Rumani, ndjekje penale kreut të partisë në pushtet. Prokuroria: Krijoi grup kriminal për përfitime në tenderë

530
Rumani, ndjekje penale kreut të partisë në pushtet

Prokurorët në Rumani kanë nisur një ndjekje penale ndaj kryetarit të Partisë Social Demokrate në pushtet, Liviu Dragnea, i dyshuar për krijim të një grupi kriminal që ka përvetësuar 24.4 milionë dollarë nga fondet e Bashkimit Evropian. Drejtoria Kombëtare e Anti-korrupsionit beson se Dragnea ka falsifikuar dokumente për t’u siguruar që një kompani e caktuar të fitojë tenderin e BE-së për ndërtimin e rrugëve, gjatë kohës që ai ishte kryetar i këshillit bashkiak të një province rumune, mes viteve 2001-2012. Dragnea, bashkë me 8 të tjerët, akuzohet për komplot për privatizimin e kompanisë së ndërtimit të rrugëve “Tel Drum Sa” përmes ndërmjetësve. Ata janë siguruar që firma të fitojë kontrata të shumta të shpenzimeve publike, me apo pa tender, ose përmes zotërimit të informacioneve konfidenciale, që e ndihmonin të fitonte ndaj firmave rivale. “Dragnea krijoi një grup kriminal që është ende aktiv dhe ku bëjnë pjesë anëtarë të administratës publike dhe biznesmenë”, ka deklaruar zyra e prokurorëve për agjencinë e lajmeve “Bloomberg”. Sipas hetuesve, qëllimi kryesor i grupit ishte të siguronte në mënyrë ilegale fonde të mëdha, si nga shteti ashtu dhe nga burimet e BE-së përmes abuzimit me anë të detyrës, shkeljeve, pastrimit të parave dhe pengimin e grupeve të tjera për të pasur akses në informacion. Dragnea ra në “lupën” e DKA-së, pasi Zyra Evropiane Kundër Shkeljeve Financiare, zbuloi në shtator të vitit të kaluar prova për një përfshirje mes përfituesit të fondeve të BE-së për rindërtimin e rrugëve, zyrtarëve publikë dhe kompanisë kontraktore. Provat tregonin se rreth 24.4 milionë dollarë ishin paguar në mënyrë të parregullt. Rumani cilësohet si një nga vendet më efikase në Evropën Juglindore, së bashku me Kroacinë, për goditjen e korrupsionit në nivele të larta të politikës dhe institucioneve shtetërore. 
Sigal