Sa shumë këshillonjës!

453
Sigal

Nga Dr. Adem Harxhi

Ata e helmuan Sokratin, sepse ai shëtiste duke u dhëne njerëzve këshilla. I varfëri Sokrat, e pësoi sepse dëshironte të ndihmonte njerëzit.

A nuk e mendojnë këtë dhe të tremben, të gjithë ata opinion-bërës e, këshillonjës që shpërndajmë kudo këshilla dhe opinione, që u duken se janë të mençura?

Sot, dhënia e këshillave dhe opinioneve është bwrw një fenomen i papërmbajtshëm. Ato i gjen kudo, në gazeta, në revista, në TV dhe në të ashtuquajturat lajme.

-Politikanët dhe gjithë ata që u shërbejnë atyre, na këshillojnë të jemi të duruar, se shpëtimi do të na vijë prej tyre. E ardhmja do te jete e ndritur.

-Doktorët dhe shumë të tjerë që nuk janë doktorë, na këshillojnë si të ruajmë shëndetin e të rrojmë më gjatë.

-Bankat dhe financierët e tyre, na mësojnë si të bëhemi të pasur edhe ne “brekëgrisurit”.

-Vajzave e grave të reja, u mësojnë si të kenë e të mbajnë dy e më shumë dashnorë në të njëjtën kohë.

-Prindërit e rinj, i mësojnë si të rritin fëmijët.

-Prindërit e moshuar, i mësojnë si të sillen me fëmijët e tyre.

-Gjyshërit, i mësojnë si të jenw gjyshwr mw tw mirw, sikur gjithë këto vite eksperiencë, të mos u kenë mësuar atyre asgjë.

– Këshillojnë udhëheqësit e botës, si t’i zgjidhin problemet në vendet e tyre. Ata që i dëgjojnë të gjitha këto këshilla (njerëzit e thjeshtë), ëndërrojnë, natën dhe ditën, sikur ta kishin atë hemlokun e mirë, helmin që i dhanë Sokratit. Sigurisht, ata nuk e duan këtë dozë helmi për ta pirë vetë, por për t’ua dhënë atyre që japin gjithë këto këshilla e opinione. Le të mendojmë për një moment.

Po qe se këshillat qe na japin politikanët dhe lakenjtë e tyre janë të drejta dhe na vënë në pritje të një jete më të mirë, atëherë, pse nuk presin edhe ata ashtu si ne? Pse nxitojnë ata të pasurohen dhe të bëjnë ligje që të shtojnë pasuritë e tyre, duke vjedhur pasuritë e popullit të vuajtur?.

Po qe se këshilla qe jep bankieri është kaq e mirë, pse ma jep mua këtë mundësi të shquar? Pse nuk e shfrytëzon për vete? A thua ai më do mua më shumë se veten? A është ai miku im më i mirë dhe unë nuk e di !? E njëjta gjë mund të thuhet për doktorin. A e ka ai shëndetin më të mirë nga ne të gjithë? Ç’është gjithë ai hi duhani në tavllën mbi tavolinën e tij? A shqetësohet ai për rrudhat rreth syve të tij dhe për palat e dhjamit që i varen në bark, përpara se të më këshillojë mua?

I varfëri Sokrat. U përpoq t’u mbushte mendjen të rinjve, se prindërit e tyre nuk dinin asgjë. Por, baballarët, veçanërisht, baballarët e kombit, nuk duan që fëmijët të kuptojnë se prindërit nuk dinë shumë gjëra. Dhe ata, e helmuan Sokratin.

Dikush duhej ti jepte Sokratit një këshillë. Por mjerisht, ai nuk kishte pranë asnjë nga këta këshillonjësit e sotëm, që kanë mbushur radiot, televizionet dhe gazetat.