Rritet bilanci, shkon në 140 numri i të helmuarve në mitingun e PD-së, raste të reja në Elbasan e Durrës

448
Numri i personave të helmuar në mitingun e djeshëm të Partisë Demokratike shkon në 140. Kjo gjë konfirmohet nga Ministria e Shëndetësisë, por ende nuk ka një shkak për pacientët që janë paraqitur në QSUT, në Spitalin e Elbasanit dhe të Durrësit me skuqje të syve, dhimbje të syve, marramendje, të vjella, turbullim shikimi, skuqje në zonat e fytyrës dhe qafës, marrje fryme.
Ministria e Shëndetësisë ka ndjekur nga afër dhe me shqetësim gjatë gjithë ditës së sotme gjendjen e pacientëve të paraqitur në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, pas incidentit të ndodhur në aktivitetin e Partisë Demokratike.
Nga shërbimi i urgjencës së okulistikës, raportohet se që prej mëngjesit numri i pacientëve ka ardhur duke u rritur. Janë 140 raste të paraqitura për të marrë ndihmën e parë, ku midis tyre 14 pacientë janë shtruar (deri në orën 16:00).
Aktualisht në shërbimin e okulistikës në QSUT, po marrin shërbim 7 pacientë. Gjendja e tyre është e stabilizuar por mosnjohja e agjentit shkaktar ka imponuar monitorimin nga afër të tyre për ndonjë komplikacion të mundshëm.
Edhe pacientët që janë paraqitur më vonë shprehin të njëjtat shenja klinike, të një intoksikacioni (helmimi), si: skuqje të syve, dhimbje të syve, marramendje, të vjella, turbullim shikimi, skuqje në zonat e fytyrës dhe qafës, marrje fryme.
Pas komunikimeve me spitalet rajonale dhe qendrat shëndetësore në vend raportohet se në Elbasan janë paraqitur 4 raste me suspekt konjuktivit si dhe në spitalin rajonal të Durrësit, 5 raste me të njëjtën diagnozë.
Ministria e Shëndetësisë vijon komunikimet me organet shtetërore kompetente ligjzbatuese për zbardhjen e ngjarjes.
Sigal