi iu kishte vrarë votën dhe së bashku me të edhe shpresën. Ai u lebetit dhe u zhduk më keq se më 14 shtator të vitit 1998, sepse protesta e së shtunës iu duk si mostër gjigante apo si marshi i fantazmave që vërshoi nga të katër anët e vendit dhe pushtoi Tiranën e atyre që u kishte vrarë votën dhe shpresën, të cilët u ngritën si feniksi dhe me fuqinë e tyre mund të bënin pluhur dhe fshinin në pesë minuta nga faqja e dheut pushtetin e narkoshtetit të tij.

Së treti, Rama u tmerrua dhe heshti, duke mbajtur frymën në skutën ku ishte future, sepse konstatoi se shqiptarët e të gjithë spektrit politik opozitar, madje edhe qindra e mijëra socialistë, shumë prej të cilëve ishin të shtunën, konsiderojnë dosjen Tahiri-Habilaj, dosjen e Xibrakës, aferat e ARMO-s, djegësve, tarifave të stërlarta të universiteteve etj etj, shumë më të rrezikshme se sa bombat dhe armët kimike të Sirisë. Mirëpo në vjeshtën e vitit 2013, ai arriti të shuajë zemërimin popullor, duke dalë gënjeshtar dhe anuluar premtimin e dhënë, kurse tani nga këto dosje, skllav i të cilave është, nuk ka shpëtim. Përpjekjet e fundit donkishoteske, si zgjedhja e tij kryegjykatës dhe kryeprokuror, mbyllja njëra pas tjetrës e dosjeve të aferave të mëdha, pengimi i drejtësisë për arrestimin e Tahirit dhe kthimi i pasaportës së tij, lirimi i Sotës, ekstradimi i financierit të Habilajve në Itali, etj etj, jo vetëm që nuk kanë frikësuar njerëzit, por përkundrazi i kanë revoltuar për vdekje ata, ndaj dhe vërshuan si asnjëherë më parë drejt Tiranës për t’i kthyer reston që meritonte ai dhe narkoshteti i tij.

Si përfundim, qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë, nën udhëheqjen e opozitës, ndrynë Edvin Kristaq Ramën në vrimën e miut, në banesën e heshtjes mortore dhe e shndërruan atë në kufomë politike të pakallur…! Nderim dhe mirënjohjen më të madhe për ata qindra mijëra qytetarë, që me protestën e tyre madhështore iu treguan shqiptarëve dhe botës se në Shqipëri shumicë është opozita, kurse narkoshteti po shkon në kazanin e plehrave të historisë! Revolucioni vazhdon! Fitore!!
Sigal