Rrugës mbushen me asfalt elektoral/ Nga muaji dhjetor bashkitë me kryebashkiakë e Rilindjes shpenzojnë 137 miliardë lekë para zgjedhjeve

39
Sigal

 

Menjëherë pas shpalljes së datës së zgjedhjeve nga presidenti Meta, bashkitë kanë shtuar ritmin për tenderat që kanë të bëjnë me asfaltimin e rrugëve. Janë 13.7 miliardë lekë që janë dhënë vetëm në dy muaj, ku përfshihen dhe prokurimet për ujësjellësit. Dy muaj para zgjedhjeve të 25 prillit bashkitë e kanë përqendruar vëmendjen e tyre tek tenderat që kanë të bëjnë me ndërhyrjet në infrastrukturë dhe në ujësjellës. Prej datës 25 dhjetor deri në 8 shkurt janë hapur rreth 60 prokurime me vlerë rreth 6.3 miliardë lekësh. Bashkia e Durrësit, nën drejtimin e Emirjana Sakos qëndron në krye të listës me 9 procedura të zhvilluara për 15 ditë. Të gjitha kanë në fokus rikonstruksionin e rrugëve të qytetit bregdetar. Më shumë se 350 milionë lekë është fondi i vënë në dispozicion nga buxheti i bashkisë për këtë qëllim. Por edhe për Roskovecin, rrugët kanë qenë kryefjala e tenderave. Gara e hapur për 9 të tillë nga kjo bashki kap vlerën e më shumë se 55 milionë lekëve. Fondet më të mëdha në këtë periudhë duket se janë akorduar për ujësjellësit dhe kanalizimet. Për rreth 2 muaj shuma e vënë në dispozicion për këtë sektor arrin në më shumë se 5.3 miliardë lekë. Vetëm  Pogradeci për tre tendera ka përcaktuar një fond limit prej 1.7 miliardë lekësh. Nga muaji dhjetor, ku KQZ deklaroi masat kufizuese për pushtetin vendor dhe qendror, e deri në fillim të shkurtit fondi për tenderat në prag të fushatës elektorale arrin në më shumë se 13.7 miliardë lekë. Në mjaft raste kanë qenë vetë qytetarët që kanë deklaruar se në këtë kohë po hidhet asfalt elektoral.