Mbyllen dosjet e korrupsionit për 318 ish-drejtues bashkie e komunash

600
Përparim HALILI
Mbyllen dosjet e korrupsionit për 318 ish-drejtues bashkie e komunash, rezultojnë me “pasuri të ligjshme!
Gazeta “Telegraf”, ka siguruara një informacion që lidhet me hetimin e pasurive të 318 ish-kryetrarëve të bashkive e komunave që kanë dorëzuar detyrën pas zgjedhjeve lokale të qershorit 2015, për shkak të mos kandidimit prej partive politike, mbasi numri i njësive vendore u kufizua në 61, nga 389 që ishte më parë në shkallë vendi! Pas dorëzimit të “çelësave”, krerët e rinj të bashkive, referuar dosjeve të veprimtarisë së këtyre ish-drejtuesve, iu drejtuan me denoncime organeve të hetimit anti-korrupsion, për të verifikuar ligjshmërinë e tyre gjatë ushtrimit të detyrës, për të zbardhur përdorimin e fondeve publike, administrimin taksave e të ardhurave lokale e po kështu, ndarjen, shitjen, apo dhënien me qira të pasurive të zonave që ata drejtonin, si tokat, trojet, pyjet, burimet ujore, objektet fizike etj! Këtë lëvizje e mbështeti edhe qeveria “Rama-1” e cila deklaroi se do të zbardhet çdo qindarkë e përdorur nga ish-bashkitë dhe komunat. Çfarë rezultoi? Sipas informacionit që na ka ardhur, thuhet se ish-drejtuesit lokal të hetuar për veprimtarinë gjatë ushtrimit të detyrës dhe për pasuritë e tyre private të vendosura gjatë kohës së këtyre detyrave si drejtues vendorë, rezultojnë pa asnjë “njollë”! Hetimet anti-korrupsion” të kryera për ta, nuk kanë “zbuluar” asnjë qindarkë abuzim e përfitim personal, për shkak të detyrës dhe gjatë kohës së ushtrimit të detyrës si kryetarë bashkie e komunash! “Çudia” ka lidhje me faktin, se këta ish-drejtues lokalë, 80% e të cilëve me 8-12 vite “sundim” në krye të zonave, nuk paskan përfituar asnjë “qindarkë” me korrupsion! PO me çfarë burimesh financiare i vendosën pasuritë gjigante që ata kanë deri edhe në shtetet jashtë Shqipërisë?! Me se i kanë shkolluar fëmijët në universitete private më të shtrenjta jashtë shtetit, kur kanë qenë me paga kryetari bashkie e komunash që ishte nga 600-800 dollarë në muaj?! Me çfarë burimesh financiare, i kanë ndërtuar vilat luksoze, restorantet, bizneset e deri resorte rustike private, kur dihet që e kanë nisur detyrën si kryetarë bashkie e komunash me nivel jetese të ulët e mesatar! Shumë prej tyre, para zgjedhjes si kryetar bashkie e komunash, kanë jetuar edhe me bukë me listë, me veshje të blera tek firma “Gabi”, me shtëpi me tavane, dritare e dyer të kalbura, me avlli pa gardhe, me fëmijë me jetesë si gjithë fëmijët e fshatit e të qytetit ku ata ishin mësues, inxhinierë, agronomë e madje disa edhe punëtor ndërtimi me diploma false! Gjatë 8, 10 e 12 viteve si drejtues bashkie dhe komunash, ata dorëzuan detyrat me pasuri të shumta e jetë luksi! Si mund të mos dalë asnjë prej tyre, minimalisht me pasuri të dyshimta, kur faktikisht janë me troje, toka bujqësore, biznese, apartamente në qendër të qyteteve e në plazhe, me rezidenca gjigante e luksoze në fshatrat e tyre dhe në fshatrat turistikë! Cilat janë burimet financiare të këtyre pasurive? A mund të quhen “pasuri e ligjshme” hotele e motele, vreshta me dhjetëra hektarë, fabrika agro-ushqimore, ferma bagëtish e linja inertesh, që janë vendosur pas marrjes së detyrës?! Dosjet e tyre, përmbajnë të dhëna konkrete për pasuritë e ish-kryetarëve të 318 komunave të 20 viteve të fundit. Skedimi i pasurive të secilit është bërë mbi vëzhgimet në terren, mbi evidentimet në zyrat hipotekore e banka, mbi verifikimet tek zyrat avokatore e noteriale, për të zbuluar transaksionet, mbi bazën e informacioneve të grumbulluara e servirur prej SHISH dhe prej agjentëve të krimit ekonomik të hedhur për veprim në zona. Sipas raporteve të dorëzuara në zyrat e hetimit, rezulton se 80% e pasurive, janë vendosur me burime financiare krimi e korrupsioni, ndërkohë që thuhet se 40% e pasurive të tjera janë fshehur me procedura tjetërsimi e kalimi pronësie në emra të tjerë! 
Në ILKPD kanë deklaruar vetëm “thërrimet” e pasurive reale
Fakt skandaloz me heshtjen ndaj deklarimit, kontrollit dhe verifikimit të pasurive të kryetarëve të komunave është fakti, që qysh në 12 vite, qysh nga dita e krijimit të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP), 593 “bejlerë” komunash në 308 komunat e Shqipërisë, kanë deklaruar pasuritë vetëm 7 kryetarë komunash. Ndërsa 586 të tjerët, jo vetëm nuk kanë bërë deklarime, por as u është kërkuar deklarim dhe as janë “shqetësuar” prej Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP), për të zbatuar ligjin, qoftë edhe formalisht, mbasi të dy palët si “bejlerët” e paprekshëm të komunave edhe “komanda” e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) e ka detyrim zbatimin e ligjit. Sipas informacioneve që disponon gazeta “Telegraf”, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP), në fillim të shtatorit 2015, pra 2 muaj pasi ata u zbritën nga “kolltukët” vendosi gjoba ndaj ish-kryetarëve të komunave e bashkive dhe i detyroi ata, për deklarim të pasurive reale, por procesi u la në heshtje dhe ata tashmë, rezultojnë me pasuri… “të pastra” edhe ligjërisht!
Sigal