Ruçi:Vendi në udhëkryq. Patozi: Jo paketës së PS-së!

469
Sigal

Dje në Kuvend, PD-ja dhe PS-ja dëshmuan që janë diametrikisht të kundërta për një konsensus të reformës së Imunitetit

Kryetari i grupit parlamentar i PS-së Gramoz Ruçi deklaroi  se 100-vjetori i Pavarësisë e gjen Shqipërinë në udhëkryq. Duke folur në seancën e Kuvendit, Ruçi theksoi se ky sesion parlamentar e gjen vendin me një president të zgjedhur në mënyrë të njëanshme. “Sot çelin sesionin e ri parlamentar, sesion që përkon me 100-vjetorin e Pavarësisë. Në vigjilje të 100-vjetorit sigurisht qytetarët që na kanë zgjedhur duan të dinë dhe të dëgjojnë nga ne, se cilat janë arritjet. Arritja e parë është se na gjen me një president të ri, të zgjedhur në mënyrë të njëanshme nga maxhoranca e cila sipas nesh nuk ishte një zgjidhje por një zgjedhje pasi ju e zgjodhët duke dhënë një mesazh aspak të mirë për shqiptarët dhe ndërkombëtarët. Pa kaluar një muaj nga marrja e detyrës presidenti hodhi firmat e para. Presidenti nuk mori nishan kur në krye të KLD-së zgjodhi një militant partie, ku në SHISH vendosi një drejtues me një të kaluar të zezë që të kujton kohën e SHIK-ut të ‘92-‘97”,- tha Ruçi. Gjithashtu, kreu i grupit të PS-së ripërsëriti edhe njëherë paketën e dorëzuar nga opozita për ndryshimet kushtetuese duke shprehur edhe njëherë qëndrimin e PS-së për kufizimin e imunitetit.  “Ne i kemi paraqitur Kuvendit të Shqipërisë një paketë amendamentesh kushtetuese që kanë të bëjnë me një reformë thelbësore të sistemit të drejtësisë. Kemi propozuar që gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë të zgjidhen me 3/5 e votave të parlamentit. Pra, të marrë fund zgjedhja nga një parti e vetme e gjyqtarëve. Gjithashtu kemi propozuar që edhe Prokurori i Përgjithshëm të votohet nga 3/5-at e deputetëve. Kemi propozuar po ashtu, që ministrat dhe deputetët të hetohen e gjykohen ashtu siç hetohen e gjykohen gjithë qytetarët e zakonshëm të këtij vendi – pra çdo politikan e sidomos pushtetar të gjykohet në gjykatat e zakonshme dhe jo nga gjyqtarët që i kanë emëruar vetë për të marrë pastaj shërbimet e tyre, siç ka ndodhur në disa raste flagrante korrupsioni në Gjykatën e Lartë me ministra të kësaj qeverie. Ndaj kush do barazinë para ligjit për qytetarin dhe pushtetarin në këtë vend, duhet ta votojë këtë ndryshim thelbësor”, tha Ruçi.  Kreu i grupit parlamentar demokrat deklaroi sot se maxhoranca nuk do ta miratojë paketën e dorëzuar nga PS-së për ndryshimet kushtetuese. Duke folur në seancën plenare të Kuvendit, Patozi theksoi se paketa e PS-së është një arsye për të zvarritur heqjen e imunitetit. “Ne nuk do t`i miratojmë paçavuret e dorëzuara por po i respektojmë ato. Ne mendojmë se PS-ja i ka sjellë për të zvarritur heqjen e imunitetit dhe ligjet e tjera që kanë të bëjnë me integrimin e vendit. Ne jemi për një kufizim radikal që shkon drejt heqjes së plotë të imunitetit” tha Patozi. Patozi gjithashtu ka thënë se vendi ka shënuar progres të pandalshëm gjatë viteve të fundit, ndërkohë që e vetmja që nuk ka ndryshuar sipas tij është PS-ja. “Ne e kemi në dorë vetë historinë tonë. Burrat e shtetit në kohët moderne merrem me çështje të mëdha, nënshkruajnë dhe votojnë, por Edi Rama nuk ka për të qenë ndonjëherë burrë shteti. 6 gushti është për PS një ditë turpi, por mund ta ndreqni, ta votojmë që tani heqjen e imunitetit por PS-ja shpirtin e jep por imunitetin nuk e heq”- tha Patozi. Ndërkohë seanca e sotme është mbyllur me votimin e projektligjit për zhurmat, duke zgjatur kështu më pak se seancat e zakonshme.