Skandalet ushqimore që po zbulohen, sinjal alarmi për të pastruar zyrat e AKU-së nga të korruptuarit dhe të paaftët

591
Dy ditë më parë, një aksion kontrolli i kryer prej AKU të qarkut Durrës, zbuloi abuzimet me që bëhen me prodhimin e produkteve ushqimore pa leje, pajisjen e tyre me etiketa false dhe futjen në treg, me letra të rregullta. Sipas informacionit, përveçse është një krim ushqimor i lejuar, së pari ky është një skandal që ka lidhje me abuzimin që kanë bërë me detyrën, shefat dhe inspektorët e kontrollit të AKU në Durrës e për më tepër “certifikuesit” në kupolën e AKU në qendër (Tiranë), të cilët kanë firmosur e vulosur këto kontrolle false. Para disa ditësh, aksionet AKU qendrore e rajonale vazhduan edhe në Fier, ku u zbuluan tregje rruge të peshkut, mishit, therjes së bagëtive nëpër kasolle, në rrugë, nëpër bodrume, banesa të vjetra e në njësitë ku tregtohej mishi, shtuar këtu edhe shitjet e produkteve të qumështit në rrugë, të prodhuara nëpër fucoi, kazanë, kova, magje e legenë nëpër zona! Zbulimi i kësaj batërdie ushqimore në treg e cila ka si pasojë dëmtimin shëndetit dhe rrezikimin e jetës së konsumatorit, evidenton një fakt që kërkon vëmendjen dhe veprimin urgjent të drejtuesit të ri të AKU: Pastrimin e zyrave dhe sektorëve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit nga të korruptuarit, të paaftët, të emëruarit në funksione e vende pune jashtë profesionit, të lidhjeve familjare, krahinore, klienteliste në raporte interesash “merimangë” që kanë uzurpuar këtë institucion. Vetëm javën e fundit, nga kontrollet që drejtuesi i ri i AKU-së, zoti Agim Ismaili, ka organizuar e hedhur në veprim në tregjet dhe prodhimin në shumë zona të vendit, janë zbuluar shumë raste abuzimesh, deri edhe magazina me produkte të pa miratuara e të palicencuara, por çuditërisht të lejuara për t’u hedhur në treg. Pyetja është kjo: Kush i ka lejuar këta prodhues, magazinues, etiketues, përpunues dhe tregtarë ilegalë?! I kanë lejuar dhe pajisur me letra kontrolli false ish-shefat, shefat dhe inspektorët që janë ende në funksione dhe detyra në në çdo nivel dhe strukturë të AKU në qendër e qarqe, të cilët “çuditërisht” po zbulojnë krimet ushqimore! 

Situata e rënduar në sektorin ushqimor!
Në tregun shqiptar, shiten produkte pa siguri, pa cilësi, me etiketa, ambalazhe, logo firmash e lejesh false, të lëshuara nga AKU, madje edhe pa leje të AKU, por me garanci “paprekshmërie” të shefave dhe inspektorëve të AKU! Në Shqipëri, thuhet se janë afro 9000 prodhues “bodrumesh” të afro 200 lloje produktesh ushqimore buke, ëmbëlsirash, akullore që transportohen në kova, qoftesh që transportohen me arka domatesh, pijesh që transportohen me autobusë, mishra që transportohen me furgonë lëndësh ndërtimi, pulash e derrash dhe deri prodhim petësh byreku, që transportohen në zgara biçikletash! Këta janë lejuar të veprojnë me “viston” e zyrtarëve dhe kontrollorëve të AKU! Nuk e ka fajin prodhimi dhe tregu, por kontrollorët dhe shefat e AKU, që kanë lejuar dhe “certifikuar” prodhim e treg ushqimor “vrasës”. Abuzimet e shumta që po zbulohen këto ditë pas urdhrit të shefit të ri të AKU, për të kaluar në filtër çdo “gramë e mililitër” produkt ushqimor, nuk duhet të finalizohen me gjoba, sekuestrime e dryna mbi bizneset e paligjshme dhe abuzive, por duhet të jenë sinjal alarmi dhe platformë filtruese, për të pastruar zyrat e AKU nga të korruptuarit, të paaftët, nga “merimanga” nepotike e familjare në administratat e këtij institucioni dhe sidomos, largimit nga ky shërbim, i fshehësve dhe mbrojtësve të krimit ushqimor që ka uzurpuar tregun në Shqipëri! 
Sigal